Cristiano Ronaldo vazhdon të tregojë një formë të shkëlqyer dhe mosha për të, është realisht vetëm një numër. Ylli portugez mbush 35 vjeç pas një muaji, por duket se nuk ka ndërmend të ndalet.
Sot, në takimin kundër Cagliarit, CR7 shënoi tre gola, duke ndihmuar Juventusin të fitojë me rezultatin e thellë 4-0.
Ronaldo shënoi në minutat 49′, 67′ dhe 82′, për të kompletuar tripletën e tij. Gonzalo Higuain iu shtua gjithashtu listës së golashënuesve, në minutën e 81-të. Juventusi triumfon kështu me një rezultat të thellë, duke e nisur vitin 2020 në mënyrën më të mirë të mundshme.
Provizorisht, të besuarit e Maurisio Sarrit janë në krye të tabelës, me 45 pikë pas 18 ndeshjesh të luajtura. Ndërsa vetë Ronaldo, ngjitet në kuotën e 13 golave në Serie A.
Të gjithë tifozët shpresonin që viti i ri të niste me një fitore, por Milani vazhdon të jetë në krizë. Kuqezinjtë u frenuan në shtëpi nga Sampdoria në një barazim pa gola. Pjesa e parë ishte e dobët, ndërsa ritmi u rrit në të dytën me futjen e Zlatan Ibrahimovic.
Rastet nuk munguan, por Leao dhe Ibra nuk ia dolën të shënonin golin e fitores. Ndeshja e katërt radhazi pa fitore në “San Siro” për ekipin e Piolit, që renditet në vend të 12-të me 22 pikë.
Atalanta e nis vitin 2020 në të njëjtën mënyrë se si mbylli vitin e kaluar. Sërish fitore 5-0, kësaj radhe ndaj Parmës së Dermakut, i cili e ndoqi humbjen e shokëve të tij nga pankina.
Te pestë golat ishin shumë të bukur, teksa Gomez, Freuler dhe Gosens vulosën fitoren që në pjesën e parë. Slloveni Ilicic shënoi një dygolësh në pjesën e dytë për të vulosur triumfin me “manita”.
Kjo fitore e dërgon Atalantën në kuotën e 34 pikë dhe vendi i katërt është vetëm një pikë larg. Ekipi i Berat Gjimshitit, i cili u aktivizua si titullar, është sulmi më i mirë në Serie A me 48 gola, teksa ndiqet nga Lazio me tetë gola më pak.