Akuzat e Institutit që e internuan/ Zbulohet dosja e Spahivoglit: Në Teatrin Popullor, s’më pranuan ‘për mungesë talenti’, qëndrova 5 vjet pa punë, më emëruan në Bërzhitë

26 Maj 2020, 07:43Kulturë TEMA
Akuzat e Institutit që e internuan/ Zbulohet dosja e Spahivoglit: Në

Memorie.al publikon historinë e panjohur të aktorit dhe regjizorit të famshëm, Kujtim Spahivogli, të nxjerra nga disa dokumente arkivore të dosjes së tij personale të zyrës së Kuadrit, ku krahas një autobiografie që Kujtimi ka shkruar vetë në vitin 1983, duke përshkruar në mënyrë kronologjike historinë e familjes dhe të tijën personale deri në atë kohë, në dosjen në fjalë, ndodhen edhe disa karakteristika që janë përpiluar nga organizata bazë e partisë të Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1973, me akuzat që i’u bënë atij, të cilat shërbyen si “lëndë e parë” për ta dërguar për riedukim “në gjirin e klasës punëtore”. Si dhe karakteristikat që i’u bënë nga Ndërrmarja e Ndërtimit në Mbrostar të Fierit dhe ajo e Këshillit Popullor të fshatit Bërzhitë të Tiranës, të cilët donin ta ndihmonin që ai të kthehej si pedagog pranë studentëve në Institutin e Lartë të Arteve dhe si aktor e regjizor pranë Teatrit Popullor.

Nga Dashnor Kaloçi

Ka qënë 13 korriku i vitit 1987, kur në një shtëpi të vjetër tiranase që ndodhej në Rrugën “Hoxha Tasin”, krejt i vetmuar dhe në një gjëndje të mjeruar, ndërroi jetë Kujtim Spahivogli, aktori dhe regjizori i famshëm që pasi ishte diplomuar në Institutin e Lartë të Moskës për Artin Dramatik, deri në vitin 1973, kishte punuar si aktor dhe regjizor në Teatrin Popullor, si dhe si pedagog e Shef Katedre në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.

Kush ishte Kujtim Spahivogli, nga ç’familje rridhte ai dhe cila ishte e kaluara e tij? Ku kishte punuar e studjuar ai dhe përse u largua nga Teatri Popullor e Instituti i Lartë i Arteve në vitin 1973? Cilat ishin akuzat që i’u bënë atij nga organizata bazë e partisë së atij Instituti dhe çfarë qëndrimi mbajti Spahivogli në lidhje me ato akuza?! Lidhur me këto e të tjera anë të panjohura të punës dhe jetës së tij, na njohin disa dokumente që janë pjesë e dosjes së tij personale të zyrës së Kuadrit, të cilën Kujtimi, nuk pati kurrë rastin që ta shihte sa ishte gjallë! Në këtë dosje, krahas disa dokumenteve të organizatës bazë të partisë së Institutit të Lartë të Arteve, të cilat ishin edhe “lënda e parë” mbi të cilat “u mbështet” Komiteti i Partisë së Rajonit Nr. 2 dhe ai rrethit të Tiranës, për largimin e tij nga Instituti e dërgimin për “riedukim në gjirin e klasës punëtore”, është dhe një autobiografi e shkurtër që Kujtimi e ka shkruar në 30 tetor të vitit 1983, pas kthimit nga internimi.

Siç do të shohim nga autobiografia që ai vetë ka shkruar (me kërkesën e organeve partiake dhe shetetërore të asaj kohe), pas kthimit në Tiranë në vitin 1978, ai ka qëndruar pesë vjet pa punë në Tiranë, dhe pas disa kërkesash, më në fund në vitin 1983, ai është emëruar në punë si “metodist” në një shtëpi kulture në fshatin Bërzhitë, duke shpresuar se një ditë do të kthehej pranë studentëve të tij në Institutin e Lartë të Arteve dhe kolegëve në Teatrin Popullor, të cilën ai e kishte një ëndërr, por që fatkeqësisht nuk i’a arriti dot….?!

Goditja e parë ndaj Kujtimit

Sipas dokumentave që gjënden në dosjen personale të kuadrit të Kujtim Spahivoglit, goditja e parë ndaj tij e ka zanafillën në vitin 1972. Kështu në një karakteristikë pune që i bëhet atij në atë periudhë kohe nga ana e degës së kuadrit të Komitetit të Partisë së Tiranës, mes të tjerave shkruhet: “Shoku Kujtim Spahivogli është një nga shokët me më shumë kapacitet dhe me eksperiencë në degën dramatike. Por siç u theksua në një fjalim të shokut Enver Hoxha në rrethin e Matit, ai ka pasur të meta në drejtimin e katedrës së mjeshtërisë së aktorit, nuk ka realizuar detyrat shtetërore, dhe nuk ka ndihmuar sa duhet pedagogët e kësaj katedre nga ana metodike dhe pedagogjike”.

Tiranë më 29.8.1972

Sekretari i Organizatës Bazë,

                 S.B.

Pas kësaj që mund të quhet dhe goditja e parë ndaj Kujtim Spahivoglit, sulmet ndaj tij rifilluan aty nga fillimi i vitit 1973, vetëm pak javë pas Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, kur më 15 mars të atij viti, Enver Hoxha mbajti një fjalë në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku në kuadër të “luftës kundër liberalizmit dhe shfaqjeve të huaja e ndikimeve të tyre në art e kulturë”, filloi kritikat dhe goditjen ndaj Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, duke i bërë ata përgjegjës për Festivalin e 11-të. Në këtë kuadër, do të fillonin edhe kritikat e goditjet ndaj atyre që konsideroheshin si njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Paçramit dhe Lubonjës, ku një nga këta persona, ishte dhe aktori e regjizori i njohur Kujtim Spahivogli, i cili fillimisht u hoq nga Instituti i Lartë i Arteve, ku punonte si shef katedre. Pas disa mbledhjesh, organizata bazë e Partisë ku bënte pjesë Spahivogli, propozoi që ai të shkonte për edukim në një teatër rrethi, për dy vite, por kjo s’u pranua nga Komiteti Partisë i Tiranës, i cili vendosi që ai të shkonte si puntor i bonifikimit në Fier, “për t’u edukuar në gjirin e klasës punëtore”.

Akuzat ndaj Kujtimit në organizatën bazë të partisë të Institutit

Po për çfarë kritikohej dhe akuzohej Spahivogli dhe cili ishte qëndrimi i tij lidhur me ato që akuza dhe çfarë masash mori organizata bazë ndaj tij? Lidhur me këtë, bëhet e ditur nga një dokument ku ndodhet karakteristika e Kujtimit, e përpiluar nga ana e Sekretarit të Organizatës, Xh. S., e datës 8.5.1973, ku midis të tjerash shkruhet:

“Por shoku Kujtim Spahivogli gjatë kohës që punon në Institut, ka manifestuar mjaft dobësi dhe të meta në veprimtarinë e tij për të cilën është kritikuar herë pas here nga organizata bazë e partisë. Edhe gjatë diskutimit të fjalës së shokut Enver të 15 marsit, ai është kritikuar për thyerje disipline, dhe për neglizhencë në kryerjen e detyrave të shefit të katedrës, për braktisjen e orëve të mësimit me ditë të tëra etj. Prandaj organizata bazë propozon shkarkimin e tij nga detyra e shefit të katedrës. Shoku Kujtim Spahivogli ka nënvleftësuar punën prodhuese me pretekste të ndryshme dhe nuk e ka kryer atë për tre vjet me rradhë. Qëndrime të gabuara shoku Kujtim ka mbajtur edhe në problemin e kuadrit. Ai ka influencuar për të sjellë në institut, kuadro me përbërje të keqe politike dhe me qëndirm të keq moral. Në disa raste ka këmbëngulur që t’i ngrejë në përgjegjësi, duke humbur kështu vigjilencën revolucionare. Ai ka ndërhyrë edhe në rrugë personale tek Fadil Paçrami, për të sjellë element të tillë në institut, si rasti i Viktor Gjokës. Ai si komunist ka luftuar me kosneguencë kundër konservatorizmit dhe burokratizmit, por ka shkarë në pozita liberale, duke njohur vetëm të drejtën e studentëve, pa i’u kërkuar llogari atyre. Në mbledhjet e mëpasshme dhe në diskutimin e fjalimit të 15 marsit, shoku Kujtim ka pranuar përgjegjësinë për punën e dobët në katedër, për thyerje disipline, për qëndrime liberale në jetën e Institutit, e në problemet e kuadrit. Ai ka pranuar që ka pasur tendencë mendjemadhësie dhe që është marrë me shumë punë njëherësh. Për të gjitha këto, organizata bazë e partisë vendosi që shokut Kujtim Spahivogli, t’i jepet vërejtje me shënim në karën e regjistrimit dhe të dërgohet për riedukim në një teatër rrethi për dy vite”.

Siç shihet dhe nga karakteristika që i ka bërë sekretari i organizatës bazë të partisë së Institutit, duket sikur Spahivogli nuk e ka përfillur “vijën e partisë” që të tregohej i ashpër dhe të zhvillonte luftën e klasave, gjë të cilën ai e ka manifestuar me rastin konkret duke afruar në Institut, aktorin, Viktor Gjoka. Po kështu aty thuhet se Spahivigli nuk i’u kërkonte fare llogari studentëve të tij, por i linte ata që të shprehnin mendimin e tyre krejt lirshëm. Kjo gjë vihet re dhe del qartë edhe nga dokumentet që ndodhen në dosjen e tij, ku, pasi i janë komunikuar vërejtjet e sekretarit të organizatës bazë të partisë, Xh. S., në një relacion të saj, bëhet i ditur qëndrimi i Spahivoglit, ku midis të tjerash shkruhet: “Byroja e organizatës së partis, mendon se shoku Spahivogli gjatë kohëve të fundit në një mbledhje të degës së dramës, i është kundërvënë organziatës së parties, duke i hedhur poshtë në fakt kritikat ndaj tij. Me qëndrimin e tij, ai ka ndikuar negativisht edhe te disa pedagogë e studentë. Ai nuk pranon që të shënohet në karakteristikën e tij se dërgohet në një teatër rrethi për riedukim, po për qarkullim”.

Pas kësaj karakteristike, sekretari i partisë Xh. S., njofton se Komiteti i Partisë së Rajonit, e ka aprovuar propozimin e tyre, ku thuhet: “Aparati i Komitetit Partisë të Rajonit Nr. 2, është dakort me vendimin e organziatës bazë dhe Institutit të Lartë të Arteve, që shoku Kujtim Spahivogli të dërgohet për dy vite për riedukim në një teatër rrethi.

       Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr. 2

                               Peti Shamblli

Kush kërkonte ta ndihmonte Kujtimin të rikthehej në Tiranë?

Krahas dokumenteve që hedhin dritë mbi vendimin e organizatave bazë të partisë për largimin e Spahivoglit nga Instituti i Lartë i Arteve dhe nga Teatri si “njeri i padëshiruar për partinë”, gjë e cila bëri që ai të dërgohej si punëtor në prodhim në rrethin e Fierit, në dosjen në fjalë, ndodhen dhe dy dokumenta të nënshkruara nga Ramiz Kullolli, që ishte sekretari i organizatës së partisë për Mbrostarin, (ku punoi Kujtimi në Fier), dhe kryetari i Këshillit të Bashkuar të fshatit Bërzhitë, Mehmet Alla, të cilët e vlerësojnë punën dhe qëndrimin e Spahivoglit, duke dashur që ai të rikthehej përsëri në punën e tij si pedagog e regjizor. Në karakteristikën e Ramiz Kullollit, për punën e sjelljen e Kujtimit në Fier, midis të tjerash, shkruhet:

“Gjatë kësaj periudhe që Kujtimi ka punuar në ndërmarrjen tonë, ai ka punuar mirë në realizimin e detyrave të planit, ashtu edhe në drejtim të sjelljeve të tij. Nuk ka pasur pretendime në proçese pune, madje edhe vetë ka kërkuar që të punojë në punë sa më të rënda, si betonime dhe në brigadën e hekur-kthyesve afër tuneleve, etj. I është përgjigjur thirrjeve të punonjësve me gadishmëri, duke punuar me orë të zgjatura dhe ka ndihmuar shokët e punës duke bërë jetë pa pretendime”.

Po kështu në vlerësimin e Kryetarit të Këshillit të Bashkuar të fshatit Bërzhitë, Mehmet Alla, ku ai punoi si medotist në Shtëpinë e Kulturës, midis të tjerash shkruhet:

“Puna e tij në përgjithësi është vlerësuar mirë. Ai është treguar i papërtuar dhe me aftësi të mira profesionale. Gjatë kohës që ka punuar në kooperativën e Bërzhitës, (në kulturë) ka punuar mirë, dhe ka ndihmuar në gjallërimin e jetës kulturore”.

Por mirësisë së këtyre njerëzve që deshën t’a ndihmonin Kujtimin, duke se i’u kundërvunë disa shefa dhe komunistë fanatik të cilët dikur (viti 1973) e kishin larguar atë si “përkrahës të grupit armiqësor në art dhe kulturë të Lubonjës dhe Paçramit”. Ata nuk mund të pranonin që ai të rikthehej përsëri aty në auditorët e studentëve të tij dhe në skenën e Teatrit Popullor, ku ai kishte punuar me të gjitha forcat dhe energjitë e tij deri atë ditë që e kishin larguar prej andej.

Autobiografia e Kujtim Spahivoglit

Kam lindur në një familje qytetare (babai nënpunës, nëna shtëpiake) në vitin 1932. Në vitin 1938 babai vdiq, duke e lënë nënën me tre jetimë të mitur, pa asnjë përkrahje. Për të përballuar jetesën e vështirë ajo punonte në shtëpi si rrobaqepse, kurse unë dhe vëllai, shisnim gështenja, kikirikë dhe cigare popullori. Në këtë kohë jam futur si çirak në disa zanate, megjithëse emri ishte çirak, se në fakt ishim shërbëtor të ustait. Me këmbënguljen e nënës edhe pse punonim për kafshatën e gojës, shkollën nuk e braktisëm asnjëherë. Duke qenë shëndetligë, asnjëherë nuk i kam bërë tërë muajt e mësimit, megjithse kam pasur gjithmonë nota dhe rezultate të mira. Që në orët e para të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, nëna vuri në shërbim të Luftës së popullit, veten, shtëpinë dhe fëmijët e saj. Shtëpia jonë në fundin e rrugës “Hoxha Tasim”, u bë një nga bazat më të rëndësishme. Aty bëheshin mbledhje të partisë dhe të Rinisë Komuniste, streoheshin ilegalë (një ndër ta Miladin Popoviç), grumbulloheshin ushqime dhe veshmbathje, të cilat niseshin për në Pezë. Në vitin 1943, pas dy rrethimesh dhe bastisjesh që ju bënë shtëpisë tonë, nëna u detyrua që të hidhej në ilegalitet, të dali maleve, duke na marrë me vete edhe neve, megjithëse ishim akoma të mitur.

Për aktivitetin tonë revolucionar, nëna, shoqe armësh e Kristo Isakut dhe Xhevdet Dodës, është nderuar me dekoratën e lartë të Luftës Nacional- Çlirimtare. Unë tok me villain, që në moshën nëntë vjeçare bënim roje në raste mbledhjesh, vidhnim municione, shërbeja si korrier dhe shoqëroja ilegalët. Vëllai dhe unë jemi inkuadruar në grupet e para të Debatikut. Në vitin 1943, kthehem në Tiranë dhe rifillova shkollën Teknike. Në vitin 1945, në moshën 13 vjeçare jam pranuar në rradhët e Rinisë Komuniste Shqiptare, kurse në vitin 1948, me që më lindi pasioni për teatër, braktisa shkollën Teknike, megjithëse isha shumë mirë në mësime e nota, dhashë prova për Teatrin Popullor, ku nuk më pranuan për mungesë talenti. I bindur në aftësitë e mija, nuk u ktheva në shkollën Teknike, megjithë këmbënguljen e Drejtorisë dhe të organizatës bazë të kësaj shkolle.

Për një vit punova me grupet amatore. Në vitin 1949, futem në Liceun Artistik, drejt e në klasën e tretë të degës dramatike. Në vitin 1951, marr maturën me nota shumë të mira, gjë që më dha të drejtën që po atë vit të shkoj me studime jashtë vendit. Nga viti 1951 deri në vitin 1956, studiova në Insitutin Shtetëror të Moskës. Në vitin 1958, mbroj diplomën në atë Insitut. Që në vitin 1956 deri në vitin 1962, punoj si aktor në Teatrin Popullor, duke u aktivizuar edhe si regjizor. Në vitin 1963, emërohem si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ku që në krijimin e tij kam qenë kryetar i degës dramatike, shef katedre dhe udhëheqës artistik kursi. Si pedagog, kam punuar që në vitin 1959, kur u krijua shkolla e lartë për aktor “Aleksandër Mojsiu”, në vitin 1973, për gabime të karakterit liberal në fushën e teatrit, u përjashtova nga rradhët e partisë dhe u dërgova për riedukim në Ndërmarjen e Bonifikimit të Fierit.

Atje punova deri në vitin 1978, kur kolektivi dhe organizata e Partisë, duke vlersuar punën dhe qëndrimin tim, gjë që ka gjetur pasqyrimin në karakteristikën e tyre, e konsideruan të kryer stazhin tim të riedukimit në prodhim. Që nga viti 1978, deri më 1983, kam ndenjur pa punë në shtëpinë time në Tiranë, për arsye se më ishte hequr leja e banimit në 1979. Në mars të vitit 1983, Partia, pasi e studjoi çështjen time, porositi të më jepet leja e banimit dhe të rifillojë punë në profesionin tim, si regjizor në një klub të Bashkimeve Profesionale. “Për mungesë vendi të lirë”, siç mu tha, emërohem provizorisht me komandim si metodist në një shtëpi kulture në fshatin Bërzhitë, ku vazhdoj të punoj edhe sot. Kam qenë Antar i Komitetit Qëndror të BRPSSH dhe antar i Këshillit Qëndror të BPSH. Kam patur titullin Docent dhe “Artist i Merituar”. Jam dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të II-të.

 Tiranë 30 tetor 1983

 (Kujtim Spahivogli)

4 komente në “Akuzat e Institutit që e internuan/ Zbulohet dosja e Spahivoglit: Në Teatrin Popullor, s’më pranuan ‘për mungesë talenti’, qëndrova 5 vjet pa punë, më emëruan në Bërzhitë”

  1. Bernard Sh. says:

    Dramaturg aktor dhe regjizor I madh. Intrigat ia nderprene rrugen e suksesshme te artit. Arti yne humbi shume nga mungesa e Kujtim Spahivoglit. I perjetshem kujtimi I tij.

  2. Ska says:

    Ne qofte se ishte liberal se afroi V. Gjoken ne Institut mund ta hiqnin si drejtues e ta linin aktor the thjeshte. Si u coka keshtu ne lopate dikush me kaq shkolle e talent ? Ose duhet te kishte me shume probleme se c’thuhen ne kete histori.

  3. xhoxhi says:

    Çuditem se si nga një popull i tërë nuk doli një trim tia numëronte në lule të ballit qenit të pabesë Enverit që vrau njerzit më të mirë dhe më të aftë.Siç lexojmë çdo gjë bëhej me dorën e tij.Vrau ministrat vravi shokët dhe të afërm vetëm e vetëm për të qënë i pari.Fajtorë jemi ne të gjithë që spiunomin çdo njeri..Shoku im më spiunonte në degë dhe më kanë thirur dy tre herë ke thënë kështu dhe ke thënë ashtu.Gjithë spiunë ishin.Sapo vura antenën në taracë më thirën në komitet të partisë dhe më thanë e ke drejtuar nga jugosllavi….Edhe sot jemi përsëri kështu frikacakë dhe shkojmë sa nga njëri krah në tjetrin vetëm për interesa dhe kështu kemi 30 vjet që sillemi vërdallë dhe njerzit e aftë janë pa punë dhe ata që shkojnë pas Bashëe,Ramës etj etj kanë zënë kariket.Pas 30 vitesh jemi shumë keq se para viteve 1944….

  4. Anila Dushi says:

    Nuk ka qene aq paguaj. Komunist qe e pesoi nga te vetet. Perfiton si mik me Fadil Paçramin dhe e peson bashke me te. Si pedagog torturonte studentet ,kishte probleme me moralin dhe keto gjera jo pa te drejte ne ate kohe ishin te denueshme. Fakti qe u denua dhe nuk I rikthye ne art,nuk ja rrit vlerat si artist,se si njeri nuk ka pase. Por pasi vdes ,e kane bere zakon te japin dhe vlera qe nuk I ka pase,ose ti rrisin ato. Keqardhje per denimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje