Historia e panjohur e “Princit të fjalës artistike”: Prokopin e vranë shpirtërisht kur e nxorrën në pension në kulmin e karrierës dhe në varrim s’erdhi asnjë nga shteti

4 Maj 2020, 17:57Politika TEMA
Historia e panjohur e “Princit të fjalës artistike”:

Memorie.al publikon historinë e panjohur të aktorit të madh të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Prokop Mima, të cilën në periudhën e Monarkisë së Zogut familja e kishte dërguar që të studjonte për Farmaci, në Padova të Italisë, por pas tre vitesh studimi, ai u detyrua që të kthehej në atdhe, pa marrë dot diplomën, pasi ishte dhënë pas filmave, muzikës, dëfrimeve dhe kitarës, nën shoqërinë e miqve dhe familjes së aktores dhe këngëtares shqiptaro-amerikane me famë botërore, Eleni Qirici, me origjinë nga Korça. Dëshmitë e rralla të bashkëshortes së tij, Eleni Karalliu Mima, vëllait, Miltos, kunatit, Robert Zhvarc, poetit Koçi Petriti, si dhe regjisorit e aktorit të madh të kinematografisë shqiptare, të ndierit Rikard Ljarja, etj., për “Princin e fjalës artistike”, duke filluar nga periudha e Luftës në Radio-Tirana ku ai realizonte emisionin “Ora gazmore” me të madhin Pjetër Gjergji, arrestimi nga komunistët në nëntorin e ‘44-ës së bashku me shokun e tij të ngushtë, Sandër Prosi, të akuzuar si pjestarë të Rinisë së Ballit Kombëtar, lirimi nga burgu dhe rikthimi në Radio-Tirana ku me dy partnerët e tij, Besim Levonja dhe Behije Çela, vazhduan “Ora gazmore”, karriera e gjatë në teatër dhe kinematografi, incidenti në Kosovë që do t’i kushtonte jo pak, pasi propozoi të ngrinte dolli për Nexhmije Pagarushën, dhe nxjerrja në pension në vitin 1976, në kulmin e karrierës së tij, nga ku u vra rëndë shpirtërisht dhe u mbyll brenda vetes e shtëpisë së tij, duke u kujdesuar për lulet, deri sa ndërroi jetë në 1986-ën, pasi Manush Myftiu “nuk mundi” që ta nxirrte dot jashtë për kurim…?!  

Nga Dashnor Kaloçi

Pasi lë mbrapa sheshin “Avni Rustemi” në krah të djathtë të rrugës që merr për nga pjesa lindore e qytetit të Tiranës, e rrethuar nga disa pallate të ndërtuara gjatë periudhës së “realizmit socialist”, në mes një kopështi të rrethuar me lule e mur të lartë, ndodhet shtëpia e familjes Mima, e ndërtuar aty nga mesi i viteve’30-të. Ndonëse ajo shtëpi e vjetër ndodhet disi e fshehur nga pallatet, që duket sikur do t’ja zënë frymën, dhe aktori i madh ka afro 35 vite që nuk jeton më, po të pyesësh nuk e ke shumë të vështirë ta gjesh. Pothuaj gjithë banorët e asaj lagjeje të bëjnë me dorë në drejtim të saj dhe në shenjë respekti për atë familje janë të gatshëm të shoqërojnë deri aty te porta 170. Familja Mima ishte vendosur në atë shtëpi, aty nga viti 1928, kur Dhimitri (Babai i Prokopit) një nënpunës i “Banka di Roma” që ishte ngritur asokohe në qytetin e Durrësit, ngriti filialin e saj në kryeqytet. Po kush ishte Prokop Mima, ku kishte studjuar ai dhe cila ishte e kaluara e tij? Si u fut ai në rrugën e artit skenik, cilat ishin disa nga peripecitë me të cilat ai u ndesh gjatë karrierës së tij artistike deri sa doli në pension? Lidhur me këtë na njohin dëshmitë e bashkëshortes së tij, Eleni Karalliu, vëllait, Miltos, kunatit Robert Zhvarc, si dhe regjisorit dhe aktorit të madh të kinematografisë shqiptare, të ndierit Rikard Ljarja, të cilat ua kemi marrë disa vite të shkuara.

Student i farmacisë në Padova

Prokopi lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1920 dhe ishte fëmija i parë nga dy djem e tre vajza që kishte ajo familje. Pasi mori mësimet e para në qytetin e lindjes, Prokopi i vazhdoi ato në Tiranë, pranë gjimnazit klasik në vitin 1938. Pas mbarimit të shkollës në verën e atij viti, ai u rikthye përsëri në qytetin e Durrësit, ku vazhdonte të banonte familja e babait. Arsyeja e rrikthimit në qytetin e Durrësit, ishte se familja Mima kishte pronë të tyre një farmaci, dhe asnjë prej asaj familjeje nuk kishte diplomën e duhur për të punuar aty. Prokopi u zgjodh prej familjes së babait tij, që të shkonte për të studiuar në degën e Farmacisë në Universitetin e Padovas, në Itali, pasi fitoi një të drejtë studimi nga ana e qeverisë së Monarkisë së Zogut ku kryeministër ishte Mehdi bej Frashëri. Në shtatorin e vitit 1938, i përcjellë nga të afërmit e tij në portin e Durrësit, Prokopi 18-vjeçar u nis për në drejtim të Italisë. Në bankat e auditorëve dhe laboratorëve të atij universiteti, ai qëndroi për tre vite, por, pa mundur dot që të kthehej në Shqipëri me diplomën e farmacistit në xhep, për të cilën e kishte dërguar familja posaçërisht. Prokopi i ri dhe me pasionet e moshës u dha i tëri pas filmave, teatrove dhe muzikës me kitaren që e kishte mësuar dhe lunate si një profesionist i vërtetë, duke lënë kështu disi pas dore, mësimet e farmacisë. Asokohe ai lidhi një miqësi të ngushtë me familjen e aktores së njohur Eleni Qirici, nga qyteti i Korçës, e cila jepte shfaqje të ndryshme në qytetet italiane. Ai, nën shoqërinë e tyre kalonte së bashku me ta mbrëmjet nën tingujt magjik të kitarës dhe serenatave korçare, me një ndjenjë nostalgjie të madhe për vendin e tij që kishte kohë pa e parë. Kështu, aty nga korriku i vitit 1941, Prokopi u kthye për në qytetin e Tiranës, pranë familjes së tij, nga ku ishte larguar prej afro tre vitesh.

Arrestohet nga komunistët

Pas kthimit në Tiranë, Prokopi u muar me disa lloje punësh për t’i ardhur në ndihmë familjes, por pa harruar për asnjë çast pasionin e tij kinematografinë dhe teatrin. Kështu asokohe, me anë të dy – tre shokëve të tij që punonin në Radio-Tirana, ai mundi të afrohej aty dhe të punonte për një kohë të gjatë, duke bërë emisione të ndryshme. Që pas kthimit nga Italia, Prokopi u aktivizua me korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, gjë e cila e ndihmoi mjaft për të filluar punën në Radio-Tirana. Aty nga fundi i vitit 1942, Prokopi me Sandër Prosin, shokun e tij të ngushtë, thirren nga rinia nacionaliste e tiranës (simpatizantët e Mit’hat Frashërit), për të interpretuar në pjesën “Vilhelm Tel”, që ata po përgatisnin ta shfaqnin. Provat për këtë shfaqje ata i bënin në kinema “Rex” nën kujdesin e Fiqiret Fterës, që kishte marrë përsipër rolin e rregjisorit. Thirrja që rinia nacionaliste e Tiranës iu bëri Prokopit e Sandrit, nuk ishte thjeshtë prej talentit të tyre, por pasi ata të dy ishin dhe simpatizantë të atij grupimi politik dhe kalonin një pjesë të mirë të kohës në atë rreth shoqëror. Kjo gjë do të ishte dhe arsyeja kryesore e arrestimit të tij (gjë të cilën ai do ta vuante gjatë gjithë jetës) nga komunistët, pak ditë përpara çlirimit të Tiranës. Lidhur me këtë, vëllai i tij Milto tregonte: ”Ka qenë fundi i tetorit të vitit 1944, ndonëse lufta për çlirimin e Tiranës nuk kishte mbaruar, pjesa lindore e qytetit ishte e lirë dhe kontrollohej krejtësisht nga partizanët. Në shtëpinë tonë erdhën disa partizanë(oficer me grada) dhe kërkuan Prokopin, ‘Kemi pak punë me të sa për një sqarim, dhe përsëri ai do të kthehet në shtëpi’, thanë ata. Por ai nuk u kthye, pasi u dërgua i lidhur dhe u izolua në malin e Dajtit, ku partizanët kishin disa gazerma, që i kishin përshtatur si burg. Aty në atë kohë kishin izoluar shumë nga ish-politikanët e ushtarakët e lartë që kishin shërbyer në qeveritë e mbretit Zog dhe atë të periudhës së pushtimit të vëndit. Pak ditë pas mbarimit të Luftës, të gjithë ata i zbritën në Tiranë dhe i dërguan te “Burgu i vjetër” (sot Mine Peza). Prokopi ishte nga të fundit që shkoi në atë burg, dhe ato ditë atë e liruan pasi nuk kishin gjetur dot prova kompromentuese për të”. Sipas Miltos, arsyeja e vërtetë e arrestimit të Prokopit nuk ishte vetëm dyshimi që ata kishin për të si pjesëmarrës në rininë nacionaliste të Ballit Kombëtar, por dhe fakti tjetër se një i afërmi i tyre, (Jovan Mima), kishte marrë pjesë në rradhët e rinisë Ballit dhe ishin vrarë në përpjekjet me forcat partizane, diku nga mesi i vitit 1944, në luftën e Prezës.

Në Radio-Tirana e Teatrin Popullor

Pas mbarimit të Luftës, me kërkesën e shokëve të tij që punonin në Radio-Tirana, Prokopi u thirr që të punonte përsëri në atë vend ku kishte punuar dhe gjatë Luftës. Një ndihmë të madhe për këtë gjë, i dha atij Pjetër Gjergji me origjinë nga Shkodra. Po kështu, që me krijimin e Teatrit Popullor, në vitin 1945, Prokopi ishte nga të parët që krijuan bërthamën e tij së bashku me Besim Levonjën, Gjon Karmën, Loro Kovaçin etj. Në atë kohë në Radio- Tirana, Besimi, Behije Çela dhe Prokopi, realizonin emisionin e njohur humoristik, që quhej “Ora gazmore”. Ky emision vazhdoi për afro tre vite, dhe ishte shumë i mirëpritur nga dëgjuesit e asaj kohe. Në vitet e para të pasluftës, Prokopi bënte pjesë në Korin e Shtetit (së bashku me vëllanë, Milton dhe motrën Pavlinën) dhe bëri disa turne në vëndet e Evropës Lindore. Pas ardhjes së regjisorit të njohur sovjetik, Kiriçkov, pranë Teatrit Popullor, Prokopi ishte nja nga ata që fitoi besimin dhe ndihmën e madhe të tij. Ndonëse ai nuk u dërgua jashtë shtetit për të vazhduar studimet e larta në artin dramatik si shumë koleg të tjerë (për arsye biografie), me një vullnet dhe këmbëngulje të madhe, duke studiuar vetë, arriti që të bëhej një nga shtyllat kryesore të teatrit, duke fituar të drejtën e shumë roleve, që i spikasnin karakterit dhe portretit të tij të veçantë. Nga fillimi i vitit 1951, Prokopin e marrin për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak në një repart pune. Pas mbarimit të ushtrisë, atë nuk e pranojnë më në Teatrin Popullor, “për mungesë vëndi”. Kështu, ai për të mos u shklëputur nga skena, pranoi që të shkonte në Gjirokastër, ku do të ngrinte Estradën e atij qyteti. Lidhur me këtë, bashkëshortja e tij, Eli Karalliu, kujtonte: “Atëhere, kur Prokopi ka ardhur në Gjirokastër për të ndihmuar ngritjen e Estradës Profesioniste, jemi njohur bashkë. Unë isha në grupet amatore dhe aty u lidhëm. Ai, ndonëse erdhi për një ditë atje, qëndroi shumë më tepër dhe u desh ndërhyrja e Bedri Spahiut (Ministri i Arsimit dhe Kulturës) që ai të kthehej në Tiranë, pranë Teatrit Popullor në vitin 1954”.

Rikard Ljarja: Kopi ishte “Princi” i fjalës artistike

Që me krijimin e Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1958, Prokopi ishte një ndër pedagogët e parë që u thirrën për të dhënë mësim në atë shkollë. Ai për shumë vite deri sa doli në pension, dha për studentët “të folurin skenik”, gjë për të cilën nuk do të mjaftohej vetëm me atë çka jepte në klasat e auditorët e Institutit, por dhe në shtëpinë e tij. Lidhur me këtë, bashkëshortja, Eli tregonte: “Prokopi ishte njeri i papërtuar dhe me një vullnet të admirueshëm. Atij, përveç përgatitjes me vokalet që bënte për rolet e tija, në shtëpi i vinin gjithnjë studentë që i mësonte për mbrojtje diplome, apo dhe ata që donin të konkuronin për në Institut. Ai punonte me durim të madh me ta, duke harxhuar shumë kohë. Një nga ata studentët që ka punuar shumë Prokopi, është dhe Mario Ashiku. Një nga regjizorët dhe aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, i ndieri Rikard Ljarja, tregonte: “Prokopi me të vërtetë ishte mjeshtër i madh i fjalës. Etika profesionale në këtë drejtim shkonte deri në skruplozitet dhe përputhej me etikën e tij vetiake. Ai kurrë nuk të lejonte ta haje fjalën, siç bëhet dhe sot rëndom nga shumë aktorë. Për këtë ai na thoshte shpesh: Çdo gërmë ka të drejtë të ekzistojë. Një nga “pasuritë” më të mëdha që kishte Prokopi dhe që e bënte atë mjeshtër të vërtetë, ndoshta të pazëvëndësueshëm në gjininë e saj, ishte recitimi i fjalës artistike, që siç thonë kolegë të tij “atë art ai e ngriti në art” dhe u quajt si “Princi” i fjalës artistike. Lidhur me këtë, poeti i njohur, Koçi Petriti, kujtonte: “Kam pasur fatin të punoja me Prokop Mimën, sepse ai zgjodhi për të recituar disa nga poemat e mija. Ai kurrë nuk i merrte ato për t’i recituar në mënyrë mekanike. Ai i studjonte thellë dhe shpesh herë më thërriste që të rregullonim ndonjë varg që nuk shkonte. Për një gjë të tillë ai ka ardhur deri në Librazhd dhe më ka kërkuar”.

Incidenti në Kosovë

Aty nga fillimi i viteve 1970, gjatë një turneu në që Teatri Popullor bëri në Kosovë, morri pjesë dhe Prokopi me një nga rolet e tija të arrira, atë të Dom Markut, te “Cuca e Maleve e Loni Papës. Gjatrë darkës që artistët kosovarë shtruan për nder të vëllezërve të tyre nga atdheu amë, Prokopi u ngrit dhe propozoi që të ngrihej një dolli për këngëtaren e famshëme Nexhmije Pagarusha, e cila po këndonte atë mbrëmje për të nderuar artistët nga Shqipëria. Pas fjalëve të Prokopit për dollinë e Pagarushës, shoqëruesit e delegacionit shqiptar u nxinë dhe i bënë me shënja e shkejle këmbe nën tavolinë, që ai të mos fliste. Kjo gje desh i kushtoi shumë, pasi akoma pa mbaruar mirë ajo darkë, shoqëruesit e delegacionit me marifet e tërhoqën pak mënjanë dhe i thanë: “A nuk e di ti, se ne dollitë i ngremë vetëm për partinë dhe shokun e Enver”?! Lidhur me këtë ngjarje, bashkëshortja e tij, Eli na tregonte: “Në turneun e dytë që do të bënte ai grup në Kosovë, Prokopin nuk e planifikuan. Atë e zëvëndësuan me një aktor tjetër. U lodh shumë, duke shkuar disa herë zyrave të administratës shtetërore për ta rregulluar atë gjë. Më në fund e lejuan që të shkonte, por rolin e tij më shumë e interpretoi ai aktori tjetër. Atë dolli, Prokopit ja mbajtën “vath në vesh”, dhe ja kujtonin shpesh. Prokopin e nxorrën në pension në vitin 1976, kur ai ishte në kulmin e karrierës dhe aftësive të tija aktoreske. Ai u largua zëmërthyer nga skena e atij teatri ku kishte interpretuar më shumë se 80 role”, kujtonte bashkëshortja e tij, për fundin e karrierës së Prokopit. Ndër rolet më të arrira të tij, mbahen mënd: Zbisheku, te “Morali i znj. Dulskaja”, Dom Marku te “Cuca e Maleve”, gjenerali gjerman te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Xhivola te “Arturo Ui” dhe Stefan Ahurja te filmi televiziv “Emblema e dikurshmë”, (realizim i Radio-Televizionit Shqiptar), etj. Lidhur me rolin e Zbishekut regjisori i njohur, Mihallaq Luarasi, është shprehur: “Zbisheku i Mimës, është një trupëzim original. Me atë rol Mima vërtetoi rishtazi talentin e tij dhe ndjenjën e hollë të nuhatjes së stilit të autorit, duke na dhënë një krjim aktorial që nuk do të harrohet lehtë”.

I harruar…

Pak kohë pasi Prokopi doli në pension, Teatri Popullor rivuri në skenë “Arturo Ui” të Breht-it. U detyruan dhe e thirrën Prokopin që të lunate përsëri Xhivolën. Lidhur me këtë, regjizori dhe aktori tashmë i ndierë, Rikard Ljarja, ish-student I tij, kujtonte: “Kur erdhi momenti që Kopi do të dilte në skenë, salla shpërtheu në duartrokitje. Publiku i shumtë e kishte ndjerë largimin e tij nga skena dhe si rrallë në ndonjë vepër, roli i tij “Xhivola”, u luajt me aq mjeshtëri, sa e eklipsoi rolin kryesor të asaj drame”. Nga viti 1976, kur ai doli në pension, e deri në vitin 1986, kur mjeshtëri i madh u nda nga jeta, ai u mbyll brenda vetës në shtëpinë e tij, duke mos e duruar dot largimin e detyruar nga tetatri. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, nga shokët dhe kolegët e tij, ishin të pakët ata që e vizitonin në shtëpi. Vetëm Dhimitër Anagnosti me bashkëshorten e tij, Rozën, vinin shpesh për ta parë, po kështu dhe Ndrek Luca nuk e harroi kurrë. Ato dhjetë vite, Prokopi rrinte në shtëpi, duke u marrë me librat dhe lulet, pasionin e tij të vjetër”, kujtonte Eleni. Lidhur me këtë, vëllai i tij, Milto, kujtonte: “Aty nga viti 1960, më kujtohet një rast kur nëna ndjeu se dikush na kishte hyrë natën në oborr. Unë mbusha armën e gjahut që kishim në shtëpi (çiften) dhe dola nga prapa banesës për të parë. Kur hapa portën, ç’të shihja: Prokopi me një qiri të ndezur në dorë, kontrollonte degët e trëndafilave nga një krimb që i brente ato natën. Përveç pasionit të luleve, që ai i dinte të gjithë emrat e tyre në latinisht, shtëpia e tij, ka qenë një “Kopësht i vërtetë botanik”, ai shkonre rrallë dhe për peshkim, me disa nga shokët e kolegët e Teatrit”. Nga fundi i vitit 1985, Prokopi u sëmur rëndë nga zëmra. Megjith ndërhyrjen e kunatit të tij (Robert Zhvarc) pranë sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Manush Myftiu, për të nxjerrë jashtë shtetit për kurim, kjo gjë nuk u bë e mundur dot. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij më 18 gusht të vitit 1986, dhe në varrimin e tij nuk morri pjesë asnjë përfaqësues zyrtar i shtetit.

 Një bredh në oborrin e Tetarit Kombëtar

          Poezi nga Robert Zhvarc

        (Rekujem për Prokop Mimën)

Tërë jetën tënde

tërë jetën tënde aq të gjatë

e aq të shkurtër kunat,

mbete një bredh, diku në acarin Veri,

një bredh i fortë,

i drejtë si qiri

duke ëndërruar një tjetër fat

ndoshta atë palmën në vënde të nxehta

ndoshta atë qiellin mesdhetar,

atë diellin tonë atë diellin tënd,

nën të cilin nuk donin të linin një vënd…

Dhe tani që nuk je më,

Tani që të vdiqën para kohe

dhe dërrasat e skenës tënde aq të dashur

t’i kthyen në dërrasa qivuri-

tani një shpirt fisnik

të shkuli nga harrimi

e nga mosmirënjohja

e nga cmira

e nga dhunimi

dhe të përjetësoi sërishmi

në një bredh

sipas ritit të shenjtë

të romakëve të lashtë

dhe të hebrenjëve të sotëm!

Aty je përsëri kunat,

Pranë skenës tënde

Pranë fjaëls tënde të kristaltë

të gjuhës sonë burrëore

Pranë luleve të tua që ishin

E jotoja, e madhja dashuri,

pranë jetës tënde,

mes shokëve të tu.

Aty je përsëri,

i thjeshtë dhe pa babëzi

Titujsh kurorash-

Dhe do bëhesh

një bredh shtatëlartë

e i drejtë

siç ishte në jetë.

22 komente në “Historia e panjohur e “Princit të fjalës artistike”: Prokopin e vranë shpirtërisht kur e nxorrën në pension në kulmin e karrierës dhe në varrim s’erdhi asnjë nga shteti”

  1. shqiptari says:

    E egzagjeruar. Prokopi ka qene nje aktor i dores se dyte. Te gjitha rolet e ka te dyta dhe ne gjithe aktrimet e tija duket qarte qe NUK ka pasur talent. As qe i eshte afruar karakteristikave psikofizike te personazheve dhe sa per fjalen artistike qe ju propogandoni se ai ishte mjeshte, ai ishte medioker. Mjaft me qoka.

  2. Lala says:

    Tëmën e sëmës o çfar bëhet? Të kesh jetuar Prokop Mimën , të kesh dëgjuar atë zë duke rcituar, Margarita Xhepën, Reshat Arbanën ,Dhimitër Orgocka në Korçë e të të thonë aktori ” i madh,, E. Mamaçka ka një milon e dyqindmijë shikues është të mbytesh në gropë të hales.!!!???

  3. Theatre and Drama says:

    “Pas fjalëve të Prokopit për dollinë e Pagarushës, shoqëruesit e delegacionit shqiptar u nxinë dhe i bënë me shënja e shkejle këmbe nën tavolinë, që ai të mos fliste. Kjo gje desh i kushtoi shumë…shoqëruesit e delegacionit e tërhoqën pak mënjanë dhe i thanë: “A nuk e di ti, se ne dollitë i ngremë vetëm për partinë dhe shokun e Enver”?..”

    shikoni tani,
    edhe neper dasma kur martoheshin,çiftin e uronin ,te rroje partia,pastaj te rroni e te trashegohi..
    edhe per ditleindje,NUK uronin Gezuar Ditelindjen por te rroje partia..
    edhe kur lind’te nje grua ne maternitet,NUK i thonin “me jete te gjate”,por ne fillim te rroje partia pastaj femia..
    edhe per festen e Vitit te ri,ne fillim thonin Gezuar Ditelindjen e Partise,pastaj vitin e ri
    hahahaaa…hë gomar o gomar..po ç’kusur te kemi te na fyesh “anastasin”(janullatusin) me te tilla budallalleqe?

    1. Bukuroshi says:

      E nise mire,po e dhjeve,me duket si rroman. ! I dinte te gjithe detajet miku !

      1. Theatre and Drama says:

        po,lere se e dhjeva keq fare

  4. E ema Sheros says:

    Po burge a beri Prokopi apo eshte i perndjekur se doli ne pension Enverit i pushkatuan kunatin Bahriun dhe squhet i perndjekur se keshtu do Sala dhe Kaloci.

  5. ZIGUR QARRI says:

    Po Floriani reciton? Apo reciton ato qe i thote sufleri makbethjan, Saliu i Rames?

  6. Arbeni says:

    Zoti Shqiptari,
    Deri me sot, e pranuar nga te gjithe aktoret dhe regjizoret e medhenj te skenes shqiptare, nuk e ka shqiptuar askush me embel e me bukur se Prokop Mima gjuhen tone. Ne shqiptimin e tij fjala dridhej ne mijra nuanca, gurgullonte si ujet e perroit te malit. Prokop Mima ishte dhe mbetet ne kete aspekt i paperseritshem. (Edhe shkrimi per kete ben fjale.) Lum si brezi jone qe patem fatin te emocionoheshim prej lojes dhe zerit te tij te mahnitshem! (Sa per bishtat e shkrimit te natyres se “vuajteve nga biografia e keqe” eshte ne stilin idiot te autorit te pakulturuar Dashnor Kaloci”.)
    Arbeni

    1. Lala says:

      Ju faleminderit Arben , më mbulat.

    2. shqiptari says:

      Zoti Arben.
      Opinioni im ka te bej me kritiken konstruktive qe duhet te zhvillojme ne Art. Nuk mund te kemi te njejtin vleresim per nje aktor teatral, mesatar dhe medioker si Prokopi, me nje aktore shume dimensional si Ndrek Luca, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Tinka Kurti Sander Prosi, Timo Flloko e te tjere, qe arriten te krijonin personazhe me karakteristika psikofizike unike ne zhanre te ndryshme te artit skenik dhe kinematografik. Vleresimi sipas merites sherben qe tu japi kurajo me te mireve qe te punojne me fort.

      1. Studenti says:

        Shqiptari, Timo Flloko ne teater?! Me fal por ku e ke pare Timon ne teater sepae te pamje nha ura Bujar Asqeriu e beri copa, te per nje fjale goje, Cim Xhepa e beri copa. TImo ka qene vetem maralteri f fahatarit te jugut ne kinematografi. Ai ka qene medioker ne teater. Tani sa i perket Kopit per Xhivolen s’ke c’thua. Te shkirter e ke kemben me the zoterote, por me e shkirter eshte jeta jote ?

  7. Mashkullori says:

    Me sa mbaj mend,studentet e arteve e vleresonin per “Te folurin skenik”,nje disiploine qe benin studentet e aktrimit.
    Por nuk di te jete keqtrajtuar.Si mund te jete nje njeri I keqtrajtuar dhe te punoje ne radio,te dale jshte shtetit,te “gaboje” me dolline e Pagarushes dhe te shkoje perseri aty ku gaboj,te mos jete larguar nga teatri e te jete dhe pedagog ne institutin e arteve….
    Vetem nje Kaloc mund te te shpalle dhe armik,edhe te nderuar….
    Po ate Floririn Mima,kush e beri me shkole te larte,apo ne dokumenta “fshehu” familjen babane dhe mamane?
    Mortja pse nuk u ha.
    Komunizmi ka shume per te share,por jo me shpifje te kesaj natyre…

  8. Ladi says:

    Po çka ketu lidhje me vuajtjet..Ai pa ndonje arsimim te plot gjithmon ne pune te mira Ne radio televizion,ne teatrin kombetar,pedagog pa arsim perkates se dhe ne nje shkolle qe vajti ne itali se paska perfunduar dot.Mos donte kryeminister,se mar vesh ai asnjeher ska patur rol kryesor.Var lesht.Prite kur te shkruhet nga ky kaloçi dhe per doktor VDEKJEN si i persekutuar.

  9. pijetari says:

    Prokopi qe aktor i mire dhe burre i mire. Kaq mjafton. Te tjerat jane “shto uje e shto miell”. Vargjet e kunatit, Robertit, jan e shume te ndjere.

  10. dritan lundra says:

    dua te shkruaj me emer dhe mbiemer dhe jo anonim. Turp dhe shume turp per te gjithe ata qe duan te lincojnete madhin Prokop Mima. Dashi e ka gjet me te pyetur shtepine e tij, une kam qe si i shtepise sepse me Florin kemi mbaruar gjimnazin bashke. Nje njeri i jashtezakonshem dhe nje artist që rralle i vjen skenes shqiptare. Respekt maksimal per gjithcka na ke dhene i madhi Prokop Mima

    1. ben says:

      dritan lundra-askush nuk mund ta hedhe poshte vepren e Prokop Mimes. Ata qe flasin keq per te, ose nuk e kane pare kurre, ose nuk marrin vesh nga arti. E keqja e shume individeve qe komentojne tek TEMA eshte se nuk jane eksperte, por flasin si te tille. Prokop Mima dhe te tjere si ai, te cilet kemi patur fatin qe ti shikojme “live” ne skenen e Teatrit Kombetar, ishin gjigande qe per fatin tone te keq nuk lindin me. Tani kemi mbetur ke Mamaqi me ca cupelina qe na tregojne breket dhe kete e quajne art.

  11. Fushezeza says:

    Ore Kalosh tere bota shkon para e ti mbrapa mbete sikur e ke vella Agron Tufen dhe qun xhaje Agron Gjekmakun,ose qun teze Marm Markun!

  12. Nik says:

    Nuk me duket serioze qe artisti Prokop Mima te jete ndeshkuar nga Tirana zyrtare per nje shendet qe ngriti per artisten e madhe Shqiptare, Nexhmie Pagarusha. Do te ishte ndryshe te themi po ta ngrinte shendetin per Rahman Morina apo Isa Skuthin.

  13. Tani says:

    Prokop Mima ka qene Gjigant, i pa perseritshem natyrisht per ne qe marim vesh nga arti

  14. gjini says:

    Jo Pjeter Gjergji,por Pjeter Gjini ka kene nder te paret organizator te Ores Gazmore te Radio Tiranes.

  15. Kritiku says:

    Te shkruash per figura te nderuara te artit sportit ,arsimit e fusha te tjera eshte nder per vendin.Te lartesohet nje figure si P. Mima eshte respekt per ata qe vune themelet e artit dramatik shqiptar.Nuk eshte e drejte qe te jepen versione jo te verteta ne trajtimin e tyre.Nuk mund te jesh i persekutuar e te kesh mundesi,ne ate kohe, te dilje ne turne jashte vendit ne ate kohe (edhe dublant).Punoj ne Gjirokaster se nuk e donin ne Tirane?Po ata intelektuale te asaj kohe qe e kaluan rinine ne zona te thella qysh duhet te quhen?A mund te vazhdonin femijet arsimin e larte kur kishe biografi te keqe?Pa arsimin e duhur jepte mesim ne shkolle te larte. Sistemi i kaluar kishte shume probleme per jeten e qytetareve por jo per kete person e shume te tjere.

  16. ED TIRONCI says:

    tek ARTURO UI…ka qene fantastik.xhivola eshte personazh i jashtezakonshem.une e kom pase ne lagje prokopin ..isha rreth 10 vjec dhe shikoja kete njeri qe ecte si topall ..pastaj fillote parape te ecte normal.i them plakut tim ne ate kohe…po xhaxhi prokopi qeka topall…me thote plaku….jo or jo..po atij i duket vetja ne rol akoma.I JASHTEZAKONSHEM.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje