Personalizimi i krizës dhe zhvatja sistemike e vëmendjes publike

14 Mars 2020, 12:21Blog TEMA

Nga Elvin Nuri

Prej disa muajsh kemi të bëjmë me një revolucion të mirëfilltë të komunikimit publik në kohë krize. Kanë ndryshuar mjetet, kanë ndryshuar personazhet dhe mbi të gjitha kanë ndryshuar mesazhet. Për pasojë, edhe vetë përqasja jonë me krizat dhe emergjencat publike nuk është më e njëjta.

Me dashje apo jo, makineria qeveritare e komunikimit në kohë krize, e cila u vajis mirë pas tërmetit të 26 Nëntorit, në këto ditë vetë-karantinimi po tregon se është në kushte perfekte. Por kjo makineri, pavarësisht kanaleve depërtuese me të cilat komunikon dhe fluksit të madh të mesazheve që shpërndan, në thelb është thjesht një timon me sedilje zyre dhe me siguri pa frena. Kjo makineri ka përfunduar në duart e pak individëve, të cilët janë të ngarkuar për të menaxhuar insitiucionet dhe kanalet e tyre të komunikimit, por jo për t’i përvetësuar ato apo mesazhet e tyre. Më saktë, gjatë këtyre ditëve që po përballemi me pandeminë COVID-19, për nga mënyra se si Kryeminsitri Rama dhe një grusht personazhesh të tjera politike po menaxhojnë komunikimin e masave të jashtëzakonshme, duket se më në fund ia dolën që të personalizojnë edhe krizat apo “dramat kombëtare”.

Personalizimi i politikës, pra shkëputja e saj nga ideologjitë apo lëvizjet e mëdha shoqërore dhe fokusimi i saj tek karakteristikat personale të liderit, si fenomen është i vjetër sa vetë njerëzimi. Ndërsa personalizimi i krizave dhe i dramave kombëtare përngjan si një stad më i avancuar në kontaminimin e komunikimit publik nga ana e kultit të individit/liderit.

Deri dje ju bëri përshtypje apo ju duk komik mesazhi “Edi jam…”? Ndokujt iu duk absurd si gjest?

Sot zëri i Kryeministrit Rama, na e përsëriste të njëjtin tekst nga altoparlanti i telefonit, si mesazh zanor, sa herë përpiqeshim të bënim një telefonatë me familjarët apo miqtë. Pa mundësi replikimi, për të bërë një telefonatë emergjence, meraku apo qejfi, duhej të prisje që Kryeministri të mbaronte fjalën e tij.

Gjëja shqetësuese nuk është depërtimi edhe nëpër telefonata personale i mesazheve sensibilizuese. As ripërsëritja e pambarimtë e këshillave për të patur kujdes nuk është aspak për t’u hedhur poshtë. Madje ndoshta është një nga mënyrat më efektive për të sensibilizuar të pabindurin, harrakatin, kaçakun e situatës apo të papërgjegjshmit e shumtë që na rrethojnë. Gjëja që duhet të na bëjë të reflektojmë është përdorimi i zërit “të Edit”. Pse ky mesazh duhet të na shkruhet, lexohet dhe dërgohet “nga vetë Edi, në emër të Edit”? Po institucionet që po i bëjnë ballë kësaj “lufte me armik të padukshëm” a e kanë një zë të tyren, apo identifikohen/lëvdohen/fshihen pas Edit?

Tahmë në vendin tonë mënyra se si komunikohen dramat kombëtare, si për shembull katastrofat natyrore, ka krijuar disa rregulla estetike të standardizuara dhe evente rutinë. Zëdhenësit e komunikojnë tragjedinë nga foltoret, me një ton zyrtar, duke folur për masa dhe shifra. Ndërsa lideri i situatës është në terren, tek njerëzit e dëshpëruar, aty ku tragjedia shpaloset emocionalisht. Zëdhënësit dalin në komunikime të shkurtra nëpër media audiovizive dhe u flasin audiencës përballë ekranit të dhomës së ndenjes. Lideri është live, non-stop, nga rrjetet sociale, aty ku janë non-stop “njerëzit”. Nëpër foltore sfondi është një pankartë. Në rrugë liderit i bën sfond vetëm tragjedia.

Në rastin e pandemisë COVID-19, detyrat e ndara prej kohësh janë kthyer kokëposhtë, sepse lideri nuk mund ta kontaminojë nga afër krizën apo dramën, ajo është ca më ngjitëse se vetë ai. Për këtë arsye, prej disa ditësh, rezumeja e shifrave dhe e masave bëhet sërish nga foltoret. Por masat drastike, militare dhe autoritare, të cilat (shpresojmë me të drejtë) limitojnë përhapjen e pandemisë tani bëhen nga telefoni personal i Kryeministrit Rama, me sfond zyrën apo murin e shtëpisë së tij. Estetika e komunikimit të krizave dhe e limitimit të të drejtave personale ka ndryshuar kaq shumë sa tani as nuk denjohet të bëhet sikur po firmoset një copë letër. Mënyra se si na komunikohen masat tani është më personale dhe e painsitucionalizuar, më shumë se kurrë më parë. Pop, krejt lirshëm, me bluzë të bukur, sy për sy “me Edin”.

Për personalizimin e krizës, apo më keq për përvetësimin dhe zhvendosjen e saj larg duarve të institucioneve, nuk besoj se e ka fajin interneti apo rrjetet sociale. Kjo linjë mendimi është justifikim i dobët nga ana e atyre që kanë frikë ta artikulojnë të vërtetën plotësisht. Interneti apo rrjetet sociale mund të kthehen në mjete komunikimi, ashtu siç gjysmë të vërtetat mund të jenë thjesht rrena.

Ajo që po asistojmë gjatë këtyre ditëve është një tendencë lokale, aspak globale, e disa individëve që përfitojnë nga mungesa e kodeve deontologjike dhe nga institucionet e dobëta. Të dobëta për të komunikuar vetveten, të dobta për t’i thënë jo kultit të individit të personazheve që i drejtojnë. Kjo është një zhvatje. Disa personazhe politike po përthithin të gjitha resurset, kauzat dhe fuqinë komunikuese të institucioneve që drejtojnë, për të ndërtuar në mënyrë arbitrare kanale komunikimi personale. Kjo, me dashje, për të rritur impaktin politik të zërit të tyre. Këta personazhe zhveshin institucionet nga kapitali i vëmendjes dhe nga fuqia e tyre simbolike, për t’i kanalizuar te vetja, te figura e tyre politike.

Po ju jap një shembull. Kryeministri Italian, Giuseppe Conte është i ngarkuar të drejtojë ekzekutivin e një vendi me popullsi gati 60 milionë banorë. Sa persona e ndjekin në Facebook? Një milionë e gjysmë.

Italia aktualisht ka mbi 15 mijë të infektuar nga virusi COVID-19, ndërsa viktimat janë mbi një mijë. Deri më tani Kryeministri Conte nuk u është drejtuar qytetarëve të tij duke përdorur emrin “si e thërrasin të shtëpisë” (ndoshta Beppe). Kur ka komunikuar herën e fundit në rrjetet sociale Conte? Disa ditë më parë, më 11 Mars, në një dalje zyrtare me video. Qëndrimi i tij në video ështe institucional. Zëri i tij lexon vazhdimisht një tekst institucional dhe nuk del prej tij edhe kur në fund të videos kërkon kurajon e italianëve. Përmbajtja e letrës ka ton institucional, edhe këshillues, por jo kërcënues. Në fund të videos shfaqet logo e institucionit, ajo e “Presidenza del Consiglio dei Ministri”. Teksti që shoqëron videon nuk është i gjithi me gërma kapitale dhe nuk përdorur hashtagët apo emoxhit adoloshenciale, të cilat pengojnë leximin dhe kuptimin e teksteve.

Personalizimi i krizave dhe përvetësimi i kanaleve dhe i mesazheve institucionale nuk është një gjest estetik normal apo një masë që duhet ndërrmarë si akt kurajoz i liderit të rradhës. Përgjegjësinë e dështimit apo të suksesit nuk ka nevojë ta mbajë mbi shpatulla vetëm Edi, por edhe institucionet. Nëse masat për të limituar daljet nga shtëpia apo nëse njoftimet për të patur më shumë kujdes më komunikohen “nga Edi” në Facebook apo në telefon, kjo rrit rrezikun që mesazhi mos të merret me seriozitetin e duhur. Fundja Edi nuk i pëlqen të gjithëve dhe e ka bërë veten që mos ta marrin të gjithë dhe aq seriozisht. Kur na komunikon institucioni që përfaqëson Edi, ai po duhet marrë tejet seriozisht, sepse ka fytyrë dhe duar legjitime, pavarësisht vetëpëlqimit të timonierit. Deri më tani Edi, Lali apo Luli janë fenomene të rrezikshme për ekzistencën e institucioneve demokratike dhe vendimarrëse në Shqipëri. Pasi kur këta lider të lënë timonin (fatkeqësisht askush nuk është i përjetshëm) ka shumë gjasa që bashkë me kultin e tyre do të marrin me vete edhe të gjithë legjitimitetin, popullaritetin dhe vëmendjen jetësore për funksionimin e institucioneve që drejtojnë.

17 komente në “Personalizimi i krizës dhe zhvatja sistemike e vëmendjes publike”

    1. Erhard says:

      Duam SHTETIN LIGJOR te degjojme e te veproje e jo Edin!
      Se kur del vetem Edi kjo nenkupton se ne te tjeret jemi sklleverit e tij,ndersa Edi eshte skllavopronari!
      Poshte DIKTATORET!

  1. kafe e hidhur says:

    po kush te te kuptoj analizen tende..do dalin tifozat e partive,rrogtaret e partise(jo te shtetit) e do te thone cfare problemi ka,ai per mire po ju flet..edhe merua i asaj linje eshte,zvogelon impaktin e gabimeve te pm.harron qe skemi per tu bere asnjeher shtet po u nisem nga emri e jo nga instituacioni.e do te akuzojn ne fund,ty e mua si rrogtar te berishes e opozites e likes e mones…se ne ate vend nuk ka me mendim te lire.jane bere te tere tifoza.o me ne o me ata…

  2. NIVELE ALARMANTE IDIOTESIE

    POR EDHE NJI SITUATE E RREZIKESHME QE VEC TE TJERAVE

    PO NXJERR MBI SIPERFAQE ATE QE SHUME NJEREZ ATY FSHEHIN BRENDA TYRE

    EDHE LIGESIE NJEREZORE !
    ( PO I HYNI NE HAK ZOTIT O EGRSIRA PYLLI -QE DUHET TE KTHEHEI ANDEJ NGA KENI DAL )

  3. Kulufi says:

    Te telefonojne 100 here ne muaj firmat qe shesin dysheke, dhe asnjeri nuk ta ka ndjere zerin. Por ama hidhesh si luan kur kryeministri yt te kujton te lash duart. Gjithesesi ti je nje anonim qe me ne fund te erdhi dita te thuash dicka. Ndersa ai eshte kryeminister i zgjedhur, i cili ka per detyre te menazhoje situaten, pra ka te drejte te zgjedhi dhe format apo menyrat se si ti drejtohet popullit. Detyra jote eshte te lash duart, dhe kur nuk ke ndonje gje per te thene te lash edhe gojen.

  4. Qytetar says:

    Me pëlqeu shkrimi…..rëndësi kanë institucionet dhe jo person i rradhës….. nëse duam të bëjmë shtet serioz.

  5. Florida says:

    Qenke lodhur shume me kete shkrim pa asnje vlere megjithese nuk pata durim ta mbaroja.Me mire mos shkruaj fare se dukesh ne nivelin e Nishanit,apo te tjereve qe kane nje xhelozi patollogjike ndaj Rames.Pra per ty cdo gje eshte ok, por meqenese eshte zeri i Kryeministrit qe ju nuk mund ta fshihni urrejtjen eshte gabim.Go fuck yourself.

  6. Autori ELVIN NURI, perpos qe ka tentuar te shkruaj nje analize me elemente (rradhe fjalesh) te huazuara nga Gazetaria Perendimore, kryesisht Britanike…, e ka shenjestren e goditjes dhe ofendimit vetem tek Edi Rama, nderkohe qe harron me qellim, qe eshte Edi Rama Lideri kryesor i Shqiperise, sepse eshte Kreu i Mazhorances nga Vota e shumices se Popullit. Mjafton vetem tek ky fakt i “nderuar” autor, gjithcka ke tentuar te “tierresh” sipas mentalitetit Berishjan e Metist e kompanite qe ju shkojne nga pas teresisht te hutuar dhe servile, gabon rende dhe aspak si gazetar (veshtire te jesh i Tille nga menyra e fjaleve dhe fjalive te vjedhura nga stili Britanik me se shumti, se stil Italian nuk ke aspak, por rrekesh se po ndjek KM e Italise se si paraqitet ne Media e Rrjete Sociale, me “qete” e me “i pranueshem”, kur dihet qe COVID-19 po e kthen Italine ne fushe beteje te rende). Kur ben krahasime midis Kryeministrit te Italise me ate te Kryeministrit tone Edi Rama, e na fut dhe shifren mbi 60 Milion te popullates ne Itali, por tonen nuk e nxjerr (se nuk te intereson ose nuk ke informacion), gabon rende ne llogjiken qe me sasine e popullit te tregosh, kush kam me shume ngarkes ne kete situate Pandemie te tmmerrshme. Nuk pyet kjo Pandemi Boterore per sasi Populli dhe zhvillim ekonomik, pasi ka gjunjezuar Gjigandet e Botes Industriale pike se pari, edhe pse Kina pothuaj ka dale nga goditja dhe ka nisur te ndihmoje te tjeret neper Bote. Te besh krahasime midis Gjigandeve te Botes me Shqiperine tone kaq te vogel e te varfer, por dhe me Popull kokederr me shumice, qe nuk i binden rregullave te sigurise dhe orareve te levizjes, gabon perseri shume rend, duke treguar se je i shtirur dhe i futur te shkruash keshtu me tonacion Berishjan e Metist, te besh Politiken e se keqes 3 dekada te Shqiperise e shqipetareve si brenda e jashte vendit, sa dhe vete CORONAVIRUS COVID-19 aktual.
    Politologu i famshem Skocez i periudhes se Dy Luftrave Boterore, John L. Hamilton, ka nje thenie ne nje nga Veprat e Tij: TE SHKRUASH PER TE VERTETEN I INFLUENCUAR NGA TE TJERE APO DHE NGA LINJA POLITIKE E ATYRE TE TJEREVE, ESHTE TE DEFORMOSH REALITETIN DHE BESIMIN TEK TY DHE ATA TE TJERET QE NDJEK POLITIKISHT. (Lexoje mire kete thenie, jo vetem Ti, por dhe gjithe Media aktuale ne Shqiperi, Kosove e kudo ku ka Shqiptare ne Ballkan, qe jane te infektuar me keq se me COVID-19, nga MORTJE si Berishizmi e Metizmi e bishtat e tyre.

  7. Andi says:

    Është mangësi e madhe vizioni dhe devijim qëllimi të mendosh në mënyrë “matematikore”, duke supozuar se protagonizmi i kryeministrave të vendeve të ndryshme duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me numrin e banorëve. Në Itali Conte flet në përpjesëtim me etikën, por sidomos në përpjesëtim me dimensionet e personalitetit të vet – duke “i falur” këtu diçka që ka të bëjë me tipin. S’ka dyshim që E. Rama është një njeri jo vetëm me protagonizëm e kurajë shumë të spikatur, por edhe me kulturë e dijeni sfiduese. Nuk mund të pranohet qenia e tij superior ndaj shumë prej udhëheqëseve të shteteve të mëdha e të zhvilluara?
    Mirëpo edhe strukturat dhe organizimi i vendeve të zhvilluara si Italia etj. sigurisht që është i ndryshëm. Në vendet perëndimore ka shkencëtarë e mjekë kompetentë, të cilët flasin dhe flasin në mënyrë të besueshme. Prandaj edhe “publiku” u beson atyre. Kështu që qëllimi arrihet. Kurse tek ne, në këto kushte e rrethana, ata faktorë që mund të pjesëtojnë protagonizmin janë të pabesueshëm, të mekur ose dhe nuk ekzistojnë. Jo se u bën hije Edi Rama apo se i ndalon ai. Mediat që e kritikojnë Ramën janë të lira të flasin, ndërkohë që ato duket se mbështesin qëllimet e atyre që mendojnë se kjo është situata për të rrëzuar E. Ramën?!
    Është ky kompleks faktorësh që Rama ndoshta na “bezdis” nga pak. Po më mirë të dëgjojmë Kryeministrin e mirëinformuar, apo median çoroditëse, gjoja “PLURALISTE”?! Edhe vendimet që merr Qeveria duhet të na i përcjellë Meço, Vasili dhe Fevzia?!
    Ti analist mos je duke bërë “disertacion” tani në “kohë kolere”, duke folur me komoditet sikur të ishim në situatën e muajit janar?

  8. Ziguri i qorrit says:

    Mos je djali i Astrit Nurit se edhe ai u konvetru ne (democrat) si Balli pacalopa.

  9. Niazi says:

    Lufta me.virusin fitohet kur merren ne kohen e duhur.masa radikale ,sipas keshillave te OBSh dhe.eksperiences se vendeve te tjera ! Te shqetesohesh pse dikush te thote.ruaj veten , ruaj.femijet , ruaj prinderit., Ruaj te tjeret nga kushdo qe ta thote e.aq me teper.nga K/M I vendit tend , eshte gjeja.me normale.ne boten demokratke ! Covid19 nuk.pyet cfare je pushtetar apo opozitar ! Kthjellohu o gazetaruc dhe merre shtruar ! Mesazhi.i Edit nuk.shton vota por ndihmon Ty te.mbrosh veten dhe te dashurit tuaj !

  10. On says:

    Jo jo gabim….kane zhvatur e po zhvatin te mirat publike,te ardhurat publike…per vete,militantet,te paaftet. Pastaj skane leke….jam kurioz kto kincensionet e shendetesise po bejne ndonje gje per kete pandemic?

  11. Albi says:

    O andi, ti paske me verte kultin e individit. Dhe artikullin sdo ose sdi ta kuptosh.Rama superior? Jo aspak. Duhet dale pak nga skemat klasike ne shqiperi. Dhe me pak partiak. Me istituzione me shume funksionale dhe autonome. Alo jam Edi! ahahaha

    1. Andi says:

      I nderuar Albi, mendoj se komenti im i ka në tekst të gjitha shpjegimet për vërejtjet tuaja. P.sh., unë pohoj direkt ose me nënkuptim se:
      1. Rama “po na bezdis nga pak”;
      2. Për shkak të postit “ai është njeriu më i informuar zyrtarisht” për gjendjen në terrenin tonë dhe në vendet e tjera, por edhe me të dhënat shkencore më të reja e më të besueshme që vijnë (më parë tek ai) prej vendeve të tjera;
      3. Ai është zyrtari që merr vendime dhe prandaj ka të drejtë t’i komunikojë vetë;
      4. Ai ka bërë aq shumë punë të mira dhe ka fituar votëbesimin politik për të qenë më i besueshëm se të tjerët;
      5. Sot ka 10-ra media të pavarura, madje thellësisht antiqeveritare, gjer në papërgjegjshmëri, dhe dalin përditë pa frikë dalin si burime alternative informacioni (artikujt nga jo-Edi për koronavirusin dalin nëpër gazeta të ndryshme nga 1 në çdo minutë, por problemi është se sa të besueshëm janë;
      6. Të gjithë kryeministrat tanë (hiq disi Meksin) janë (apo kanë qenë) të gjithë autoritaristë dhe e kanë përkëdhelur gjer në ekstrem kultin e tyre. Kjo cilësi nuk është gjë e mirë për Ramën, por kjo nuk është asgjë në situatën që ai po i bën veprimet dhe referuar qëllimit pse i bën.
      Nuk mendoj se temë e artikullit të mësipërm është: “teprimet e Ramës”. Nëse temë e analizës do të ishte “të metat personale, gabimet e Ramës”, “dëmet e Ramës” apo “krimet e Ramës” përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tij në këtë situatë, do ta pranoja gabimin e pozicionit tim!
      Faleminderit.

  12. klemi says:

    Si kudo dhe kurdo ne raste krizash, plehrat dalin ne siperfaqe dhe dallohen nga masa. Edhe ky shkrimtari apo shkencetari qe na llomotit per informimin nga keta duke se eshte. Ky soj robsh, te cilet nuk i mingojne vendit, duhet te izolohen nga shoqeria sepse jane te demshem. Eshte kohe e jashtezakonshme, prandaj edhe masat jane te tilla. Ne keto raste per kete soj duhen masa te jashtezakonshme, ashtu sic e percakton lgji.

  13. Albi says:

    Keni pak mendje te mbyllur e nuk pranoni kritikat. Kulti i individit eshte koncept i thjesht per tu kuptuar. Gjendje e jashtzakonshme ku flasin pak ekspertet e shume politikanet. Dmthn 1 politikan. Dhe me besoni une e kam votuar. Megjithate masat e mara jane shume te drejta.

  14. sheshi says:

    Ja dhe nje motiv me shume se perse Lul Basha lufton si Don Kishoti ,sepse ne krah ka gazetaruc te kazanit si ky i sipermi qe kerkon te thote diçka por qe na paraqitet si ai doktori i Saliut qe i mugonte veshja!Tarallaker qe kane ardhur nga erresira jane bere pronare ne kryeqytet e tash te tregojne edhe rrugen se ke duhet te ndjekesh si eksperte te fushave me analiza boshe ku mund te kene vend vetem ne panelet e Eni Vasilit ose Blendi Fevzos pa lene tangerllikun e Qim Pekeve!Ju idoter nuk kuptoni nje gje esenciale qe shoqeria eshte me larte se niveli juaj gazetaruc e me te tilla analiza fshin menderen!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje