Zv.Ministri i Mbrojtjes: Ushtria në rast epidemish ka funksion kushtetues. Qeveria i mori masat në kohën dhe lartësinë e duhur

24 Mars 2020, 12:56Sociale TEMA

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka folur në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania në lidhje me masat që po ndërmerr qeveria shqiptare në luftimin e mëtejshëm të pandemisë botërore, që tashmë njihet si COVID-19.

Të ndodhur përballë rritjes së numrit të personave të infektuar në vend, zv.ministri  Koçi e la të hapur mundësinë e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, organ  ky që thirret nga Presidenti i Republikës. Ai shtoi se gjithçka që është në dorën e ligjit dhe të institucioneve duhet të angazhohet në sfidimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19.

“Po gjykoj se duhen angazhuar të gjitha mundësitë institucionale për të përballuar këtë situatë , e cila vjen për shkak të një armiku të padukshëm, i cili tashmë është shpallur si armik botëror. Besoj që është e udhës që gjithcka që është në dorë të institucioneve dhe të ligjit të angazhohet në përballimin e kësaj situate.

Deri tani, masat e qeverisë janë marrë në kohën e duhur, në lartësinë e duhur.  Besoj se është e qartë për të gjithë se nëse nuk do të ishin marrë këto masa, numri i të infektuarve dhe fatkeqësisht numri i atyre që kanë humbur jetën do ishte më i lartë”, tha ai.

Numri dy i ministrisë së Mbrojtjes iu përgjigj edhe kritikëve, të cilët nuk janë pajtuar  me dislokimin e ushtrisë në disa zona të vendit. Sipas Koçit, Forcat e Armatosura  janë angazhuar në këtë situatë brenda  kuadrit ligjor dhe nuk ka asnjë shkelje të pretenduar.

“Gjithkush që lexon Kushtetutën dhe ligjin, besoj e kupton se nuk ka asnjë lloj tejkelimi të ligjit në përdorimin e Forcave të Armatosura në rastin e kësaj pandemie. Ligji e parashikon qartazi këtë lloj situate.

Nuk mund të mungonte ushtria në përballimin e kësaj situatë, dhe prandaj ne kemi pothuajse anagazhuar të gjitha strukturat. Të trija forcat tona: forcat detare, tokësore dhe atë ajrore, si dhe Policinë Ushtarake e cila kryesisht është angazhuar në krah të policisë për të monitoruar rregullat e qarkullimit”, shtoi ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje