Opozita zgjodhi kryetarin e ri

2 Mars 2020, 20:17Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Pjesëmarrësit ishin po ata. Muzika, flamujt, parullat, edhe përgjegjësit politikë të përzier me turmat, ishin gjithashtu të njëjtët. Ndryshonin vetëm veshjet, nga verore në dimërore, përndryshe kushdo mund të thoshte se panë në televizor pamjet e protestave të vitit të shkuar.

Ilir Meta organizoi një miting kundër qeverisë, me popullin e opozitës, të angazhuar për t’i krijuar një kornizë njerëzore përplasjes së rradhës mes kreut të shtetit dhe kryeministrit. Pjesëmarrja në miting ishte ajo që i përket opozitës. As më shumë, as më pak. Një panel partish të angazhuara pas perdeve, për të sjellë në bulevard listat e përkrahësve të tyre, tamam si në vitet ’80, kur lojtarët më të mirë të skuadrave të tjera, luanin për ekipin që ishte kualifikuar në kupat e Evropës, duke veshur fanela me emra të ndryshuar.

Presidenti zbriti në fushën e lojës për t’i dhënë një shkarkesë elektrike opozitës, sipas tij, të fjetur, e që po përdoret nga Edi Rama si fasadë demokratike. Kryetari i shtetit zbriti në shesh kur pakica kishte hyrë më në fund në institucione, pas dy sezonesh protestash të dhunshme. Ky ndërrim pozicionesh mund të tingëllojë i pakuptimtë për ata që kujtojnë se Shqipëria është një vend normal. Por nuk është aspak i tillë nëse filtrohet në epruvetën e interesave meskine politike të palëve.

Kryetari i shtetit e sheh që pozicioni që mban brenda mureve të Preisdencës, nuk i lejon atij hapësirë dhe mundësi për të balancuar peshën e rëndë të Ramës. Ai sheh gjithashtu sesa e mpakur është sot partia që dikur drejtoi, ndërkohë që procesi i shkarkimit që vijon me hap kërmilli në parlament, është gjithsesi një shpatë që qëndron e varur kërcënueshëm. Përtej kësaj, Ilir Meta ka parë në horizont më parë se të tjerët (nuhatja politike s’ka qenë kurrë problem për të), sesi qeveria aktuale merrte premtime të majme financiare në Bruksel për tërmetin, ndërsa francezët dhe të tjerët kanë premtuar praktikisht që kësaj rradhe negociatat janë punë e kryer.

Këto llogari, të gjitha së bashku, janë padyshim një mal jo i vogël për t’u kapërcyer, për të gjithë ata që duan ta shohin të rrëzuar Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Dhe vetë Meta, bashkë me Berishën, e do këtë më shumë se kushdo tjetër. E në kushtet kur ish-kryetari i PD nuk ka më asnjë pushtet politik formal, Meta duket se ka vendosur të pushtojë qoftë edhe përkohësisht fushën e lojës së opozitës, për të reklamuar aksionet e veta brenda kampit opozitar.

Sot e djathta zgjodhi virtualisht liderin e saj të ri. Të padeklaruar dhe të paformalizuar, por aktiv, prezent dhe të egërsuar më shumë se kurrë. Ilir Meta e kishte ndarë mendjen prej kohësh që s’do të ishte presidenti i të gjithë shqiptarëve. Me mitingun e të hënës ai tregoi se ka vënë kandidaturë serioze për t’ju kthyer zanatit të vjetër që e braktisi në verën e vitit 2017, kur pranoi me përtesë postin që kurrë s’e përdori siç thonë manualet e detyrës së kryetarit të shtetit. Të paktën nga sot e tutje është i sinqertë edhe me ata që s’e duan…

9 komente në “Opozita zgjodhi kryetarin e ri”

  1. Jimi says:

    Nga sot njeri, apo tjetri duhet te shkarkohet, ose te dorehiqet! “Bashkjeteses” qeveri, presidence i erdhi fundi.

  2. Sehirxhiu ???? says:

    Kaq fuqi kanë për të mbledhur njerëzit në shesh?
    Me këtë që pash sonte, Rama dhe 2 mandate të gjerë, nuk na ndahet .

  3. mond says:

    ky ishte nje autogol i opozites, te shkoje kryetari i saj ne mitingjet e te tjereve, dhe te degjoje atje fjalimet qe duhet te mbaheshin prej tij vete!!!!!!
    gafe me te madhe nuk ka, por ne fakt mos prisni gje tjeter nga paaftesia, kur nuk di te beje opozite imagjinohet se kur mund te vije ne pushtet, se kur mund ti besohet kesaj opozite fati i vendit.e thene thjesht fare: popullit opozitar i jepet mesazhi se ne nuk ja dalim dot prandaj do marrim dhe Meten si simbol i pastertise qe te na ndihmoje se mos di ai ndonje marifet me te mire!!!!!!!

    1. Nik says:

      Po lere de, na plasi per kete lloj opozite! Opozita do dale natyrshem nga Shqiptaret e ndershem dhe idealiste.

  4. psikopati says:

    E vetmja pyetje qe me mundon, kur lexoj kete shkrim eshte se vertet Iliri eshte udheheqes? A nuk do futet ai ne burg?
    I dashur Minxhozi, e ke tejkaluar pa mase fantazine tende. Perrallat e tua tingellojne me legjendat qe i vdekuri u ngjall. Ato I ngjajne furtunes ne goten e ujit, apo lidership ne boten virtuale. Jo ne boten reale, i dashur Minxhoz! Jo ne boten reale! Shkrimi yt me tremb shume, njelloj sikur lexoj Makbethin. A do i lahen duar nga gjaku Ilirit? Po ngjyra e floririt te shqiptareve, a do i largohet nga duart? Valle vertet kete fat kemi ne shqiptaret, saqe opozita te zgjedhi vrasesin dhe hajdutin si lider? Ne mezi presim te shohim drite ne fund te tunelit. Ti zoti Minxhozi na e bere erresire te plote. Koka me dhemb. Jo kurren e kurres!

  5. Pazar hesapi says:

    ShQUP i i kishte mbetur pa vjedhur , me ne fund e vodhi dhe ate , ose e bleu nga Luli , po prape me para te vjedhura me djersen e b….allit .

  6. Buda says:

    Ilir Floriri e kaloi provimin e Kumbarit per kryetar te Opozites se Bulevardit te lare me gjak!

  7. Respekte te jashte!akonshme , Skender Minxhozi ! ??✍?

  8. Konjak says:

    Minxhoz ,e shoh qe te plasi zemra ,nga ky tubim ,epo s’ke c’i ben ,nuk merren badiava parat qe te paguajn tutoret e tu . Bezdi e ke ,por pranoje ,se kete radhe nuk jua ben dot sherbimin padroneve te allakatur ,kishte kaq shume ne sheshin ,sa tij dhe padroneve te tu , sua polli mendia . Epo helbete dhe gabon i ziu njeri ,s’di nga tia mbaj -te perkrah te verteten ,apo te zhgarravitet ne padrejtesi , per nje dore para ,qe per hater te se vertetes , te erren syte e s’mund te besh ndryshe . Po tamam ,e c’te duhet ty dhe te tjereve si ti ,se u shkel kushtetuta u baltosen ligjet , – te cilat mbrojne jeten dhe interesat e popullit ,- dhe jo te tuat dhe te shokeve te tu . Juve ju duhet vetem c’rregullimi , mjegullnaja , mungesa totale e ligjeve –qe ti beni keto si ti doni e kur ti doni –te veproni te lire e te pa kontrolluar .Pa lere ,qenkeni edhe ne merak te madh ,per hallet dhe problemet e opozites ; epo njeriu me dije dhe shpirt te madh , keshtu e ka .Porse nuk i thone kot ; rafsh ne menxire e u pjeksh ne dore te mire . Me shpirtmadhesine tuaj ,opozita e hodhi hallin edhe kete radhe .Zoti te ndihmofte nese do ta shikoje te arsyshme . Faleminderit .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje