Teoritë konspirative, si mohim i realitetit

16 Prill 2020, 15:12Blog TEMA

Nga Artur Ajazi 

Teoritë konspirative, shpesh janë përdorur për të mohuar realitetin, për ta ndryshuar apo keqpërdorur atë për interesa dhe synime të veçanta. Shkencërisht, termi “teori konspirative” është një grupim argumentash, përmes të cilave sugjerohen fakte dhe motive, përtej asaj që konsiderohet nje ngjarje e thjeshte historike apo natyrore.

Në botën moderne, “teoria konspirative” është transformuar në lidhje të fuqishme me personat që kanë gjykime dhe arsyetime përtej normales, aq sa kur përmendet argumenti bindës, ai konsiderohet si një përpjekje “qesharake”.

Dhe më konkretisht. Qysh nga dita e parë e publikimit të përhapjes së COVID-19 (coronavirusit) në Kinë, dhe pastaj përhapja e tij në botë paçka me përmasa ekzagjerisht të mëdha, nuk kanë munguar edhe teoritë e shumta konspirative.

Pre e tyre kanë rënë njerëz të shtresave të ndryshme të shoqërisë, duke nisur nga mjekët e avokatët, dhe duke përfunduar tek shkencëtarët dhe kërkuesit shkencorë.

Të gjithë kanë shfaqur dhe besuar teoritë e tyre konspirative, derisa shkenca, akoma nuk e ka thënë përfundimisht fjalën e saj. Edhe puna intensive për krijimin e vaksinës ndaj COVID-19, është përcaktuar nga mosbesuesit tek “teoria konspirative” sipas të cilës “vaksina është gati” ose “vaksina nuk do të jetë gati deri në vitin 2022”. Disa prej teorive konspirative që ngrihen, padyshim janë fallco, por natyrshëm lind pyetja, cili është mekanizmi që të çon në ngritjen e tyre, përse ka shumë njerës që i besojnë ?

Kjo ka bërë që teoritë konspirative, të transformohen në objekt pune për sociologët, psikologët, etj. Por le të ndalojmë në Shqipëri, pasi edhe këtu ka mjaft syresh që u besojnë teorive konspirative, sipas të cilave “COVID-19 është një sajesë, është një krijim njerësor, është një formë e zaptimit të pushtetit, për të mbajtur dhe manipuluar popujt”.

E ndërsa në Kinën e largët, COVID-19, ka shkaktuar mjaft viktime dhe të infektuar, në Europë situata mbetet e nderë. Në Shqipëri , falë masave urgjente dhe ekstreme nga qeveria dhe kryeministri Rama, duhet thënë se ky virus, ka mundur të ndalë “vërshimin” e tij, dhe popullata të mbetet e ndërgjegjësuar për rrezikun.

Por pavarsisht masave, shtërngimit të tyre, dhe planveprimit të qeverisë për mbështetjen e shëndetsisë dhe sektorëve të prekur të ekonomisë, duket se edhe tek ne “teoritë konspirative” kanë patur efektin e tyre. mjaft emra të njohur nga fusha të ndryshme, kanë kundërshtuar kryeministrin, e kanë akuzuar atë se “përmes masave të rrepta po kërkon të rrisë pushtetin e tij mbi popullin”, pasi9 sipas tyre “COVID-19, nuk është gjë tjetër veçse shpikje dhe sajesë diktatorësh”.

Teori të tilla, që nuk kanë munguar të serviren edhe në sallën e Parlamentit, duke u bazuar në “teoritë konspirative” që qarkullojnë lart e poshtë, padyshim tentojnë të ndjellin trazira sociale, të egërsojnë pakicën e pandërgjegjësuar, dhe të mohojnë realitetin. Sipas tyre “COVID-19, është grip i veçantë, dhe nuk duhen shkelur të drejtat e njeriut”. Një tjetër idiotësi që kërkon manipulimin e pakicës dhe realitetit, por që po humbet bashkë me zërin e çjerrë të korbave, që burimin e kanë nga selitë e partive politike.

Por më dramatike, është fakti kur dëgjon se si “teoritë konspirative”, të kësaj situate besohen edhe nga profesionistë të fushës së mjeksisë, që natyrisht nuk janë në “vijën e zjarrit” duke u përballur me virusin e tmerrshëm, por pranë vilave të tyre të mobiluara me pajisje të florinta. Ata le ti besojnë “teorive konspirative” kurse populli ka zgjedhur ti besojë profesionistëve që besojnë tek shkenca reale, tek të cilët ka varur shpresën e madhe për jetën.

1 komente në “Teoritë konspirative, si mohim i realitetit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje