Kur bamirësia është e etur për përshëndetje, nuk është më bamirësi!

16 Mars 2020, 21:08Blog TEMA

Nga Mentor Kikia

“Nëse ka njeri, që ka nevojë për ushqime, me pa mundësi ti blejë, për arsye të ndryshme, më thoni, dhe do ti sjellë. Meqenëse jam në këmbë, duhet të jetë në qendër të Tiranës, dhe i lë jashtë derës. Do ruaj konfidencialitetin. (Më co mesazhe në messanger)”.

Kështu ka shkruar Donika Bardha, vajza e një prej shqiptarëve më të çmuar e më të shquar në komunitetit shqiptar në SHBA, Ekrem Bardha.

Më tërhoqi vëmendjen pikërisht “konfidencialiteti”. Kjo grua është gati të bëjë mirësi, por preferon që nevojtari të mos e shikojë dhe njohë. Ose më saktë, ajo të mos e shikojë nevojtarin.

Kjo lloj bamirësie vjen si një antitezë e fortë e bamirësive në Shqipëri, ku bamirësi, pasi dorëzon ushqimet tek nevojtari, i bën foto dhe filmime qeseve para e mbrapa, fotografon shtëpinë, njerëzit me radhë, fëmijët nga koka tek këmbët me qese në dorë, dhe i hedh në fb apo i shfaq edhe në televizor.

Jam përballur mëse njëherë në debate publike lidhur me këtë praktikë. Por po i rikthehem, i gatshëm të përballoj edhe kritika, në emër të mbrotjes së dinjitetit të njeriut.

Jo më larg se dy ditë më parë pashë postimet në një faqe shumë të ndjekur, të imamit Elvis Naçi, një prej njerëzve më aktivë në ndihmën ndaj të varfërve në çdo cep të vendit. Unë mbështes fort çdo njeri që dhuron nga pasuria e tij për atë që nuk ka, çdo njeri që punon për të sensibilizuar të tjerët që kanë, për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Këtu nuk ka asnjë hapësire për diskutime të mëtejshme.

Por unë nuk jam dakord, që njerëzit e varfër të mbështeten pas murit, si dikur ata që ndalonte policia rrugëve, dhe të filmohen e fotografohen me “trofetë” e bamirësisë në duar. Aq më shumë kur këta janë fëmijë.

Publikimi i aktivitet i shërben sensibilizimit, por publikimi i fotove të fëmijëve është denigrim, përbuzje, ç’nderim. Fëmijës i lihet një qese në dorë e filmohet për ta hedhur në publik, për të marrë pastaj falenderimet e botës.

Çfarë vlere ka për bamirësinë si akt nxerrja e fotos së këtij fëmije të sëmurë, teksa i ati, i gatshëm të bëjë gjithëçka për një torbë ushqime, përpiqet ti ngrejë dorën e paralizuar që të përshëndesë bamirësin? A është vërtet kaq i etur bamirësi, edhe për përshëndetjen publike të këtij fëmije me probleme?

I ripublikova këto foto, duke shformuar imazhin e fytyrës, për të treguar se duhet ta respektojnë dinjitetin njerëzor, pavarësisht gjendjes ekonomike.

Bamirësia është një akt sublim, është maja e qytetarisë që tregon një njeri, është shkalla superiore e edukimit të njeriut. Por ndoshta etja për lavdi po na e err ndërgjegjen e nuk marrim parasysh asgjë, duke tentuar të fitojmë kult edhe mbi fatkeqësinë e të tjerëve?

P.S: Nëse ndjekësit e imamit do ta kundërshojnë mendimin tim, me argumenta fetarë, të mos lodhen kot, pasi besimin fetar nuk e shikoj fare kur vlerësoj punën e një njeriu.

8 komente në “Kur bamirësia është e etur për përshëndetje, nuk është më bamirësi!”

  1. tarasi says:

    Emmanuel Kant : Humanizmi duhet konsideruar gjithmone si nje qellim dhe kurre si nje mjet !

  2. Moj shqipni e mjera shqipni says:

    Perveç ketije E. Nacit ke dhe nje tjeter qe e ka babain kryehajdut, e ka mbiemrin Hajdari. Se si u bene kaq te pasur keta nga 28 deri 35 vjeç pa punuar as nje here ne jete !
    Uroj shume qe shqipetaret ta kuptojne se ku e kane hallin keta bamiresit qe dhurojne 3 kg ushqime e bejne 168 foto e video per ti bere reklame vetes.

  3. Mirel says:

    Shkrim shume i sakte.
    Eshte mbushur me mashtruesa kjo shoqeri o Mentor.
    Nuk e di pse me kujton dhe lali erin kjo gje ? edhe ai per foto i tmerrshem eshte: me shume ka njerez qe bejne foton se ka njerez qe bejne punen!

  4. Jimi says:

    Nuk jam njohes i kuranit, por nga miqe e shoke besimtar degjoj. Ne kuran thuhet, qe kur e jep sadakane me te djathten nuk duhet ta shikoje e majta, ose sic thote populli ! Beje te miren dhe hidhe ne det. C’eshte ky Imam qe me elokuence e pompozitet tundet e shkundet neper kasaba si shpetimtar i njerezise , a thua ka zbritur vete Pejkamberi ne toke, per te sheruar vuajtjet dhe dhimbjet njerezore!?
    Per mua te dyshimte jane edhe donacionet e vena ne dispozicion te njerezve ne nevoje! Burimi i ketij donacioni i cili kap vlera te konsiderushme, nuk besoj se eshte thjesht nga te ardhurat e besimtareve!? Besimtaret e devotshem te cilet zene numrin me te madh, jane nje shtrese e mesme, e cila jepe nje kontribut modest, ndersa ata “besimtare” zengjine as qe u shkon nder mend te kontribojne per fukarenjte. Keshtu qe, cili eshte financusi i kesaj propagande te ethshme per kete individ, qe nuk le rast dhe ekran pa u mburrur per cka po ben?

  5. sunitet nuk bejne shtet,lloji i kafshes......... says:

    pune arabesh varu kkkkkkkkk………………….psh,vendbanimi i ndertuar [per termetin] do te kete emrin e turkut Baxhyt Bacoll!
    madje thuhet se lindjet ne vazhdim nder breza do te behen synet e citohen vec si ”baxhyta” kjo per nder te ”bamiresit” ……!

  6. vlora says:

    Z.Kikia:nqse me lexoni Amundet te investigoni dhe ta trajtoni{ju i keni mundesite si gazetar}Si ka mundesi qe ElvisNaci me roge imami te bleje spitalin KONTINENTAL Po ky shtet cfar ben? Mua me duket se budallenjte kane dhene leket dhe nuk dine ku vene Qofsha i gabuar

  7. Puna says:

    Lereni PUNEN te flase vete , ajo s’ka nevoje per reklame !

  8. Niku says:

    Ne fakt ruajtja e konfidencialitetit nuk eshte ne prizmin qe e shikon Kikia. Eshte mentalitet amerikan, ne kulturen amerikane privatesia eshte gje e madhe. Njerezit (ata normalet) nuk te thone per ke votojne apo c’halle kane, sa e kane rrogen etj. nderkohe qe ne Shqiperi I futin hundet ne punet e tjetrit. Ajo cfare po thote Donika eshte qe nuk do t’i thote njeriu qe ka ndihmuar X-in, apo qe X-it I eshte dashur dhe dhene ndihme. Njerezit nuk ndihen mire kur jane ne veshtiresi financiare, kur s’mund te ofrojne per familjen, kur jane me rroba te grisura e pa nje pjate gjelle per femijet ne shtepi, ju duket vetja te pavlere. Pikerisht per kete po thote Donika qe nuk do llape poshte e larte qe I ka dhene ndihme njerit e tjetrit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje