Marash Kumbulla largohet nga orbita zikaltër dhe tërhiqet nga graviteti i Napolit.
19-vjeçari i Kombëtares Shqiptare mund të bashkohet me klubin e presidentit De Laurentiis ku do të gjente edhe dy shqiptarë të tjerë, Elseid Hysaj dhe Amir Rrahmanin që nënshkroi vetëm pak ditë më parë.
Sipas mediave italiane, Kumbulla që po shkëlqen te mbrojtja e Veronës është shumë pranë tarnsferimit pasi dy klubet kanë gjetur gjuhën e përbashkët mbi bazën e 20 milionë Eurove plus 4 milionë bonus në rast të arritjes së objektivave.
Sipas “Sky Sport”, bëhet fjalë për një operacion të ngjashëm me atë të Rrahmanit pasi Kumbulla do të nënshkruajë menjëherë por do të transferohet vetëm gjatë muajve të verës.
Por, pasi klubet kanë rënë dakord, tashmë duhet që edhe lojtari me origjinë nga Shkodra të ndezë dritën jeshile por sipas të gjitha gjasave mbrojtësi shtatlartë do ta miratojë transferimin në Napoli ku i premtohet një vend titullari gjatë sezonit të ardhshëm.
Gjatë javëve të fundit, emri i Kumbullës është lakuar edhe nga disa klube të tjera në Itali si Inter e Lazio.