Ndeshja ndaj Cagliari, ku nuk luajti asnjë minutë, është sinjal se sulmuesi Krzysztof Piatek nuk është më i paprekshëm te Milani.
Madje prej kohësh qarkullojnë zëra se ai do të largohet nga kuqezinjtë, sidomos tani që erdhi Zlatan Ibrahimovic.
Sulmuesi polak nuk arriti asnjë moment të lërë gjurmë te Milani, ndaj tashmë ai do të jetë sulmuesi i tretë, që do ta nisë ndeshjen nga stoli.
Kjo gjë nuk pëlqehet nga lojtari që është gati të largohet, ndërkohë që ofertat për të nuk mungojnë.
Gjithsesi, Maldini e Boban kanë një plan në lidhje me Piatek. Sulmuesi 24-vjeçar nuk do të largohet në formë huazimi, por kartoni i tij do të shitet tërësisht.
Kuqezinjtë kanë nevojë për parà “cash” dhe do të pranojnë vetëm oferta mbi 30 milionë euro. Ndërsa forma e huazimit të lojtarit nuk do të merret në konsideratë nga klubi kuqezi.