Kategoria Superiore, “giotina e trajnerëve”, 11 të shkarkuar, 7 skuadra të prekura nga ndryshimet

26 Dhjetor 2019, 16:23Sport TEMA

Luftëtari, Flamurtari dhe Tirana me statistika rekordesh për 4 muajt e parë të Kategorisë Superiore.

Gjirokastritët e zonës së ftohtë dhe në krizë të plotë kanë “prerë kokat” e tre trajnerëve deri në këtë pikë të sezonit, një statistikë e pakrahasueshme kjo me asnjë klub tjetër.

Klevis Dalipi mori fillimisht drejtimin por ende pa nisur sezoni zyrtar trajneri elbasanas u largua duke e lënë skuadrën për disa ndeshje në dorë të Klodian Duros që gjithashtu e pasoi topin te Marantas, i cili u largua pak ditë më parë dhe sot Luftëtari drejtohet nga trajneri i katërt, Neritan Novi.

Mesatarisht një drejtues çdo një muaj. Në Vlorë janë treguar më të duruar duke bërë paqe me situatën katastrofike sepse pas largimit të Gerd Haxhiut ende pa nisur sezoni, Dritan Sadedini zgjati vetëm pak javë dhe tashmë skuadra mbetet në duart e Luan Birçes, ende në kërkim të suksesit të parë sezonal.

Në podium mbetet edhe Tirana që deri në këtë pikë u ka treguar derën dy trajnerëve. Ardian Mema ngriti flamurin e bardhë pas disfatës në Ballsh, ndërsa Ahmataj zgjati edhe më pak për ta lënë stolin pa një emër ende edhe sot.

Vala e tërbimit të presidentëve për shkak të rezultateve jo të pëlqyeshme ka shkuar përtej këtyre tre klubeve. Tabloja e plotë e kësaj pjese të parë të sezonit plotësohet me 4 skuadra të tjera që i janë nënshtruar nga një herë riformatimit në stol.

Furtunës nuk i rezistoi Partizani ku pas derbit të humbur, presidenti Gazmend Demi përdori veton për të larguar italianin Franco Lerda ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe presidenti i Kukësit Safet Gjici shumë muaj më parë me Armando Cungun të cilin e zëvendësoi me Shpëtim Duron menjëherë pas dështimit në kupat e Evropës. Punën e la në mes edhe Sulejman Starova.

Tekniku kryeqytetas u largua nga stoli kurbinas ku menaxhonte skuadrën që prej sezonit të kaluar, ndërsa në Durrës i erdhi fundi edhe kapitullit Shkëmbi pas një viti e gjysmë.

Në total, gjatë 6 muajve të parë të këtij sezoni kanë humbur vendin e punës 11 trajnerë ndërsa dy skuadra nuk kanë ende një emër përfundimtar. Partizani dhe Tirana janë ende në kërkim të timonierëve ndërsa Luftëtari po shkon drejta alternativës së shtëpisë, Neritan Novi.

7 janë skuadrat e prekura nga ndryshimet dhe vetëm 3 emra I kanë rezistuar kohës. Si për ironi, dy prej tyre janë të huaj, Dovedan në Ballsh dhe Jonuz në Shkodër, ndërsa Ilir Daja konfirmohet kampioni shqiptar në stolin e Superiores.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje