Nga Hamdi Jupe (Për COVID 19)
Titulli i shkrimit tingëllon provokues, por prandaj është i tillë, që të nxisë debat. Dhjetë ditë më parë publikova një analizë rreth situatës së epidemisë së COVD 19 në Shqipëri me mendimin se, me gjithë gjendjen e rëndë, “ka dritë në fund të tunelit.” Përse tani kam “ndryshuar” mendim? Ta shikojmë.
Të dyshuarit dhe të sëmurët
Deri më sot (31 mars) sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë testuar 1671 persona të dyshuar dhe janë evidentuar 243 të sëmurë. Ky është një test shkencor, me analiza laboratorike. Kjo do të thotë se raporti i të dyshuarve me të sëmurët realë është mesatarisht një i sëmurë në 6,8 të testuar. Kështu, me diçka më shumë a më pak, pritet të vazhdojë ky raport edhe më tej.
Gjatë 20 ditëve kemi pasur mesatarisht 14 të sëmurë në ditë. Kjo tregon se, ashtu si edhe në dhjetë ditët e para, numri i tyre është rritur në progresion aritmetik, jo me progresion gjeometrik. Kurba e rritjes së numrit të të sëmurëve ka qenë si Korenë e Jugut dhe në Gjermani, jo si në Itali e në Spanjë. Kjo u ka dhënë mundësi institucioneve të administrojnë krizën në kushte normale, pa gjendje paniku. “… lajm i mirë është se nuk po shohim rritje shpërthyse të infektimeve” tha Ambasada e SHBA – në Tiranë. Edhe OSBE kështu deklaroi.
Struktura dhe infrastruktura
Struktura dhe infrastruktura e nevojshme kanë qenë në kushte optimale. Spitali infektiv i Tiranës, i caktuar për të pritur të sëmurët, tani është plot. Por ai ka filluar edhe të zbrazet dita – ditës prej atyre që i kanë lënë shëndenë sëmundjes. Janë tanimë 52 të shëruar, ose 4,5 herë më shumë se viktimat.
Shtrimet e të sëmurëve kanë kaluar në spitalin “Shefqet Ndroqi” (sanatoriumi), edhe ky i planifikuar për atë punë. Nuk ka çadra, pallate sporti dhe salla panairesh të përshtatura në panik e të mbushura me të sëmurë, siç po vëmë re në vende të tjera. Qeveria po bën përpjekje për të siguruar pajisje, ilaçe dhe mjete të tjera të nevojshme për personelin dhe të sëmurët.
Stafet mjekësore
Personeli mjek – infermier është i siguruar. Ata janë përgjithësisht të qetë në punën e tyre, të paktën aq sa shohim në daljet në media. Një kontigjent i mjekëve dhe infermierëve në pension tashmë janë përfshirë në këtë aksion. Në nje gjest të lartë solidariteti vëllazëror, 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë po punojnë tashmë në spitalet e Bergamos, mu në zemër të ferrit të epidemisë në Itali, për të ndihmuar në përballimin e situatës atje. Kjo është një “vlerë e shtuar” e kësaj situate, në raport me një vend mik të njohur, që na është gjendur pranë jo pak herë në të keq. Kemi gati një gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë atje dhe që marrin shërbim nga mjekët dhe infermirët italianë prej tridhjetë vjetësh.
Deri tani pra, gjendja e përgjithshme e luftës kundër sëmundjes, është optimiste. Po e tërheq kali “karrocën” para, nuk po e tërheq “karroca” kalin mbrapsh. Nuk ka skena dhe shifra alarmante si ato të Italisë apo Spanjës në spitalet tona.
Kokëfortësia e shifrave
Numri i vdekjeve nga COVID 19 deri tani tek ne është 13. Në çdo kohë ka të tilla, edhe kur nuk ka epidemi. Për këtë ka edhe evidenca zyrtare. Numri i vdekjeve “të zakonshme” në Shqipëri, sipas INSTAT, në tre vitet e fundit është aty te 22 000 vetë. Nëse i pjesëtojmë për 12 muaj këto, na del që ne kemi afërsisht 1 833
vdekje “të zakonshme” në muaj. Tani, për njëzetë ditë, na kanë vdekur 13 persona që thuhet se ikën nga COVID 19. Për një muaj kjo shifër mund të arrijë në rreth 20 humbje jete. Po ç’janë 20 vdekje, në raport me 1 833 që ndodhin zakonisht çdo muaj, nga mosha apo sëmundje të tjera? Janë vetëm 0,01 përqind e tyre. Edhe këta, shumica me sëmundje të tjera, deri te kanceri. U mbars mali e polli një mi. Ne kemi mesatarisht 20 viktima në muaj vetëm nga aksidentet automobilistike. Atëherë, a ia vlen e gjithë kjo sakrificë sublime që po bën shoqëria në emër të luftës kundër COVID 19?
Për një viktimë u tha se nuk vuante nga ndonjë sëmundje, përveç … diabetit. Mirëpo nga diabeti vdesin 3 milionë njerëz në vit në botë, ndërkohë që nga COVID kanë vdekur deri tani 38 mijë në të gjithë botën. Prandaj nuk duhet të mbytemi me një lugë ujë, nëse edhe tek ne vdes një njeri nga diabeti apo sëmundje tjetër kronike.
Të dhënat e INSTA-it për vdekjet nga sëmundjet kanceroze për vitet e shkuara tregojnë se kemi patur mesatarisht 323 të tillë në muaj. Vdekjet nga COVID – 19, në raport me ato të sëmudjeve të tjera të lartpërmenduara kancerogjene, janë vetëm 0,06 përqind. Në këto rrethana, humbjet njerëzore nga COVID 19 nuk duken aq alarmante, saqë të justifikojnë marrjen e masave kaq drastike në vend.
Epidemiologu shqiptar, Profesor Genc Sulçebe, thotë se shifrat e deritanishme tregojnë një vdekshmëri të zakonshme prej kësaj epidemie. “Kjo e çon vdekshmërinë e tij në kufijtë e gripit të zakonshëm” – thotë ai. Profesori vazhdon më tej: “Në bazë të parashikimit të ecurisë së mësipërme të epidemisë, duhen përcaktuar dhe masat e nevojshme për të rinisur gradualisht aktivitetin normal social, në mënyrë që të parandalohen efektet ekonomike që mund të jenë më të rënda se sa efektet e sëmundshmërisë nga epidemia. Duke patur parasysh se infeksioni nga COVID-19 është pothuaj i padëmshëm në moshat nën 50 vjeç, mund të planifikohet dhe rifillimi gradual i një aktiviteti normal nga këto mosha.” (“Panorama”, datë 30 mars). A po e dëgjon njeri profesorin e epidemiologjisë në këtë vend apo jo? Studimet më të fundit nga bota tregojnë se nga corona virus vdesin vetëm 0, 66 përqind e të infektuarve.
Ana tjetër e medaljes
Njëzetë ditë pas fillimit zyrtar të epidemisë, ka filluar të frikësojë më tepër situata ekonomike që vjen prej saj, sesa vetë sëmundja. Qeveria do të fillojë të paguajë rrogat e punonjësve që kanë mbetur pa punë. Pensionet e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë pensionistëve, po se po. Edhe Federata e Futbollit kërkon para nga qeveria. Deri kur ajo do të ketë mundësi të zbrazë “thesin” për rrogat dhe pensionet, ndërkohë që të gjithë qëndrojnë në shtëpi? Nga do të dalin këto para? Do t’i presë me gërshërë ajo ato? Ky eshte një problem shumë më i madh se virusi.
Po vëmë re se vlera e monedhës vendase Lek ka rënë në mënyrë drastike muajin e fundit. Më 31 mars, sipas Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit ishte 1 euro për 130,66 lekë, nga 122,74 lekë që ishte në fillim të marsit. Ka pra një shverësim të frikshëm të monedhës kombëtare me rreth 8 lekë (të reja) Kjo është një rënie katastrofike, e njëllojtë me atë të vitit 1997. Dhe kjo ndodh ende pa filluar qeveria të paguajë rrogat e punonjësve të mbetur pa punë.
Kjo vjen sepse nuk ka eksporte, nuk ka më valutë as nga turistët e huaj, as nga emigrantët shqiptarë, për arsye të mbylljes së kufijve. Deri kur do të vazhdojë kjo rënie në humnerë e monedhës vendase? Institucionet financiare ndërkombëtare u kanë dhënë leje qeverive ta “lëshojnë disi dorën” në këtë periudhë krize, por deri ku do të shkojë ky “lëshim dore”? Ne kështu mund të shpëtojmë prej COVID-it, por do ta pësojmë nga inflacioni dhe uria. Italia i ka kërkuar Europës një “Plan Marshall” për të marrë veten nga epidemia, përveç 25 miliardë Eurove që ka marrë deri tani. Po ne, kujt do t’i shtrijmë dorën për para?
“Ujku, ujku”, por çakalli po bën kërdinë
Një fshatar nga Fushë- Kruja i shkruante kryeministrit se po i ngordhin bletët për ushqim dhe ai nuk shkon dot t’i ushqejë, sepse nuk e lejon policia. Mund të duket si shaka. Por të tillë janë me mijëra bletërritës në vend. Si mundet të ndalohen ata të shkojnë te bletët në këtë kohë shërbimi për to? Pa bletë nuk ka jo vetëm mjalt, që është ilaçi më i mirë për njerëzit. Pa bletë nuk ka as fruta, as perime, nuk ka bujqësi, sepse nuk ka pllenim të luleve prej tyre. Po barinjtë që kanë me mijëra bagëti të imta e të trasha si do të veprojnë? Do t’i mbyllin në katua e të rrinë rehat në shtëpi, të shikojnë kryeministrin në televizor? Kjo nuk është zgjidhje.
Eshtë periudha e punëve në bujqësi, po Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit është mbyllur në vrimë të miut prej karantinës dhe nuk po ndihet gjëkundi. I ka lënë fermerët në pikë të hallit. Nga informacionet që kam nga fshati, fermerët e Konispolit nuk i lejon policia të shkojnë t’u shërbejnë mandarinave në këte periudhë që ato kërkojnë shumë punë. Mandarinat janë prodhimi kryesor i tyre, që mban të furnizuar për katër muaj tregun e vendit dhe eksportin me frutin aq të dëshiruar dhe të vlefshëm për shëndetin. Si mundet të pengohen ata të punojnë në fushë? Le të ndalohet dalja nga komuna, por jo të ndalohen të punojnë tokën e tyre.
Po fillon koha e mbjelljeve pranverore. Por fermerët janë të frikësuar nga kjo psikozë tmerri: “Kot që t’i mbjellim, se nuk do kemi ku t’i shesim.”- thotë. Kjo është pasojë e frikës së përgjithshme që ka pllakosur vendin. Kur të dalë nga “vrima” e karantinës Ministria e Bujqësisë, andej nga qershori, e ka marrë ferra uratën për prodhimin bujqësor për këtë vit. Po bëhem unë agronon, pa qenë i tillë, meqë nuk po ndihet ndonjë agronom në këtë vend.
Shkatërrimi i ekonomisë
Deri tani gjendja e ushqimeve bazë në dyqane ka qenë normale, por kush na siguraon se më tej do të vazhdojë e tillë? Dihet që miellin, makaronat, orizin, vajin, sheqerin, perimet dhe frutat e hershme i marrim nga jashtë. Nëqoftëse do të vazhdojë ky bllokim i përgjithshëm dhe i gjithçkaje në botë, atëherë nuk do të kemi më mundësi të marrim as makarona nga Italia, as miell nga Sërbia, as perime dhe fruta nga Greqia dhe Turqia etj. Prodhimi i vendit, është i bllokuar gjithashtu. Atëherë, çfarë do hamë? Na rroftë karantina! Prandaj do parë mirë puna e fshatit. Fshatarët duhet të lejohet të punojnë në fusha e në male. Ne nuk kemi asnjë të sëmurë nga fshati prej COVID –it deri tani. Ku do ta gjejnë qumshtin që na bien në dyqan “Lufra” dhe “Erzeni”, nëse fshatarët nuk lejohet të kullosin lopët në fushë? Në këto rrethana, analisti Nazarko propozon rifutjen e tollonit të kohës së Enveri, po unë nuk jam dakord me këtë.
Punonjësit e sektorit të ushqimeve dhe tregtisë punojnë rregullisht, sepse mbajnë popullin me bukë. Ata janë më të ekspozuar se kushdo tjetër. Përse këta punojnë, a nuk janë edhe ata njerëz, a nuk janë edhe ata bij e bija nënash, a nuk rrezikohen edhe ata nga dalja në punë? Duhet parë kjo, që të lejohen të punojnë edhe sektorë të tjerë. Le të mbyllen pleqtë në bodrume, (bashkë me ta, edhe unë), le të kyçen fëmijët në shtëpi, por nuk ka pse të bllokohet gjithë bisnesi. Nuk mund të djegim jorganin, pse nëpër të po bën “fërrr-fërr” një plesht.
Ndërkohë që bërtasim “ujku, ujku!”(COVID-19) çakalli po bën kërdinë nga ana tjetër. E gjithë vëmendja e shtetit dhe e institucioneve mjekësorore, të gjitha burimet njerëzore, financiare, materiale etj, po shkojnë për gripin (se grip është ky, dreqi ta hajë, nuk është gjë tjetër) Ndërkohë, janë lënë mënjanë me qindra shërbime të tjera shëndetësore që funksionojnë në kohë normale, por nuk funksionojnë më sot. Si mundet të ndodhë kjo? Prej kësaj mund të kemi dhjetë herë më shumë vdekje.
“Asgjë tjetër, veçse një hije”
Në botë kanë filluar të ngrihen zera kundër kësaj “epidemie psikologjike” rreth sëmundjes dhe pasojave afatgjata shkatërrimtare që do të ketë ajo, nëse do të vazhdohet kështu. Sillen edhe vlerësime të njerëzve të shquar për këtë. Ja vlerësimi i Profesor Doktor Sucharit Bhakdi, ekspert i mikrobiologjisë në Gjermani:
“Masat anti-COVID-19 të qeverisë janë groteske, absurde dhe shumë të rrezikshme. Jetëgjatësia e miliona njerëzve po shkurtohet. Ndikimi i tmerrshëm në ekonominë botërore kërcënon ekzistencën e njerëzve të panumërt. Pasojat në kujdesin mjekësor janë të thella. Tashmë shërbimet për pacientët në nevojë janë zvogëluar, operacionet janë anuluar, personeli spitalor po zvogëlohet. E gjithë kjo do të ndikojë thellësisht në tërë shoqërinë tonë. Të gjitha këto masa po çojnë drejt vetëshkatërrimit dhe vetëvrasjeve kolektive të bazuara në asgjë tjetër, veçse një hijeje.” (globalresearch.ca) Profesori i shkruan letër të hapur kancelares Merkel për këtë: “Si ish profesor i universitetit të Johanes Gutenberg në Mainc dhe shumë vite shef i Institutit te atjeshëm për Mikrobiologji Mjekësore dhe Higjienë, ndjehem i detyruar te diskutoj ne menyre kritike per kufizimet shume te zgjeruara qe ne kemi vendosur ne jetën publike, për të reduktuar përhapjen e virusit COVID 19.”
Por nuk është vetëm ai zëri kritik ndaj masave drastike të kufizimeve në botë. Në SHBA guvernatori i Nju Jorkut nuk e pranoi vendosjen e karantinës nga presidenti Tramp. “Do të ishte sikur të na shpallej një luftë federale – tha ai.- Thjesht do të panikonte popullatën dhe kjo është e kundërta e asaj që duam.” Ja edhe deklarata e ish – kryeministrit Italian Mateo Renci: “Nëse rrimë të mbyllur, njerëzit do të vdesin për bukë. Ka një rrugë të vetme: të bashkëjetojmë me virusin” – tha ai. Profesori izraelit, Michael Levit, fitues i çmimit “Nobël”, i cili parashikoi ecurinë dhe mbylljen e epidesë në Kinë me anë të llogaritjeve matematikore, thotë: “Italia dhe Nju Jorku janë tashmë drejt “shërimit”. Në Suedi vazhdon puna dhe mësimi në shkolla. Në Bjellorusi vazhdon kampionati i futbollit. Në Kinë po rifillon puna pas epidemisë. Përfundimi: në punë, në punë, të gjithë në punë, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Shume sakt
Shum saket, duhet ti kthehemi punes çfar eshte kjo marsi te vdesesh duke u vete karantinuar nje absurditet i pa degjuar ndonjeher.
Shyqyr qe me ne fund kane filluar te ngrihen zera te aresyeshem kunder perhapjes krejt te paaresyeshme te nje alarmi te rreme. Keshtu eshte kur qeveritaret flasin me gjuhen e krimineleve nderkombetare, qe ndjekin qellimet te erreta, kur mediat skllave te sistemit te korrupsionit amplifikojne ne stratosfere pallavrat e qeverive, dhe kur mjeke sharlatane i bashkohen qeverise dhe medias. Ka kohe qe shkencetare te famshem nga shume vende te botes, NJEREZ QE JANE TE PAVARUR NGA SISTEMI, dhe qe JANE NJEREZ QE NUK SHITEN, prononcohen publikisht kunder marrezise se karantines prej nje RREZIKU TE PAQENE, por zerat e tyre mbyten nga sistemi. Mileti, qe i ka hyre frika ne palce nga gjithe kjo propagande e poshter e panikut, te hidhet ne fyt po e kundershtove rrymen.
Analizē e saktē shkencëisht nga ana mjekësore dhe social ekonomike.
Por, duhet ta dërgoni te Qeveriut, se populli tashmē e ka shumē tē qartē, situatën! Qeveritaruci, nuk i lexon kēto se ēshtē marrosur nga deliri i madhēshtisē.