3-1 në Serie A, 3-1 në Superkupën e Italisë. Dy triumfe me rezultat të njëjtë në 15 ditë të Lazio ndaj Juventusit. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi në stol argëtohet dhe i lejon vetes të shkëlqejë ndaj kampionëve dy herë radhazi.
Por, gjithashtu është Lazio e Claudio Lotito dhe Igli Tare, me drejtorin sportiv shqiptar, arkitektin e skuadrës bardhekaltër. Ish-kapiteni ynë kuqezi, në fund të ndeshjes, “hoqi disa guralecë nga këpucët e tij”.
Për mikrofonat e “Lazio Style Radio” tha fjalë, që nuk janë aspak të parëndësishme, por që lidhen me të kaluarën e polemikave.
Një “shigjetim” për të gjithë ata që, vetëm disa muaj më parë, nuk besonin në potencialin e këtij grupi lojtarësh:
“Këtë trofe dua t’ua dedikoj edhe kërpudhave që dalin pas shiut… Kjo fitore u dedikohet, gjithashtu, atyre skeptikëve, që na masakruan para pak muajsh.
Nuk duhet të hipni në karrocë vetëm kur fitoni, por edhe kur humbni. Ky i fundit është veçanërisht momenti kur Lazio ka nevojë për tifozët e saj”
Dedikimi i dukshëm, siç u përmend, për ata që e kompromentuan sezonin pas paraqitjeve jo fort bindëse në fillim të sezonit: humbja në shtëpi me SPAL dhe, mbi të gjitha, testet zhgënjyese në “Europa League”, që kulmuan me eliminimin në grupe.
Sidoqoftë, nga fundi i tetorit, Lazio ka filluar të udhëtojë pa frena: tetë fitore radhazi mes kampionatit dhe Superkupës, si dhe trofeut të dytë, të ngritur brenda disa muajve. Dhe “kërpudhat”, tani që shiu ka ndaluar të bjerë, kanë dalë sheshit… Natyrisht, duke marrë leksionin e Igli Tares.