Argumentët shkencorë: A do të qëndrojmë të izoluar deri në fund të qershorit?

21 Prill 2020, 19:10Sociale TEMA

Kryeministri dha dje lajmin pesimist se gjendja e jashtëzakonshme duhet shtyrë deri në fund të qershorit, ndërsa komisioni i ligjeve miratoi sot kërkesën e qeverisë për zgjatjen me dy muaj të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pra deri më 23 qershor.

Pra fare pak ditë përpara se të vinte fundi i gjendjes së emergjencës në 25 prill, kur duket sikur vatrat e infeksionit janë shuar dhe kur kurba e të sëmurëve dhe atyre që humbasin jetën është në rënie, popullsia do duhet të përgatitet për një tjetër sakrificë dymujore. Ajo bëhet edhe më e rëndë pas një periudhe të gjatë izolimi dhe kur ditët e bukura me diell dhe koha e mirë po trokasin.

Por a është e ekzagjeruar masa e fundit për zgjatjen e gjendjes së emergjencës, që pritet të votohet nga parlamenti?

Përgjigjja është e prerë “JO”.

Sepse për të ndaluar përhapjen e Covid-19 ka vetëm dy mënyra. Ose zbulimi i vaksinës, ose infektimi i një mase të madhe të popullsisë nga 60 deri në 80%, që krijon atë që njihet si imuniteti i grupit dhe që nuk e lejon më shpërndarjen e virusit.

Por në gjendjen ku jemi, asnjë nga këto kushte nuk është realizuar. Vaksina do të dojë së paku edhe një vit e gjysëm që të jetë funksionale. Ndërsa për arritjen e imunitetit të masës ndodhemi ende larg. OBSH njoftoi në fillim të javës se vetëm 2- 3% e banorëve të globit janë bërë imunë ndaj infeksionit. Ndërsa një studim francez i institutit Pasteur i çonte shifrat e të prekurve në këtë vend 5- 7%.

Falë masave izoluese të aplikuara kudo, vërtet është mbërritur në ndalimin e përhapjes (pra në rastet kur një i sëmurë infekton së paku edhe një person tjetër nga 3- 4 që mund të infektonte në gjende të lirë) por kjo politikë ka bërë që të mos arrihet imuniteti i grupit. Nëse këto masa lirohen dhe kthehemi në gjendjen e mëparshme, risku i mbipopullimit të spitaleve dhe i mungesës së shtretërve në reanimacion, bëhet po aq i fortë sa përpara izolimit.

Pikërisht për këtë, Instituti gjerman Robert Koch (RKI), i bëri thirrje popullsisë së këtij vendi, që do të fillojë hapjen në 4 maj, se “situata është ende serioze. Nuk ka fund të epidemisë në sfond, virusi nuk është zhdukur, numri i rasteve mund të rritet përsëri. Qëndroni në shtëpi, mbani distancën- të paktën 1.5 metra. Zbatoni rregullat për kollën dhe teshtimën dhe mbani maska që mbulojnë gojën dhe hundën në hapësira publike”.

Pikërishtë për këtë edhe qeveria shqiptare, duke njohur gjendjen e spitaleve tona dhe të mjeteve në dispozicion, ka kërkuar nga parlamenti zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri në fund të qershorit. Pra, duhet të vazhdojmë të mësohemi t’i qëndrojmë larg njëri tjetrit dhe të kërkojmë leje në e- Albania, nëse duam të bëjmë një ditë plazh.(Lapsi.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje