Pasi Kuvendi miratoi amnistinë disa javë më parë, sot të nisë lirimi i të burgosurve në orën 10:00. Mësohet se nga amnistia do të lirohen 175 të dënuar, mes tyre 23 gra dhe 2 të mitur.
Ndërkaq 29 gra do të përfitojnë ulje të 1/3 së dënimit. Në total rreth 700 të burgosur do të përfitojnë ulje të dënimit. Kujtojmë se amnistia është miratuar me 102 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim.
Ligji parashikon që të gjithë të burgosurit meshkuj, që u kanë mbetur 2 vite dënim për të vuajtur ose janë dënuar deri në 2 vite të lirohen.
Nga amnistia do të përfitojnë disa kategori, duke nisur nga gratë e burgosura, fëmijët e mitur dhe burrat e dënuar deri në dy vite dhe në moshën mbi 60 vjeç. Gjithsej do të përfitojnë 54 gra dhe 6 të mitur.
Gratë e dënuara në ose mbi moshën 55 vjeç përtitojnë gjithashtu. Përfitojnë të dënuarit meshkuj 60 vjeç ose ne këtë moshë, 18-vjeçarët që kanë kryer vepra të lehta penale si dhe të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike ose sëmundje të rënda të pashërueshme.
Në draft përjashtohen ata që kanë kryer vepra të rënda penale, si vrasje, pengmarrje, vepra me qëllime terroriste, falsifikime, ata që kanë kryer vepra kundër moralit, familjes, fëmijëve, të dënuarit për krim të organizuar dhe banda kriminale.
Nuk përtitojnë ata që kanë kryer krime seksuale, vepra penale kundër drejtësisë, kundër autoritetit të shtetit etj…Nuk do përtitojnë gjithashtu dhe ata që janë dënuar për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve dhe disa kategori të tjera.
Kategoritë që përfitojnë janë:
1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
2. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.