"Tani kemi shkelur frenat. Por në momentin që do heqim këmbën do përballemi sërish me virusin"

27 Mars 2020, 11:43Bota TEMA

Deri më tani, doktorët nuk kanë gjetur asnjë kurë të drejtpërdrejt ndaj koronavirusit.

Të gjithë pacientët e shtruar në spitale trajtohen me ilaçe që lehtësojnë gjendjen deri sa trupi t’i përgjigje virusit, por jo se kanë ndonjë medikament që sulmon direkt virusin.

Rrjedhimisht, zgjidhja është gjetur tek parandalimi, pra izolimi.

Këshilltari i lartë i Drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetit Dr. Bruce Aylward thotë që izolimi pa testimin masiv nuk do ta zgjidhë problemin, raporton Time.

Sipas tij, deri në gjetjen e vaksinës, zgjidhja është (1) zbulimi sa më parë dhe pas zbulimit (2) izolimi i rasteve të zbuluara.

Aylward thekson se zbulimi duhet bërë përmes kryerjes së testeve masive të popullsisë duke ndjekur shembullin gjenial të Koresë së Jugut.

Kjo e fundit aplikoi testimin masiv dhe jo rast pas rasti siç veprojnë sot shumë shtete, mes të cilëve Shqipëria.

Testimi masiv bën që të zbulohen shumë të prekur brenda një kohë të shkurtër duke marrë masa direkt ndaj tyre, si izolimi, vetë-izolimi dhe trajtimi në spital nëse do jetë nevoja.

Kjo liron të tjerët që të mund të vijojnë jetën normale me masat mbrojtëse.

Aktualisht, mjaft vende po aplikojnë kufizimin e lëvizjeve, por sipas Dr. Bruce Aylward kjo nuk do funksionojë pa testimin masiv sepse virusi do vazhdojë të jetë te njerëz të paekzaminuar ende ose mund të shpërthejë një moment tjetër.

Mundësia e shpërthimit të virusit në një moment të dytë nëse aplikohen vetëm kufizimet është konfirmuar edhe nga studiues të tjerë.

“Thjesht kufizimi i lëvizjeve të qytetarëve është si të shkelësh frenat dhe në momentin që ti heq këmbën nga frenat do të përballesh sërish me virusin”, u shpreh ai për Time.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje