Koronavirusi: Nevoja për vitaminën C rrit konsumin e agrumeve, dyfishohet çmimi

13 Mars 2020, 13:50Sociale TEMA

Shqiptarët ditët e fundit kanë  rritur konsumin e portokalleve dhe limonave pas informacioneve nga mjekët se Vitamina C rrit imunitetin dhe parandalon infektimin nga Koronavirusi.

“Kam frikë  se nuk do të  ketë  në  vazhdim portokalle dhe limonë. Po na i kërkojnë shumë. Sot rrezikova të  mos furnizohem dot tek shumica. Iu drejtova një  gruaje tek pika e shumicës për portokalle dhe më  ulëriti, mos i prek ato se janë  të  shitura”- tha për gazetën “Si” Andi, një  djalë  që  ka një  pikë  pakice ku shet fruta-perime në  rrugën “Rrapo Hekali”.

Ai tregoi se në  pikën e shumicës, dje, (të  enjten) ishte dy-fishuar çmimi për kg si i portokalleve, ashtu edhe i limonave duke bërë  që  ai vetë  ti shiste këto produkte me pakicë ; një  kg portokalle të  thjeshtë  120 lekë  nga 70 lekë  një  javë  më  parë, kurse me shegë  150 lekë  nga 85 lekë, ndërsa një  kg limonë  230 lekë  nga 120 lekë .

“Njerëzit janë  turrur për të  blerë . Viti i Ri të  na marrë  të  keqen”- tha Andi për “Si”.

Kurse Uran Derri, i cili përpos ekspert në  fushën e financave, zotëron një biznes me shumicë  në  shpërndarjen e fruta-perimeve të  importit, thotë  se nuk ka vend për panik.

“Produktet ushqimore të  supermarketeve dhe fruta-perimet nuk rrezikojnë  të  vijnë  në  treg. Është  e vërtetë  që  këto ditë  ka patur probleme me furnizimin e  dy artikujve; portokalle dhe limonë  për arsye se është  shumëfishuar kërkesa dhe konsumi një kohësisht. Kjo situatë na gjeti të  papërgatitur sepse ka shumë  prodhim dhe nuk ka nevojë  të  ruhen nëpër magazina. Por unë  dje kam marrë  një  trajler nga Greqia me portokalle e limonë . Importi vazhdon nga Greqia dhe Spanja”- sqaron Uran Derri.

Ai thotë  për “Si” se paniku dhe frika është  e kotë  në  lidhje me mungesën e ushqimeve, pasi edhe për një  javë  nis prodhimi vendas, përpos atij të  importit.

“Në qoftë se kërkesa do të  vijojë  në  rritje, nuk do të  eksportojmë, por do të  furnizojmë  tregun vendas”- shprhet eksperti dhe biznesmeni Uran Derri.

Sipas tij, shumica nuk i ka rritur çmimet e agrumeve, janë  pikat e pakicës, (disa prej tyre), thotë  ai, të  cilat punojnë pa një plan biznesi që  kanë  rritur çmimet.

“Çmimet rriten kur ka kërkesë  dhe nuk ka prodhim. Në  treg nuk mungon prodhimi. Pakica shikon kërkesën në rritje dhe shumëfishon çmimet. Kur shikon që nuk ia blen njeri aq shternjtë, nis e i ul”- shpjegon Uran Derri.

Ai thotë  se “ne po dy-fishojmë  importin, përpos agrumeve edhe për produktet familjare sepse deri dje furnizonim lokalet e restorantet më së  shumti, tani do të  kemi fokus vetëm familjet. Kështu që  po rrisim furnizmin me fasule, qepë  e patate”.

Përsa i përket humbjeve që mendohet të pësojë biznesi si pasojë e emergjencës në vend, ai shpjegon se deri tani nuk kanë asnjë sinjal nga qeveria, por do të diskutojnë ditën e hënë, pasi ndalimi i qarkullimit ka paralizuar gjithçka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje