Ditën e djeshme u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së, në të cilën u votua për gjashtë pika, ku njëra prej tyre ishte: Ndryshim i statusit të anëtarëve, që nuk kanë marrë pjesë në aktivitetet e FSHF-së. Një pikë, e cila ra në kurriz të klubit të Kamzës dhe Shoqatës së Minifutbollit, që u nxorrën plotësisht nga anëtarsësia e qeverisë shqiptare të futbollit.
Në rast se te Kamza nuk ka kush reagon për shkak të mosorganizimit dhe situatës që ndodhet klubi, Shoqata e Minifutbollit ka dalë me një reagim të ashpër zyrtar. Ata e quajnë antiligjor dhe banditesk vendimin e marrë nga FSHF-ja, që sipas tyre, nuk ka asnjë argument t’i nxjerrë nga anëtarësia. Ata gjithashtu akuzojnë FSHF-në se me këtë vendim po punon për të zhdukur minifutbollin në vendin tonë.
REAGIMI I SHOQATËS SË MINIFUTBOLLIT SHQIPTAR:
“Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar, është OJF e regjistruar sipas ligjit dhe prej vitesh anëtare me të drejta të plota e Federatës Shqiptare të Futbollit. Prej vitesh tashmë, Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar, ka denoncuar si ligjërisht, ashtu edhe publikisht, veprimet dhe mosveprimet e paligjshme të drejtuesve të FSHF për të penguar dhe bojkotuar këtë Shoqatë dhe sportin e minifutbollit në Shqipëri.
Publikisht kemi denoncuar veprimet e paligjshme të FSHF-së për të bojkotuar një nga anëtarët e saj duke bllokuar çdo gjë, në kundërshtim me ligjin, statutin dhe misionin e FSHF-in. Madje, siç ka rezuluar, FSHF ka pranuar përfaqësimin e falsifikuar të Shoqatës Sportive të Minifutbollit Shqiptar nga persona të paligjshëm, të cilët tashmë po përgjigjen penalisht para gjykatës.
Së fundmi, publikisht kemi rënë në dijeni të organizimit të një Asambleje të Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, e mbajtur në datë 11/05/2020, në të cilën pretendohet se është vendosur përjashtimi i Shoqatës Sportive të Minifutbollit Shqiptar si anëtare e FSHF-së.
Ky veprim she tërësisht i paligjshëm, në kundërshtim me statutin e FSHF, duke qenë nul dhe si rrjedhim do të adresohet ligjërisht menjëherë. FSHF pretendon se Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar nuk ka qenë pjesëmarrëse në dy Asambletë e fundit të saj. Kjo është sa ironike dhe e pabesueshme.
Ju kujtojmë se Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar ka kërkuar pjesëmarrje në këto Asamble dhe me dhunë nuk është lejuar nga FSHF të marrë pjesë. Këtë veprim banditesk dhe në ilegalitet të plotë, e denoncojmë publikisht si një veprim tjetër të paligjshëm të FSHF-së, në vijim të shumë paligjshmërive të tjera. Për këto shkelje të FSHF-së kemi informuar FIFA-n dhe UEFA-n.
Përjashtimi i një anëtari të FSHF-së pa asnjë arsye dhe bazë, tërësisht në mënyrë të paligjshme, është një veprim që bie ndesh me çdo parim si sportiv ashtu edhe të manaxhimit të sportit. FSHF ka dalë nga roli dhe misioni i saj. Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar do të vijojë aktivitet e saj sportive siç ka bërë edhe më parë, do të mbrojë interesat e sportit dhe sportistëve si dhe do të përballë ligjërisht të gjithë personat përkatës që kanë cënuar dhe po kërkojnë shkatërrimin e kësaj shoqate dhe sportit të minifutbollit”, shkruhet në komunikatën e Shoqatës.
Shoqata e Minifutbollit nuk eshte perjashtuar nga Federata, por nga anetaresia direkte ne Asamble. Meqe per 2 vjet nuk ka marre pjese ne asamble, sipas statutit nuk mund te jete anetare e asamblese dhe nuk ka te drejte vote. Kjo nuk do te thote se nuk eshte anetare e FSHF-se, por eshte anetare e shoqatave te rretheve perkatese, pra anetaresim indirekt dhe jo direkt. E njejta gje edhe per KF Domosdova (Prrenjas), qe u perjashtua nga anetaresia direkte per arsyen tjeter qe e percakton statuti, meqe ka dy vjet qe nuk ka ekip ne asnje nga kategorite Superiore, Pare, Dyte, por eshte anetare ne Shoqaten e Qarkut Elbasan dhe vazhdon aktivitetin me ekipet e moshave pa problem. Nderkohe KF Kamza u perjashtua per nje arsye tjeter ne statut, sepse ligjerisht nuk ka status dhe nuk e perfaqeson askush si Klub, pasi ish drejtuesit e kane braktisur.