Në 30-vjetorin e demonstratës së parë antikomuniste në Shkodër

20 Janar 2020, 19:31Dossier TEMA

Nga Ardian Ndreca

Sot e 30 vjet ma parë në Shkodër ndodhte nji ngjarje e pazakontë për kohën, ishte 14 janari i vitit 1990 kur në bulevardin kryesor qytetarët shkodranë dolën me demonstrue urrejtjen e tyne ndaj regjimit komunist, tue synue heqjen me forcë të bustit të Stalinit. Ajo datë ka shenjue ramjen e perdes së frikës që kishte paralizue njerëzit për dekada me rradhë.

Demonstrata e 14 janarit nuk ishte diçka e improvizueme, ajo ishte organizue prej nji grupi punëtorësh shkodranë që ishin Dedë Kasneci, Nikolin Margjini, Gjergj Livadhi, Rini Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani e disa të tjerë. Qëllimi ishte heqja e bustit të Stalinit si edhe dhanja e nji shtyse të matejshme për demokratizimin e jetës politike shqiptare. E vetmja mbështetje prej jashtë që pati ajo demonstratë ishte ajo që diplomati gjermanoperëndimor Werner Daum kishte mundë me i shprehë Rini Monajkës në nji vizitë që kishte ba në Shkodër disa ditë përpara.

Populli i Shkodrës u lajmërue në mënyrë kapilare dhe atë të diele në sheshin kryesor rreth tremijë persona dolën tue mbytë frikën. As Pjetër Arbnori dhe as dom Simon Jubani, të ftuem me folë përpara turmës nuk pranuen me dalë. Arbnori do të shkruente rreth 15 vjet ma vonë se refuzimi i tij lidhej me mosbesimin e tij që ai popull tashma i përkulun para së keqes do të mund të çonte krye. Ndërsa personi që ishte ngarkue me ftue dom Simon Jubanin, N.B. i çoi fjalë organizatorëve se ai nuk dilte pse nuk ia lejonte feja.

U vendos që fjalimin ta mbante Kolec Hublina, punëtor në Ndërmarrjen e Peshkimin.

Demonstratës do t’i paraprinin arrestime ndërsa mbas saj do të pasonin ndalime në masë dhe arrestime prej të cilave u izoluen organizatorët kryesore dhe në veçanti u vu në shenjestër njeni prej tyne: Rini Monajkën.

Arrestimet e para nisën në darkën e 13 janarit dhe u mbyllën me datën 14 shkurt 1990. Gjithsejt akuza paraqiti për gjykim nji grup kryesor prej tetë vetësh, të cilët ishin: Dedë Kasneci, Rini Monajka, Nikolin Margjini, Gjergj Livadhi, Flamur Begu (Elbasani), Kolec Hublina, Tonin Dema dhe Nikolin Thana. Organizatorët e grupit konsideroheshin Kasneci, Monajka dhe Margjini, ndërsa të tjerët pjestarë aktiv me role të ndryshme.

Gjatë hetuesisë e cila u drejtue prej nji grupi hetuesish të udhëhequn prej vetë zv/ministrit Zylyftar Ramizi, u përdor dhunë çnjerzore, në veçanti kundër Rini Monajkës, i cili siç rrëfen vetë në ditarin e mbajtun disa muej ma vonë në burgun e Burrelit, gjatë spostimit me makinë nga Dega e Punëve të Brendshme në Shkodër për në Tiranë u rrah shtazërisht prej sambistave, të cilët i shkaktuen nji frakturë prej shtatë centimetrash në kafkë.

Por regjimi përpiqej që krahas dhunës të tregonte edhe nji farë qetsie. Ramiz Alia gjatë nji vizite në Uzinën Traktori u shpreh se Taraboshin nuk e lëviz era.

Por “Era e Lindjes” që po frynte nga Berlini në Pragë e në Timishoara kishte mbërrijtë edhe në Shkodër, tue sjellë jehonën e ngjarjeve epokale që po shënonin ramjen e diktaturave dhe përmbysjen e ideologjisë komuniste. Batarja që pak javë ma parë kishte shtri përdhe çiftin Çaushesku ishte tepër afër për mos me u ndie në Tiranë dhe e gjithë makineria e dhunës iu sul tetë organizatorëve të demonstratës e në veçanti Rini Monajkës.

Në fund të prillit 1990 grupi i Shkodrës që kishte organizue demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit doli para trupit gjykues të kryesuem prej Shefqet Muçit në Gjykatën e Lartë. Gjykimi në atë shkallë u hiqte atyne të drejtën e apelimit dhe de facto e kthente dënimin në formën e preme.

Akuza mbështetej tek nenet 55/1+13 e 57 e të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e nji organizate

kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryemjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë.

Dënimet për këto nene mund të shkonin deri në pushkatim, por kohët kishin ndryshue.

Dedë Kasneci, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi ua përplasën në fytyrë trupit gjykues aktakuzën që pjesa ma e mirë e shqiptarëve i bante atij regjimi çnjerzor. Ndërsa Rini Monajka ishte i tjetërsuem prej torturave dhe nuk mund të shqiptonte pothuejse asgja në mbrojtje të vetes. Dënimet qenë të ashpra, por tashma era e shndërrimeve politike në Europë nuk e lejonte ma Ramiz Alinë me pushkatue disidentët antikomunistë. Të dënuemit u shpërndanë në burgjet e ndryshme prej Qafë Barit në Sarandë, prej ku u liruen në janar e në mars të vitit 1991.

Ma randë ndër ta ishte damtue Rini Monajka, i cili në tortura kishte pësue nji frakturë prej shtatë centimetrash në kafkë dhe kishte trauma të randa psikike.

Sot kanë kalue 30 vjet nga ajo ngjarje e protagonisti i asaj demonstrate Rini Monajka, nuk mbërriti me pa deri në fund tjetërsimin e idealeve për të cilat u sakrifikue, mbasi vdiq pak vite ma vonë si pasojë e torturave.

Pushteti vendor në qytetin e tij të lindjes, megjithë kambënguljen e qytetarëve dhe intelektualëve për ta kujtue këtë hero të demokracisë nuk ia ka dhanë emnin e tij të paktën nji rruge. Sigurisht figura e nji idealisti të pastër si Rini Monajka asht në kontrast të plotë me frotën e individëve që morën pushtetin nga viti 1991 deri më sot. Megjithatë ata që do të vijojnë me kujtue këtë datë kuptimplote që shenjon fillimin e fundit të regjimit komunist në Shqipni, do të vijojnë me kërkue që kujtimi i Rini Monajkës të nderohet siç e meriton. Diktatura ka qenë aktive edhe në këto 30 vjetë nepërmjet harresës së qëllimshme dhe nepërkambjes së kujtimit të atyne që u rebeluen ndaj saj.

I nderuari Z. Luka,

Po Ju shkruaj sot megjithëse nuk njihemi personalisht. Unë jam Genc Kortsha, i biri i Xhevat Kortshës, themeluesit të gjimnazit të Shtetit të Shkodrës në vitin 1923. Unë u linda në Shkodër por nuk jetova atje deri në vitin 1948 kur na dëbuan familjarisht nga Tirana.

Do të ishte turp për ne të harronim se qëndresa antikomuniste e Shkodrës me rrethe, megjithëse e pa-përmendur në botën e lirë, u dallua dhe derdhi gjak vjete para kryengritjeve antikomuniste të Berlinit, Budapestit apo të Pragës. Dhe ky qëndrim antikomunist i Shkodrës vazhdoi për sa vjet valoi flamuri me yll mbi Atdhe. Ndër viktimat e fundit ishin edhe Rini Monajka me shokë.

Gjithashtu janë kredhur në heshtje si në Shqipëri ashtu dhe në botën perendimore mjetet çnjerëzore të përdorura nga partia komuniste shqiptare për të imponuar grushtin e kuq në dëm të interesave të Atdheut. Në lëmin ndërkombëtar, udhëheqja e Tiranës kërkoi me çdo mjet nënshtrimin e vendit më parë ndaj Jugosllavisë e pastaj ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Kinës Maoiste derisa doli më vete duke u vetëshpallur “vendi socialist më i përparuar në botë”. Dhe për t’ia hedhur themelet këtij vendi persekutoi torturoi dhe zhduku me çdo mjet ajkën e vendit duke e zëvëndësuar me ‘njerinë e ri socialist’. Edhe sot e kësaj dite keqbërësit e djeshëm justifikohen duke thënë se kur torturonin ‘zbatonin ligjin’ e pra s’kanë përgjegjësi personale për të bëmat e tyre.. Edhe të ekzistonte një ligj i tillë si ka mundësi ta barabarësojnë me parimet e së drejtës njerëzore?

Kur përmënden mjetet e përdorura nga komunizmi shpesh flitet për torturat që kishin për qëllim ta thyenin trupin e të burgosurit. Por regjimi nuk kënaqesh me kaq. Përpiqesh ta thyente të burgosurin edhe psikologjikisht dhe pastaj ia fëlliqte emrin dhe ia persekutonte familjen. Të tilla veprime përpiqen t’i quajnë ligjore e pra në përputhje me të drejtën?

Më 1948-tën u takova me z.in Nush Radovani në Tiranë. Sapo e kishin liruar nga burgu ku pat fituar namë për qëndrimin e tij të papërkuluar ndën tortura të vazhduarshme. E përgëzova për forcën e tij të karakterit. M’u përgjigj me këto fjalë. “Ti po më përgëzon se dijta të them ‘jo’ gjatë torturave. Ruaji përgëzimet e t’ua për atë njeri që kur është në fuqi e ka mundësi ta bëjë të mirën dhe të keqen vendos dhe bën të mirën.”

Sot populli shqiptar martirëve që u masakruan nga komunistët nuk ua zhduk dot vuajtjet as ua kthen dot jetën. Por Ju personalisht, si dhe kolegë të tjerë në qytete, rrethe dhe në Tiranë sot mund t’i nderojnë martirët e komunizmit duke ndërtuar obelisqe dhe përmendore, duke ia vënë emrin rrugëve dhe shesheve në kujtim të këtyre luftëtarëve që nderuan Shkodrën dhe tërë Shqipërinë me bëmat e tyre.

Mesha e parë që u tha në Shkodër u bë me pjesëmarrjen e të krishterëve dhe muslimanëve bashkarisht. Qe shprehje e dashurisë të shtresave të gjera për liri, fe dhe drejtësi. Ju sot e kini në dorë ta bëni të mirën. Largojeni baltën më të cilën komunistët u përpoqën ta përlyenin emrin e heronjëve. Bëni detyrën tuaj patriotike duke nderuar ajkën që ngriti zërin dhe nuk heshti deri sa komunistët ua mbyllën gojën duke ia marrë jetën. Një popull i tërë do t’Ju jetë mirënjohës se akoma sot pret agimin e një epoke të re.

Me nderime,

Genc Kortsha

Detroit, 25 janar 2010

Zotit Lorenc Luka,

Kryetar i Bashkisë Shkodër

Fort i nderuar zoti Lorenc Luka,

Jam venë në dijeni nga një grup qytetarësh shkodranë, për kërkesën e tyre legjitime, për ta nderuar Rini Monajkën, njërin nga pjesëmarresit më aktivë të demostratës së parë antikomuniste në Shkodër, demostratë që nderoi qytetin tuaj e që u bë shkëndija e parë e revoltës publike në Shqipëri. Për këtë akt, diktatura komuniste e burgosi, e rrahu dhe e torturoi çnjerëzisht, si pasojë e së cilës i shkaktoi edhe vdekjen e parakohshme.

Si shkrimtar dhe qytetar, bashkohem me kërkesën e fisme të bashkëqytetarëve, për t’ia venë emrin e tij njerës prej rrugëve të qytetit tuaj apo ndonjë objekti të denjë për këtë emër. Plotësimi i kësaj kërkese mendoj se do të ishte në nderin e këtij qyteti.

Me respekt,

Ismail Kadare

Paris, 15 janar 2010

11 komente në “Në 30-vjetorin e demonstratës së parë antikomuniste në Shkodër”

  1. zhaku i pamposhtur says:

    Nuk e di nëse është gjuha shqipe që na ngatërron apo ju zotni që keni shkruar në këtë mënyrë? Sepse demonstrata e parë antikomuniste është shënuar në Kavajë në një ndeshje futbolli midis Kavajës dhe Partizanit dhe duhet të ketë qënë viti 1988 (jo 89 nëse nuk gaboj)mund të na e rifreskoj ndonjë Kavajas që e mban mënt më mirë. .

    1. Pantera says:

      Ka qene viti 1989 , jo 88 . Jam plotesisht i sigurte pasi kam kaluar personalisht me makinen BC ku punoja dhe na moren kavajsit armet pistoletat Tt mua ( shoferin ) por dhe te oficereve qe kisha brenda . Ka qene 1989-ta , dhe shkendia ka qene ne Kavaje . Kot kapardisen shkodranet , ata jane per bla bla bla , nuk jane te zgjuar , jane leshko , vecse servirjen dhe ngrenien e sapunit per djath, vrasjen e 4 personave nga Sali Berisha , dhe “dhenien e fatures qe krimin ta paguante dikush tjeter ” thote gjithcka ………..o zhaku i pamposhtur , tung o shoku

  2. L.R says:

    I ndjeri Rini Monokja qe vdiq ne Qyteze te Austris ne ne vitn 1997 ne moshe 44 vjec mund te me thote njeri i siqerte Shkodran cfare i ndodhi ? pasi flitet shume por realiteti i vertete s’dihet.flm.

  3. nord.al says:

    Lorenc Luka dhe te gjith dretuesit demokratikas te Shkodres jane vegla debile ne duart e sigurimsave te PD qe e urrejne Shkodren me gjith shpirt.

  4. Aleko says:

    Nje shkrim ku perzihen disa te verteta me shume genjeshtra.Do te ishte ne nderin e gazetes te krahasohej me intervisten e Kolec Hublines, protagonist direkt dhe nje person me integritet dhe me cilesi morale dhe civile te konsoliduara ne udhen e jetes dhe te njohura nga bashkekohesit e tij shkodrane.
    Hapja e dosjeve do te zgjidhte ngercin e kondtradiktave te thella ndermjet shkrimeve dhe intervistave te ndryshme ne krahasim me ato te Kolec Hublines.

  5. Daja says:

    Une kam qene ate dite ne te njenjtin vend ku thuhet per ate demostrat te madhe por levizja dhe grumbullimi i njerzeve ka qene normale se Cfare kishin koke organisator ne ate kohe une nuk edi por ndoshta ata deshtuan dhe nuk u pa asgje .Vetem MBA’s nj 2 ndijguam se Kane arrest disa vete se ata kishin paditur vehten

  6. Star says:

    Zhaku,demostrata e pare me motive te verteta antikomuniste ishte kjo per te cilen flitet ne kete shkrim.
    Pastaj per demostrata ose per pakenaqsi te ndryshme te asaj kohe ka pase gjithmone
    Kujtome ketu edhe “rebelimin “ qe ndodhi atehere ne Shkoder kur klubi Partizani me ne krye ish ministrin e mbrojtjes Beqir Balluku, dhe shefin e shtabit te pergjithshem te ushtrise Petrit Dume nuk po lejonin qe te kthehej ne Shkoder pas mbarimit te ushtrise te te madhit Sabah Bizit.
    Problemi ne ate kohe shkoi aq thelle sa ne Shkoder u krijua nje situate paksa e ndezur ku ndermarrje te ndryshme i bene leter komitetit partise rrethit per kete problem qe te zgjidhej ne rruge partie. Dhe u desh nderhyrja direkte nga Enver Hoxha qe ishte jashte tifozerise ne ate kohe qe Sabah Bizi te kthehej mbrenda 24 oresh ne qytetin e tije. Pra ka patur edhe pakenaqsi te tilla.

    1. zhaku i pamposhtur says:

      Jo o shoku jo unë i qëndroj atij mendimi se demonstrata e parë dhe shkëndija e parë anti komuniste ishte ajo e Kavajës. .unë atë ditë kam qënë vetë prezent dhe e pash edhe si filloi në stadium edhe si vazhdoi më mbrapa jashtë stadiumit ku kishte përleshje dhe parrulla anti enveriste. .un atëherë isha pothuajse fëmijë 16 vjeç dhe tifoz i partizanit, udhëtova që shkova në Kavajë pasi nuk jam nga Kavaja. .kjo ishte një kryengritje spontane antikomuniste dhe filloi nga një grup tifozash të partizanit të ardhur nga Tirana dhe parrullat që unë kam dëgjuar aty ishin këto :moj pranvera moj Valbona ku i çoj gjyshi paret tona. .nexhmije rruspie, dhe nuk duam fitore por duam demokraci. .i them këto sepse i kam parë dhe dëgjuar me veshët e mi dhe parrullat filluan mbas 15 min që kishte filluar loja dhe në pushim të pjesës së parë koret antikomuniste nuk pushuan por u shtuan nga i gjithë stadiumi saqë policia u shokua dhe nuk bëri dot absolutisht gjë. .nuk jam i sigurtë nëse përfundoi pjesa e dytë apo u ndërpre sepse kanë kaluar shumë vite por mbaj mend që populli doli në rrugë dhe godiste me gura policinë. .unë isha shumë kureshtar dhe sorollatesha rrugëve të Kavajës për të parë çdo gjë që ndodhte deri sa u errësua dhe më duhej të kthehesha në qytetin tim ,jam kthyer me tren pune dhe rreth orës 10 të darkës u gjenda në shtëpi. .ja tregova këtë histori babait dhe xhaxhait tim por ata më shikonin me mosbesim por më porositën të mos tregoj asgjë nga sa pashë dhe askujt pasi as radio e as televizori nuk dhanë asnjë lajm nga kjo ngjarje. .ndodhi edhe në Kuçovë një tip incidenti por aty nuk kishte ngjyra politike dhe as parrulla politike duhet të ketë qënë viti 86 apo 87 kjo rrëmujë e Kuçovës u shoqërua me arrestime dhe ngeli brënda sherreve ordinere të stadiumeve ndërsa kryengritja e Kavajës ishte një kryengritje e pastër antikomuniste dhe spontane pa krerë me ‘pardesy bezhë’..përveç Kavajasve dhe atyre që u gjendën atë të dielë në Kavajë askush tjetër nuk mësoi se çfarë ndodhi, llafi sigurisht që përhapet por imagjinoni në atë kohë që shqipëria ishte skëterrë dhe TVSH fillonte programin në orën 6 dhe e mbyllte në orën 10 llafi nuk shkonte edhe aq larg. .unë që replikova për këtë histori nuk dua ti ul vlerat kryengritjes antikomuniste të Shkodrës por thjesht tregova ato që përjetova dhe ashtu sikurse i përjetova, pastaj unë isha rritur në një ambient që kishim qënë të persekutuar barbarisht nga regjimi dhe e dija se çfarë do të ngjante sikur unë të isha kapur atë natë në Kavajë sikur edhe rastësisht. .e them me siguri se me të shkelur këmbën në qytetin tim më pushtoi një minidelir dhe ngazëllim, kuptova që nuk ishte vetëm familja ime e shtypur por kishte shumë e shumë si ne të cilët guxuan të denoncojnë diktaturën dhe diktatorin në mes të ditës me diell. .ajo ngjarje në Kavajë më mbushi me shpresë për një të ardhme të ndryshme nga ajo e prindërve të mi dhe faktikisht ndryshimet nuk vonuan pavarësisht se populli u tradhëtua por 1990 shënon fillimin e lëvizjes demokratike lëvizje kjo që akoma vazhdon sepse ne të shtypurit nuk fituam të çlirojmë atdheun tonë por u mjaftuam me lirinë personale dhe unë kënaqësinë e € apo $që fitojmë me djersën tonë këtej nga emigruam ..prandaj edhe tranzicioni në Shqipëri është akoma në proçes sepse mungon klasa punëtore prandaj tall bythën Rama dhe saliu. .

  7. Arben says:

    Nqf flitet per organizim kunder sistemit eshte ajo e shkodres e 14 janarit 90, nqf flitet per ndeshje futbolli ka sa te duash,nje nder to eshte edhe ajo e vitit 79 kur e gjithe tifozeria e shkodres rrethoi stadiumin e nuk linin te dilnin nga stadiumi ekipin e dinamos (dmth i policise dhe sigurimit te shtetit)pse gjoja nje futbollist i dinamos goditi nje femije qe mbidhte topa. Tifozat e shkodres kane kenduar ne 96 ne stadiumin Q.Stafa edhe kengen e E.Hoxhes, shenje kunder rregjimit diktatorial te Berishes,atehere kur s’kishte shanse te shante berishen kush ne rrethe re tjera,e tifozet kane ngrene dru. Pra nese flitet per organizim kunder pushtetit komunist padyshim ishte ajo e shkodres me 14 janar 90. Te gjithe ato personazhe qe u permenden ne shkrimin e sipercituar pavaresisht se gjate periudhes post komuniste nuk paten ndonje merite tjeter per funksionimin e shtetit demokratik,perveç disa privilegjeve te vogla, mbeten guximtaret e pare qe dolen kunder pushtetit 45 vjeçar te kohes dhe meritojne respektin me te madh,te pakten lokal.

  8. Star says:

    Thx z.Arben. Je i sakt dhe i mpreht ne gjykim.

  9. Gjuhadoli says:

    Thelbi i shkrimit simbas autorit asht se demonstrata e 14 janarit 1990 paska kene frymezue prej Nush Radovanit qysh me 1948! Kyt e dishmoka bash Genc Korça, qi as mbiemnin e vet nuk e shkruen sic e don gjuha shqype… Radovani mbasi u lirue nga burgu, kaloi do dekada ne Lezhe tuj kalite me ideale komuniste brezin e ri si mesues matematike ne gjimnazin e qytetit, e mandej u transferue ne Shkoder per me organizue demonstraten e pare antikomuniste… Hajde hajgare hajde…
    Autori e mban vedin si profesor t’madh filozofie ne universitetin katolik urbanian, dhe ftohet cdo tre muej per “konferenca” nga klani i vet ne Shqypni, porse etika ma e thjeshte akademike nuk do ta lejonte qe t’shkruente kto marrina vetem pse asht shok i ngushte me djalin e Nushit. Heh sa poshte paska ra katundi “urbanian” o Ndrece…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje