Tiranë, 27 dhjetor 2019 – Katër studentë artistë nga katër shtetet fqinje: Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë bashkuar të premten, më 27 dhjetor 2019, në një koncert pianistik ku kanë interpretuar pjesë nga autorët ballkanikë.
Në skenën e Teatrit Eksperimental, studentët Denita DEDUSHAJ nga Kosova, Ljubica GAVRILOVIĆ nga Mali i Zi, Petar TRBOJEVIKJ nga Maqedonia e Veriut dhe Johan MUKA nga Shqipëria prezantuan para publikut artdashës vepra pianistike nga Tonin HARAPI, Bobana DABOVIĆ, Blond KRASNIQI, Tomislav ZOGRAFSKI, Dejan KRDZIĆ, Feim IBRAHIMI, Blagoj CANEV etj.
“Edicionin e dytë të FQINJËT ne ja kemi dedikuar muzikës ballkanike, kurse edicionin e parë, që u zhvillua në prill të këtij viti ne sollëm për publikun repertor nga kompozitorët më të mëdhenj evropianë. Ky është synimi i projektit tonë që të promovojmë vlerat më të mira kombëtare dhe ato evropiane, të forcojmë ura të komunikimit dhe bashkëpunimit mes popujve tanë, sidomos mes të rinjve” – tha studenti Johan Muka, drejtues i ABC Tirana Club.
Fqinjët është një format artistik, të cilin organizatorët synojnë që ta zhvendosin dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, apo në vendet fqinje. ABC Tirana Club është një organizatë joqeveritare dhe joftimprurëse, një grupim studentor proevropianist, që nxit dhe promovon iniciativa e projekte rinore me karakter social, kulturor, ekonomik, shkencor etj.
Mbështetës të eventit FQINJËT, Edicioni i Dytë, ishin Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, ABC Tirana Club dhe Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.