Kryeministri indian, Narendra Modi po zbaton karantinën më të madhe në botë, shkruan sot media ndërkombëtare.
”Modi ka kërkuar mbylljen e plotë të vendit, tamam si në një shtetrrethim, për 14 orë, për të frenuar përparimin e koronavirusit të ri në vendin e dytë më të populluar në planet”, shkruan gazeta italiane ”La Reppublica”.
Indianëve u është kërkuar t’i binden shtetrrethimit nga ora 07:00 deri në orën 21:00, ku shumica e lidhjeve hekurudhore janë pezulluar deri më 31 mars dhe disa shtete kanë mbyllur të gjitha shërbimet jothelbësore.
Kjo është një provë e përgjithshme për të provuar aftësinë e vendit për t’u përballur me një bllokim më të madh kombëtar.
Mijëra migrantë u mblodhën në stacionet kryesore të trenave për t’u kthyer në fshatrat e tyre, nga frika se mbyllja e pjesshme e vendit do t’i linte ata pa pagë për javë të tëra.
Rreziku tani, ashtu siç ka ndodhur edhe në Itali, është se përhapja e virusit shtrihet nga qytetet, ku ka mbetur i kufizuar deri tani, në provincat dhe fshatrat e vendit.
India ka rrjetin e katërt më të madh hekurudhor në botë, me mesatarisht mbi 20 milionë pasagjerë në ditë, pothuajse aq sa popullsia e Australisë.
Për të nxitur bashkatdhetarët e tij që të sakrifikojnë, Modi ka qenë shumë aktiv në Twitter që nga mëngjesi i sotëm duke u sqaruar atyre pse ishte e nevojshme të qëndronin në shtëpi.
“Masat që ne po ndërmarrim tani do të na ndihmojnë në kohët që do të vijnë. Qëndroni në shtëpi dhe qëndroni të sigurt”, thuhet në njërën nga tweet-et e tij me hashtag #jantacurfew.
Modi gjithashtu ftoi popullsinë të dilte sot në ballkone, tarraca dhe dritare, në orën 17:00 për të shprehur mirënjohjen për ata që janë duke punuar gjatë gjithë kohës që kombi të çlirohet nga Covid-19.
Mediet sociale janë ”përmbytur” me foto të vendeve të famshme në Indi, zakonisht plot me njerëz, të cilët sot shfaqen jashtëzakonisht të qetë dhe të shkretë.
Në Indi, ka mbi 320 raste të infektimit nga Covid-19.
Vendi ka mbyllur kufijtë e tij, ka pezulluar lëshimin e vizave dhe ka ndaluar të huajt që të hyjnë në territorin indian.