Nga Lutfi Dervishi
Është një maksimë që duket se nuk vlen për kohë krizash si kjo që po kalojmë.
Thuhet se nuk ka pyetje të këqija. Mund të mos ketë pyetje të këqija, por pyetje të tmerrshme po dëgjojmë çdo ditë/natë.
Disa syresh i dëgjojmë aq shpesh sa ke nevojë për një oki të mbledhësh mendjen, disa janë aq pa kuptim sa kur i sheh/dëgjon të duhen më shumë se dy duar- një për t’i rënë ballit, një për të mbajtur mjekrën që të mos bie në tokuë, dy për të mbyllur sytë dhe dy të tjera për të zënë veshët. (Duhej edhe një për të mbajtur gojën, por me rregullat e reja dora nuk ka punë më para gojës dhe hundës)
Pyetja që është në mendjen e gjithësecilit, por nuk ka pse bëhet çdo natë:
Kur do të mbarojë kjo?
Kjo pyetje bëhet në kontekstin e ditës/javëve/stinës. Nëse dikush (politikan, mjek, shkencëtar, apo kushdo qoftë) do të kishte përgjigje për këtë pyetje nuk do të priste orën për të dalë në televizion, por do ta kumtonte në twitter, në instastory, në facebook, snapchat, what’sapp-kudo të mundej. Nuk do të priste asnjë emision, por do të thërriste 1000 gazetarë dhe do të kumtonte lajmin e shekullit, pa pritur ta pyesë njeri.
Nuk ka pikë kuptimi të bëhet më kjo pyetje përgjigjen e sëcilës nuk e ka askush. Eshtë jo vetëm bjerrje kohë, por edhe ushtrim që të cingërrit nervat. Ka më shumë kupltim pyetja: Kur nisi kjo?
Kur do të shpiket vaksina?
Që nga janari deri më sot janë dhënë përgjigje nga ekspertë të shumtë, madje edhe nga ata që merren posaçërisht me këtë punë. Koha e vaksinës është nga çështje e rralla që ekspertët janë në një mendje. Në rastin më të mirë: 12-18 muaj. E sërish nuk ka natë që nuk e dëgjon këtë pyetje. Në fakt më shumë kuptim po të pyesësh të ftuarin: çfarë dite është sot?
Sa është dëmtuar ekonomia/ekonomia botërore?
Këtu është radha për përgjigje e ekonomistëve që i ngjajnë marinarit që në mungesë të dylbive vë dorën në ballë për të parë bregun.
Jo të gjithë kanë rënë në këtë kurth, por e folura qesim nuk mungon. Përgjigja nis te qindra milionë euro, kalon pastaj miliardin dhe këtu fantazinë nuk e ndalon as tavani i shtëpisë që ke mbi kokë kur i përgjigjesh kësaj pyetje përmes skype.
Edhe vetë institucionet ndërkombëtare FMN, Bankë Botërore ndryshojnë parashikimet në varësi të zhvillimeve në terren dhe trendeve botërore. Ka më shumë kuptim pyetja: A kemi qenë më mirë vjet?
Kur do të marrë veten ekonomia?
Kjo përgjigje është e lidhur me pyetjen 1, 2, 3. Por sërish bëhet edhe nga gazetarë të ekonomisë. Nëse gjendesh bosh dhe nuk ke pyetje të tjera për të bërë më mirë pyete të ftuarin: sa është ora?
Si jeni?
Kjo është pyetja që të paktën të bën të vësh buzën në gaz. I është bërë këto ditë shumë njerëzve. Përgjigja ka qenë e njëjtë: – mirë, faleminderit. Më mirë pyete: Kohë me shi sot apo jo?
Po cilat janë pyetjet e mira? Përgjigja është e gjatë dhe askush nuk ka kohë të lexojë gjatë këto ditë, por pyetje të mira pa dyshim janë pyetjet e bazuara mbi fakte, kërkime hetime.
Pyetje të këqija janë pyetjet klishe, pyetjet retorike, pyetjet parazite, pyetjet ku intervistuesi shuan kuriozitetin live dhe mëson po live bashkë me dëgjuesit/shikuesit. Aha kështu qenka kjo. Nuk e dija.