Safet Gjici: O zotëri, ke Partizani janë xhelozë. Ne kemi bërë historinë

1 Maj 2020, 11:07Sport TEMA

Safet Gjici në kundërsulm. Një ditë pasi klubi i Partizanit bëri një reagim të ashpër kundër FSHF-së lidhur me fondin e UEFA-s prej 4.3 milionë eurosh, nga ku 3.25 milionë euro do të kalojnë për ndërtimin e stadiumit të Kukësit, vjen tashmë edhe përgjigjja e presidentit të verilindorëve.

Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, Gjici i ka kujtuar klubit të kuq se skuadra e tij ka bërë historinë në dekadën e fundit, ndërsa Partizani ka 10 vite në hijen e fikut. Kryetrari i Bashkisë së Kukësit sqaron edhe investimin në stadium, ndërsa thekson se klubi i tij e ka merituar atë që ai ka qejf ta cilësojë si shtëpi të vogël. Gjici flet edhe për situatën aktuale, teksa pranon se në rast mosvazhdimi të kampionatit, nuk i prishet ndonjë pune e madhe.

Zoti Gjici, fondi prej 4.3 milionë eurosh i dhënë nga UEFA dhe fakti që pjesën dërrmuese të tij FSHF do ta përdorë për investimin në stadiumin e Kukësit, ka provokuar në një reagim të fortë të klubit të Partizanit. Cili është komenti juaj?

Zotërisë që na tregon provincat (i referohet sekretarit të përgjithshëm të Partizanit, Gerald Burba), së pari i them që Kukësi ka një histori që në këto 10 vitet e fundit Partizani nuk e ka bërë dot. Në dekadën e fundit Partizani ka qenë në hijen e fikut…

Çfarë doni të thoni me këtë?

Me këtë histori që ka bërë Kukësi deri më tani në futboll, mendoj se e meritonte një shtëpi të vogël, siç është edhe stadiumi që po ndërtohet. Nuk është një shtëpi e madhe ajo që po bëhet. Në këto vite që unë drejtoj klubin, kemi marrë titullin kampion, Kupa dhe Superkupa. Gjithashtu, jemi skuadra që u kemi treguar klubeve shqiptare se si kalohen turet në Europë. Që prej 2013-ës, çdo vit kemi marrë pjesë në Ligën e Europës dhe Champions, duke qenë një klub që nuk kemi asnjë damkë nga UEFA apo çdo kush tjetër institucion futbolli. Ne kemi bërë historinë tonë në futboll dhe te Partizani s’kanë pse bëhen xhelozë për Kukësin.

OK, por përfaqësuesi i Partizanit i mëshon më tepër faktit që ky fond është shpërndarë në mënyrë preferenciale nga FSHF, duke lënë kështu jashtë klube me emër dhe histori më të madhe…

O zotëri, ky është një investim që e bën qeveria shqiptare në bashkëpunim me FSHF-në. Partizani t’i kërkojë fondet e investimeve nga UEFA, nuk ia ka fajin Kukësi në këtë mes. Mund të thonë çfarë të duan dhe të shpikin gjëra, por e vërteta është që FSHF ka bërë një marrëveshje me qeverinë për të na dhënë një dorë në ndërtimin e stadiumit të ri në Kukës. Nuk ka çështje preferencash këtu. U bëmë dy vite që jemi një ekip që luajmë në fushat e të tjerëve, kështu që meritojmë edhe ne një stadium. Partizani të shikojë punën e vet, sepse në gjithë këto vite mezi mori një kampionat sezonin e kaluar.

S’kanë pse bëhen xhelozë për ne. Edhe unë nuk bëhem aspak xhelozë për punët e atyre. Më bën përshtypje kjo, sepse gjithmonë Partizani ka ecur me këtë lloj modeli, prandaj dhe nuk janë klub profesionistësh. Janë një klub që merren me të tjerët, jo me gjërat thelbësore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje