Ilir Yzeiri
(Romani “Koncert në fund të dimrit” është një ndër veprat më të bukura të shkruara nga Kadareja. Unë i jam kthyer këtij romani këto kohë dhe duke e rilexuar tani, kam zbuluar se rrallë në letërsinë europiane një shkrimtar mund të shfaqet me një fantazi të tillë dhe, po ashtu rrallë mund të gjesh një roman tjetër që vizaton diktaturën me aq thellësi e realizëm. Ky studim i vogël që po ia parqes lexuesit të gazetës “Tema” ndahet në tri pjesë. Sot po botoj pjesën e parë),
Vlerësimi
Këtë roman e kam dashur veçanërisht, e kam pëlqyer dhe e kam ruajtur në kujtesë, natyrisht, më shumë si frymë, por e sillja ndër mend sidomos atëherë kur një ndjenjë të zymtë apo një trishtim çfarëdo, më duhej që ta bashkëshoqëroja me diçka të shkruar.
Për mua, por edhe për brezin tim, besoj, Kadareja ishte si një lloj limani i pandotur, i ndodhur në një utopi që ne të gjithë ëndërronim ta jetonim, ta gjenim mes nesh apo ta projektonim si fat në jetën që vinte, por që e arrinim vetëm gjatë kohës që ishim në kontakt me shkrimin e tij, sepse, nëse ka një gjë që e bën atë të magjishëm, është pikërisht të shkruarit, të hartuarit e një teksti, ajo që në frëngjisht, ndoshta, shprehet më mirë – «l’écriture».
Me qenë se e ruaja kështu në vetëdije, para disa vjetësh, shkaktova një «furtunë» mes ish-ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, z. Arvizu dhe gazetës «Shekulli»[1] për shkak të një termi që unë pata përdorur në shkrimin tim, të cilin e kisha ruajtur më shumë si shenjë të një ligjërimi hipokrit, pa kuptim dhe qesharak, gjithashtu. Në kohën e marrëdhënieve me Kinën dhe më pas, ne e përdornim rëndom termin « kinezërira ». Mirëpo unë pata përmendur romanin « Koncerti » dhe, pa dashje, kisha thirrur në kauzë edhe Kadarenë. Për fat të mirë, opinioni më i madh u sqarua se jo vetëm te unë, por as në romanin e Kadaresë nuk kishte asnjë fije insinuate nga ato që kishte keqkuptuar zoti Arvizu. Më pas, ky i fundit i mirëkuptonte të gjithë ata që e shanin dhe e fyenin. Nga fundi i karrierës në vendin tonë, sulmet e ndaj tij nga PD-ja u bënë aq banale, sa shkrimi im dukej si një lëvdatë për të, por kjo është një gjë tjetër.
Bota e gjithë po kalon një nga traumat më të mëdha për shkak të koronavirusit, për të cilin dihet shumë pak, por ama dihet me siguri një gjë: ai u shfaq për herë të parë në një qytet të Kinës me emrin Vuhan. U përhap që andej në gjithë botën dhe i ka shkaktuar asaj një nga tragjeditë më të mëdha, sidomos ekonomike, dhe ka frenuar globin. Disa udhëheqës shtetesh i kanë kërkuar Pekinit që të tregohet më i hapur dhe të bashkëpunojë me ta në mënyrë që të kuptohet më mirë se çfarë ka ndodhur, por ende asgjë. Gjithçka është një mister. Midis pretendimeve të SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Australisë, nga njëra anë, që kërkojnë më shumë informacion nga Kina dhe Kinës komuniste që pretendon se nuk ka ç’të japë më dhe se këtë punë e kanë në dorë shkencëtarët, unë preferoj të jem në anën e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Asutralisë dhe gjithë atyre që bëjnë përgjegjëse Kinën për misterin e lindjes dhe përhapjes së koronavirusit dhe për gjuhën e drunjtë, për mungesën e komunikimit të hapur, karakteristikë kjo e vendeve totalitare dhe gjysmë të hapura siç është Kina apo Rusia e Putinit.
Pikërisht kjo polemikë dhe hutimi, misteri dhe mungesa e qartësisë në Kinë, apo vdekja e një mjeku[2] dhe zhdukja e atij që zbuloi i pari virusin, vdekja e një tjetri që ishte, po ashtu, ndër të parët që u përball me të, frika[3] e gazetarëve që po investigonin mbi këtë virus, më shtynë një ditë që t’i rikthehem edhe njëherë romanit të famshëm të Kadaresë « Koncert në fund të dimrit » jo aq për të kuptuar se çfarë po ndodh sot, por për të rifreskuar memorien time me një nga kryeveprat e letërsisë botërore që zbërthen në mënyrë të thellë kodin e moskomunikimit dhe bën grafinë e krimeve të diktaturave komuniste me një qartësi tragjike në një nga ish-perandoritë komuniste të botës që pati si lider Mao Ce Dunin, figurën më komplekse dhe më gjakatare të Kinës së re.
Nuk besoj se ka tjetër roman në hapësirat eurolindore që të ketë përshkruar me aq thellësi e aq tragjicitet krimet e komunizmit kinez, por edhe krimet e diktaturave komuniste, sa ky roman. Nuk besoj se mund të gjendet tjetër vepër që të ketë në narrativë revolucionin kulturor në Kinë dhe përmendjen e krimeve monstruoze atje ndaj shkrimtarëve dhe artistëve kinezë, në një kohë kur maoizmi dhe maocedunideja kishte trullosur edhe një pjesë të mirë të Europës.
«Gjakftohtësia»
Me këtë titull Kadareja e dërgoi në Shtëpinë Botuese « Naim Frashëri » romanin, i cili, më vonë, do të dilte me titullin « Koncert në fund të dimrit ». Atë, siç thotë ai vetë, e kishte shkruar nga vitet 1978-1981 dhe pikërisht në vitin 1981 e dërgoi për botim. « Është romani më i rëndësishëm » – thotë ai në një intervistë në « Panorma ».[4]
Kjo vepër, në dorëshkrim, fitoi çmimin e parë në një konkurs kombëtar që ishte shpallur atë vit (1981), por, befas, u ndalua dhe nuk u botua. Doli në shtyp në vitin 1988. Në librin e përgatitur nga prof. Shaban Sinani me dokumente të arkivit të ish-KQ të PPSH-së dhe posaçërisht të zyrës së Shtypit e të Kulturës të atij aparati, me titull «Një dosje për Kadarenë»,[5] në dy recensione jepen arsyet se përse nuk duhet të botohet ky roman. Kur i lexon sot ato dokumente, çuditesh me qartësinë ideologjike që kishin shkruesit e tyre. Në ato raportime, ata, ashtu si murgjit e Mesjetës që analizojnë çdo paragraf e zbërthejnë çdo nëntekst, janë munduar e ia kanë dalë që të kapin thelbin e vërtetë të romanit. Sipas meje, ky paragraf që do të citoj më poshtë, e ilustron më së miri idenë se aparatçikët e regjur të Zyrës së Shtypit dhe të Kulturës në KQ të PPSH-së ishin të stërvitur dhe kishin nuhatje të hollë për të kuptuar e për të ndarë letërsinë propagandistike nga letërsia e vërtetë moderne dhe e pandotur me dogmat e socializmit. Ja shprehja:
« Romani « Gjakftohtësia » është një satirë dhe përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij. Kjo satirë dhe tallje fshihet nën idenë e goditjes së «socializmit» kinez dhe të «majtizmit» të tij. Gjer këtu është disi e fshehtë. Por ajo shfaqet haptazi pastaj në faqet e romanit përmes ideve dhe frazave të dykuptimta, me të cilat është mbushur gjithë vepra.»[6]
Dhe pak më tej :
«Një ide krejtësisht e shtrembër e romanit është dhe ajo e luftës së liberalizmit kundër obskurantizmit, apo e Azisë me Europën, e «kinezërisë» me «europeizmin»… Për autorin gjithë problemi është që Shqipëria të ruajë « rezervat e europeizmit ».[7]
Ndërsa që në hyrje të kësaj recense thuhet:
«Ne nuk mund të pranojmë që vepra të botohet dhe pastaj kritika ta hedhë poshtë. Për të evituar këtë, nuk do të lejojmë të botohet. Nuk duam të çorientojmë opinionin publik, sidomos në këto situata.»[8]
Studiuesin australian Peter Morgan e kam njohur nga afër dhe e kam shoqëruar në Gjirokastër kur ai erdhi para disa vjetësh në vendin tonë për të njohur më mirë Shqipërinë dhe, sidomos, vendlindjen e Kadaresë përpara se të botonte një nga veprat më të plota e më të mira të shkruara nga një i huaj për shkrimtarin tonë. Për «Koncertin», edhe ai ka vënë re «lojën e dyfishtë” të Kadaresë me paraqitjen e diktaturës.
Ai shkruan :
«Prezenca kineze u pasqyrua në një kohë kur ishte politikisht e pranueshme që ish-aleati të paraqitej në mënyrë negative. Megjithatë, edhe këtu, ashtu si te « Dimri i madh », mesazhi është i dyzuar. Mao Ce Duni këtu përfaqëson pushtetin shtypës dhe shpirtin e robërisë, por ai është pasqyrim i të gjitha diktaturave, përfshirë edhe atë shqiptare. Ky është kyçi i «lojës së dyfishtë» të Kadaresë që përmban kompromis dhe kritikë. Këtu, depërtimi i tij në brendësi të diktatorit doli profetik. Ndërsa paraqitja e kinezëve është një stereotip negativ, gjë që çoi në akuza për racizëm, kritika drejtohet kryesisht ndaj figurës së Maos dhe habitus-it kinez, si simbol i shtrembërimit të jetës në diktaturë »[9]
Ndërsa me rastin e botimit të tij në SHBA në anglisht, New York Times nën titullin «The thrill of burning bridges» të Robert D. Kaplan shkruante:
“The Concert” switches back and forth between Albania and China. Because Mr. Kadare is describing China mainly through the eyes of his Albanian characters, the sections on China are more impressionistic than realistic. Yet Mr. Kadare has in fact spent his life in a brutal Communist police state. The reader gets the feeling that the author knows his territory: his impressions ring true, and his irony, however exaggerated, is fitting.”[10]
Nga të gjitha këto vlerësime për romanin, një gjë bie në sy: “Koncerti”, përmes anatomisë së krimit komunist në Kinë, vizaton tragjedinë që ai shkaktoi në të gjitha vendet ku ishtë aplikuar. Ndërsa, në qoftë se ke parasysh se pas prishjes me Bashkimin Sovjetik edhe Shqipëria imitoi modelin kinez të jetës dhe kur mendon se maocedunideja, apo modeli lejfenist i jetës, u bënë standarde të kërkuara nga masa e madhe e drejtuesve mediokër edhe te ne, atëherë nuk e ke të vështirë të ndiesh se ironia, satira che cinizmi me të cilat autori vizaton jetën në Kinën e Mao Ce Dunit, janë më së shumti ndjeshmëri për jetën pa ngjyrë që po shtillej edhe në Shqipëri. (vijon)
[1] http://www.arkivalajmeve.com/Ambasada-Amerikane-nderpret-marredheniet-me-gazeten-Shekulli.1047022068/
[3] https://www.straitstimes.com/ëorld/chinese-video-journalist-who-disappeared-after-covering-wuhan-outbreak-tops-one-free-press
[4] http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=INTERVIST%C3%8BPRESS&article=13828
[5] Shaban Sinani, Një dosje për Kadarenë, botim i OMSCA-1, Tiranë 2005, dokumenti 29, 30, faqe 304-312
[6] Shaban Sinani, vep. e cit., fq. 310.
[7] Po aty, fq. 311.
[8] Po aty, f. 309.
[9] Peter Morgan, KADARE – shkrimtari dhe diktatura (1957-1990), shtëpia botuese 55, Tiranë, 2011, f. 209-210.
[10] https://www.nytimes.com/1994/11/06/books/the-thrill-of-burning-bridges.html
“Koncerti është një vajtje-ardhje mes Shqipërisë dhe Kinës. Meqenëse z. Kadare përshkruan Kinën kryesisht përmes syve personazheve të tij shqiptare, kapitujt mbi Kinën janë më shumë impresive, sesa realiste. Megjithatë, z. Kadare, në fakt, e ka kaluar jetën e tij në një shtet policor komunist brutal. Lexuesi ka ndjeshmërinë që autori e njeh territorin e tij: impresionet e tij janë të qarta dhe ironia e tij, sado e tepruar që është, të bind.” (Përkthimi im. I. Y.)