Një vajtin shpëtimtar për pranverën

26 Prill 2020, 13:05Kulturë TEMA

Nga Petrit Ruka 

Këtë mynxyrë të gjatë që na ka zënë të gjithëve, ne dhe tërë botën mbarë, janë munduar kaq e kaq profesorë ta shpjegojnë, psikologë, filozofë, gazetarë, estetë nëpër ekranet dhe gazeta e prapë sikur nuk ngopesh dot kur i lexon për t’u ndjerë i çliruar si pas çdo dhembjeje të rëndë.

Dhe vetëm poetët, ashtu si vajtojcat e lashta dikur, mund ta shkarkojnë tërë këtë dhembje për ta shplarë sado pak shpirtin.

Me një të tillë u ndesha këto ditë duke lexuar në facebook poezinë “Pranverë 2020”, të poetit Arben Bllaci, ku kujet e gjëmës së kësaj stine vijnë si një terapi shpëtuese, duke ta pastruar për një çast tërë zemrën

Poezia e bukur dhe e rëndë ka qenë e do të jetë gjithmonë një shpëtim shpirti dhe të tillat, si kjo që lexova, janë kura janë. Duket si një vajtim i madh shpëtimtar i mbledhur në fuqinë e fjalës së bukur shqipe e megjithatë i thua vetes: “fola, qava dhe shpëtova.”

Arben Bllaci

PRANVERË 2020

Kambanat bien çuditshëm, as për ngjallje, as për mort,

Krishti la shpellën, po s’u gëzua, nuk e priti askush.

Psalmet, kòret katedralesh – teshtima, kollë e fortë,

Vezët e përgjakura – gëlbaza shpendësh me virus.

 

Të lënguarit, dy herë të lënguar, dy herë të tretur –

Kuko të shkretë që shfryjnë në grahma “ku – ku?”

Të vdekurit përcjellin veten dy herë të vdekur;

Gjetkë varret, gjetkë dhimbja, lotët gjithashtu.

 

Korijet u veshën fshehura si kurva plot sqimë

Të mbulojnë kafshimet, vurratat dimrit të orgjive.

Qiejve zogjtë – cingër e zezë, ngricë, brymë,

Deteve cërkat – cifla xhami ngulur në dritë të syvve.

 

Në mitër, në të nëntin çarë shakulli me puthje

Pa mbërritur dot buzët, na la në çmeritje të marri.

Fetusin pa fat s’e lind dot as lot e as lutje;

E qajmë larg e larg, një te djepi bosh, një te varri…

prill 2020

2 komente në “Një vajtin shpëtimtar për pranverën”

  1. PANO HALLKO says:

    Vetëpërcjellja e të vdekurit, një BEDUVA që vjen nga shekujt.
    E kushedi se ku është nisur, e kushedi se ku “dëshiron” të shkojë kjo BEDUVA.
    Njerëzimit, e vetmja gjë që i ka mbetur, të “kundrojë” Dramën e vetes.
    Përgëzime Poetit!

  2. Beksi. says:

    Nuk shoh këtu ndonjë tingull shpëtimtar, përveç se ca fjalëve të ngatruara që flasin me vete. Një poezi e vakët që do të duket se çoç do të thotë por nuk thotë gjë. Ka një shprehje që i shkon shumë për shtat një situate të tillë:”Pse nuk pordhe, por (shruajte)fole.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje