Ministrja Gjonaj zbulon kush përfiton nga amnistia e fundvitit

24 Dhjetor 2019, 14:00Kronika TEMA

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj foli me shifra lidhur me ata që përfitojnë nga amnistia e fundvitit.

Ajo bëri me dije se nga amnistia përfitojnë gratë dhe të miturit për shkak të dënimit të mbetur dhe veprës së lehtë penale.

“Jam sot përpara jush për t’ju bërë me dije se Këshilli i Ministrave sapo ka miratuar vendimin për propozimin e projektligjit të amnistisë.

Propozimi i këtij projektligji, ishte një kërkesë e kahershme dhe që padyshim një pjesë e të dënuarve kishin parashtruar shpeshmi në Ministrinë e Drejtësisë. 

Theksoj se ne kemi vlerësuar dhe analizuar me kujdes të gjitha kërkesat e paraqitura. Ndërkohë, nga ana tjetër është vlerësuar edhe nevoja që pjesa e vuajtur e dënimit të ketë përmbushur qëllimin e dënimit, pra rehabilitimin e plotë të personave të dënuar.

Ndryshe nga herët e tjera, angazhimi kryesor i qeverisë, por edhe i imi personalisht si Ministre e Drejtësisë ka qenë që kjo amnisti ti dedikohej disa kategorive të veçanta si grave të miturve dhe të moshuarve që vuajnë dënimin nga IEVP.

Nga kjo amnisti përfitojnë një kategori të dënuarish që vlerësohet se për shkak të dënimit të mbetur ose veprës së lehtë për të cilën janë dënuar, të lirohen përpara kohës.

Nga amnistia e miratuar nga Këshilli i Ministrave në bazë të gjitha kritereve të vendosura, më të lehtësuara për gratë dhe për të miturit, nga 56 gra që vuajnë aktualisht dënimin, përfitojnë lirim të menjëhershëm gjysma e tyre.

Thënë më qartë, fitojnë lirinë 28 gra, dhe përfitojnë ulje me 1/3e dënimit të mbetur 28 gra të tjera.

Përfitojnë gjithashtu dhe 4 të dënuar të mitur ku vuajnë sot dënimin, dhe dy të tjerë përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit.

Nga ana tjetër, nga kjo amnisti, përfitojnë edhe një numër i konsiderueshëm burrash, të cilët janë dënuar me dënim të formës së prerë deri në 2 vjet, dënim i formës së prerë deri në datën 30.09.2019 , ose u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet burgim.

Gjithashtu, një kategori tjetër përfituese janë edhe burrat mbi 60 vjeç të cilët nuk janë dënuar për vepra penale që janë të ndaluara për të përfituar nga amnistia. Sigurisht, duhet vënë në dukje që pavarësisht se një pjesë e të dënuarve  mund të përmbushin kushtin e dënimit ose të moshës, në rast se këto persona janë dënuar për një kategori të caktuar të veprave penale, që kryesisht janë vepra penale të rënda ose shumë të rënda, nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti.

Tashmë, besojmë që edhe Kuvendi do të jetë dakord me propozimin e qeverisë për miratimin e këtij projektligji për t’i bërë më të afërta ditët kur kjo kategori e të burgosurve do të jetë pranë familjarëve të tyre”, u shpreh Gjonaj.

2 komente në “Ministrja Gjonaj zbulon kush përfiton nga amnistia e fundvitit”

  1. i varferi says:

    Po Saliu perfiton nga amnistia?!

  2. Kujtim says:

    Perpara se te lironi te burgosurit e denuar per vepra penale ndaj individit, apo personit, si krime, vrasje, tentative vrasje, plagosje me dashje, dhune ne familje etj… duhet te pyesni viktimat e tyre si do reagojne, a jane dakort apo jo, se ata jane prekur direkt nga kriminelet, te cilet me te dale perseri do vazhdojne avazin e vjeter. “Kriminel njihere kriminel perhere”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje