Nga Prof. Asoc. Dr. Arben Ndreu, Shef i Reanimacionit në Spitalin Infektiv
Është fjala për shërbimin e Anestezi Reanimacionit. I organizuar në njësi të vogla si në ambiente ashtu edhe në personel, ky shërbim nuk bie shumë në sy.Dhe fakti, që ai duhet pikërisht atëhere kur jeta e pacientit është në „teh të briskut“ e pozicionon këtë shërbim atje ku shanset për të shpëtuar kanë probabilitet jo të lartë. Veçse, kur pacienti vjen tek shërbimi i anestezi reaminacionit, e gjithë vemëndja përqëndrohet tek puna e specialistëve të këtij shërbimi. E, kur pacienti e kalon me sukses „kalvarin“ në këtë shërbim, të gjithë e dinë se shanset për t’u shëruar rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe, se punonjësit e këtij shërbimi kanë bërë një punë të mrekullueshme, madje dhe heroike, për t’ja rrëmbyer jetën vdekjes.
Kështu po ndodh edhe këto ditë. Të sëmurët me COVID 19, në fazën më të rëndë të sëmundjes duhet të kalojnë në terapi intensive dhe, më tej, në intubim. Aty, ata vendosen nën kujdesin dhe nën trajtimin e anestezistëve dhe reanimatorëve. Është e dhimbshme, kur pacientët, edhe pse marrin gjithë shërbimin e duhur, përsëri nuk i shpëtojnë vdekjes por, është gëzim shumë i madh për të gjithë, kur këta pacientë pas trajtimit nga ky shërbim, dalin të shëruar. Natyrisht është e vështirë për ata, që nuk e dinë çfarë pune dhe sakrifice bëhet në këtë fazë për t’a shpëtuar jetën e pacientit, ta kuptojnë në gjithë rëndësinë e vet mrekullinë që ka ndodhur. Nga ajo çfarë dëgjohet e shkruhet, publiku i gjerë sot është i bindur që i gjithë personeli mjekësor që lufton me COVID 19, janë heronj.
Respekti dhe mirënjohja për mjekët e kanë shtrirë pushtetin e tyre edhe tek ata më skeptikët. Me siguri që këto konsiderata e ky vlerësim janë një mbështetje e fortë inkurajuese për këta specialistë, për t’a vazhduar më me përkushtim, më me profesionalizëm e më me guxim luftën e tyre me COVID 19. Në repartin e reanimacionit të spitalit infektiv puna e mjekëve të rinj është vërtet impresionuese. Po kështu, çmohet pa masë edhe profesionalizmi, përkushtimi dhe sakrifica e infermiereve të talentuara. Të gjithë ndjehen solidarë në angazhimin e tyre. Dhe, duhet ta themi, që rezultatet nuk na kanë munguar.
Pikërisht arritja e këtyre rezultateve na bën që ta gjykojmë dhe vlersojmë edhe rrugën nga kemi ardhur e, atë që na pret në të ardhmen. Ky gjykim duhet të shtrihet jo thjesht në këto ditë, por në gjithë kohën e këtij shërbimi. Jemi këtu sot, pikërisht në sajë të asaj pune dhe atij kontributi që reanimatorët dhe anastezistët e talentuar të këtij shërbimi kanë dhënë në vite.
Në përvojën dhe angazhimin tim prej më shumë se 20 vitesh, unë kam patur pranë jo thjesht me këshilla por me një aktivitet të spikatur e përvojë të vyer, shefin e Shërbimit Kombëtar të Anestezi Reanimacionit Prof. Dr. Ilir Ohri. Për më shumë se 30 vjet në krye të këtij shërbimi, prof Ohri e ka ngritur atë në lartësinë e plotësimit të kërkesave në nivel bashkëkohor. Pikërisht ky shërbim, në bashkëpunim edhe me Shërbimin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive ka përballuar epidemi të tilla si ai i kolerës në vitin 1994, poliomielitit në vitin 1996, SARS në vitin 2003, pandeminë e gripit Avian të derrit në vitin 2009 e se fundi betejën e këtyre ditëve me COVID 19.
Përvoja e grumbulluar në këto beteja ka shërbyer, shërben e do të shërbejë edhe në të ardhmen si referencë për profesionalizëm, guxim, sakrificë e përkushtim. Në gjurmët e kësaj përvoje gjenden vlerat e një ekpi të tërë themeluesish ku përmendim T. Shehun , S Marën, R Xhaxhon, A Finon , M Kercin etj. Nuk mund të rrimë pa përmendur edhe ata, që në emër të sakrificës për profesionin dhanë jetën e tyre si Zana Flloqi e Sander Baloj etj apo dhe ato, që vdekja natyrale i ndau nga jeta. Rezultatet e punës së tyre ndër vite, janë në këto ditë krejt të prekshme. Sukseset që të gjithë ne, ish nxënës e kolegë të tyre arrijmë sot, janë certefikatë e merituar mirënjohje për to.
Por, ajo që po ndodh këto ditë dhe, për të cilën, puna e përkushtimi i personelit mjekësor ka vlersim e mirënjohje të gjerë, duhet të vazhdojë me mbështeje si në personel ashtu edhe në infrastrukturë e teknologji, në mënyrë që sfidat e reja, të cilat asnjëherë nuk përjashtohen, të na gjejnë më të përgaditur. Kështu, edhe pse harxhojmë në vlera financiare, kursejmë në jetë njerzore.
Për mjekësinë në përgjithësi e, në këtë rast, për shërbimin e Anestezi Reanimacionit në veçanti, natyrisht që do të ketë ditë me vemëndje më të madhe siç janë këto ditët e pandemisë së COVID 19, por duhet të ketë gjithmonë kohë me përkujdesje të vazhduar. Se, nuk mund të ketë heronj të ditës dhe… harresë të kohës.