Qesharake: Andi Lila u kërkon futbollistëve dokumente për fondin e FIFA-s që nuk e përfitojnë dot

19 Shkurt 2020, 20:58Sport TEMA

Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë vazhdon të tregojë se ka ende shumë rrugë për të bërë që të merret seriozisht në tentativën për të ndihmuar futbollistët shqiptarë në problemet e tyre reale.

Edhe nisma e tyre e parë konkrete për të ndihmuar lojtarët në fakt është një gafë qesharake, pasi u premton atyre ndihmë për pagat e padhëna nga klubet, nga nja fond i FIFA-s nga i cili nuk mund të përfitojnë.

Me një njoftim në rrjetet sociale, që mban poshtë emrin e kryetarit Andi Lila, Sindikata i bënte thirrje lojtarëve të papaguar që të dërgonin te ajo dokumentet e çështjeve të fituara në FSHF dhe FIFA, por pas të cilave nuk ishin paguar ende nga klubet që u detyroheshin para.

Në njoftim premtohej se këto dokumente do të çoheshin më pas në FIFPro dhe FIFA për të përfituar nga fondi i ri që ka krijuar FIFA-s për lojtarët e papaguar.

Sindikata me siguri nuk është informuar mirë sa i përket këtij fondi, pasi ai nuk mund të përdoret për futbollin shqiptar.

FIFA ka bërë të qartë që ky fond prej 16 milionë dollarësh përdoret vetëm për ata lojtarë, klubet e të cilëve kanë falimentuar apo janë shkrirë e këta futbollistë nuk kanë ku sigurojnë paratë që u ishin premtuar në kontrata.

Edhe vetë FIFPro në njoftimin e saj të disa ditëve më parë sqaronte se lojtarët që bënin kërkesë duhej të vërtetonin me 100% se nuk mund të siguronin paratë nga ish-klubet e tyre.

Sindikata me sa duket nuk di as rregulloret që ka nxjerrë FIFA prej më shumë se një viti që bën të qartë se përveç rasteve të falimentimit e shkrirjes përfundimtare të klubit, të gjitha borxhet e tij trashëgohen te pronarët e radhës.

Në rastin e Shqipërisë, me klubet që u përkasin Bashkive, edhe nëse presidentët që i kanë në administrim nuk i paguajnë lojtarët e largohen nga klubet, ato borxhe transferohen direkt te Bashkia që i ka nën administrim dhe që është e detyruar t’i paguajë. E thënë thjeshtë, FIFA nuk paguan për lojtarë të cilëve u ka detyrime një klub që ekziston ende juridikisht.

Ndaj në vend që të bëjë premtime qesharake, Sindikata mjafton t’i udhëzojë lojtarët që të trokasin përsëri në zyrat e Federatës e t’i kujtojnë kësaj të fundit se në rast mospagesash të detyrimeve, klubet duhet të përballen me penalitete të tjera të parashikuara në rregullore si heqja e pikëve, apo rënia nga kategoria dhe se është pikërisht përgjegjësia e FSHF-së që të sigurohet që të paguhen deri në fund për detyrimet sipas gjyqeve që kanë fituar.

Pavarësisht dëshirës së mirë, FIFA nuk merr dot përsipër paaftësinë në këtë aspekt të institucionit që drejton futbollin në vendin tonë. /vipsport.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje