Laçi fiton ndaj Skënderbeut, spektakël pa fitues në Bylisi-Vllaznia

3 Shkurt 2020, 16:07Sport TEMA

Beteja të vërteta në Laçi dhe Ballsh. Gola të bukur dhe spektakël dhe në fund kanë festuar Laçi dhe Vllaznia. Kurbinasit mposhtën në shtëpi 1-0 Skënderbeun dhe u ngjitën në vendin e tretë, kurse Bylisi u ndal në barazim 2-2 me shkodranët në stadiumin “Adush Muçaj”.

FITORJA E KURBINASVE – Në Laç ishte një ndeshje me sulme nga të dyja krahët, me Skënderbeun që herë pas herë edhe merrte kontrollin e lojës. Kombinimet në sulm ishin të bukur, por mungonin rastet e rrezikshme. Më konkrete skuadra e drejtuar nga Armando Cungu.

Xhixha goditi shtyllën, kurse Rapo ishte i pasaktë me një gjuajtje brenda zonës. Pa gola u mbyll pjesa e parë, kurse e dyta nisi me një rast të Gripshit. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 52-të, kur Xhixha brenda zonës mposhti portierin Koliçi, i cili nuk lejoi më pas golin e dytë në disa raste.

BARAZIMI NË BALLSH- Takimi nisi vrullshëm, teksa për shtatë minuta u realizuan tre gola. Malota për miqtë mposhti portierin Isli Hidi, ndërkohë që vendasit shpërthyen dhe për një minutë barazuan me anë të kapitenit Murataj.

Katër minuta më pas ishte Ndreca, i cili me të majtën befasoi portierin Sherri dhe kaloi në epërsi skuadrën e Bylisit. Sulme të shumta të vendasve për të shënuar edhe golin e tretë, por pa sukses. Rastet nuk u munguan, por nuk ia dolën.

Në fund të pjesës së parë ishte Gilman Lika që realizoi një perlë për Vllazninë dhe i barazoi shifrat në 2-2. Më këtë rezultat u mbyll pjesa e parë dhe i gjithë takimi. Në fraksionin e dytë të lojës pati luftë të fortë sportive dhe tension, por jo gola. Bylisi pretendoi edhe për një penallti, por Kuka nuk mendoi ashtu dhe skuadrat morën nga një pikë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje