Milionat e UEFA-s, Partizani shpërthen kundër FSHF-së: Investime vetëm për provincat

30 Prill 2020, 13:38Sport TEMA

Ndërtimi i stadiumit të Kukësit dhe ko mpleksi i ri i Partizanit janë dy nga veprat e hapura në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për dy investime të ndryshme, pasi ndërtimi i shtëpisë së Partizanit është një investim i gjithi privat, ndërsa ai i Kukësit një bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe FSHF-së.

Partizani, një klub me histori shumë herë më të madhe se Kukësi dhe me mbështetje tifozësh në mbarë vendin, është konsideruar si i “njerkës” nga FSHF, sa u përket investimeve në infrastrukturë. Ndonëse janë të anashkaluar prej kohësh, ajo që i ka “acaruar” më shumë të kuqtë në këto momente të vështira, është vendimi i federatës, që 3.2 milionë euro, nga 4.3 milionë që dha UEFA si ndihmë për FSHF-në përmes projektit “HatTrick”, do të shkojnë për ndërtimin e stadiumit të Kukësit. Partizani nuk përfiton asgjë, edhe pse ka një kantier të hapur.

Sa i përket këtij vendimi të fundit të FSHF-së, “Panorama Sport” kontaktoi me klubin e kuq për të marrë një mendim në lidhje me mënyrën se si federata po e trajton fondin e fundit të akorduar nga UEFA. Pyetjes se a është normale që Kukësi përfiton 3.2 milionë euro për ndërtimin e stadiumit dhe Partizani nuk përmendet fare, sekretari i përgjithshëm i klubit kryeqytetas, Gerald Burba, për “Panorama Sport” u përgjigj:

“A është normale që të akordohen kaq shume fonde për një stadium në Kukës dhe të mos jepet asnjë lek për një klub që ka bërë historinë e futbollit shqiptar, patjetër që nuk është. Ose a është normale që disa klube, kryesisht provincash, që historinë e tyre e kanë bërë vetëm këto 5-10 vitet e fundit, të trajtohen në mënyrë preferenciale dhe ato që kanë histori, traditë e tifozë më të shumtë në vend, jo vetëm të mos ndihmohen, por dhe shpesh të rëndohen përmes formave të ndryshme, sigurisht që nuk është normale”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje