“Koncert në fund të dimrit”, anatomia e shkatërrimit shpirtëror të njerëzve në të gjitha diktaturat

24 Maj 2020, 19:00Kulturë TEMA
“Koncert në fund të dimrit”, anatomia e shkatërrimit

Ilir Yzeiri

Pjesa e tretë dhe e fundit

(vijon nga numri i kaluar)

Rrëfimi ecën shpejt, Sajmiri arrestohet, Gjergji i tregon Silvës për shkretëtirën njerëzore në Kinë dhe i thotë se kisha nevojë t’ia tregoja dikujt atë që përjetova atje, sepse, nëse ti i flisje një fjalë shoqëruesit, ai ta kthente me një citat të Maos: “në qoftë se ti i thoshe se fryn erë, shoqëruesi të përgjigjej se era e Lindjes sundonte mbi të Perëndimit. po t’i thoshe shiko ç’mjegull, të përgjigjej se Kryetari Mao ka thënë mjegulla u pëlqen imperialistëve e revizionistëve”. (f. 216) Pastaj parrulla të thata ngado. Në vend të të thoshin “Mirëmëngjes” të thoshin “Popujt tanë, megjithëse janë larg, janë vëllezër”. (Po aty)

Kështu mbyllet edhe kapitulli i gjashtë që, veç arrestimit të Sajmirit, ekspozitës kineze të poçeve dhe vizitës aty të Ekrem Fortuzit e Silvës, ka edhe një vizitë te varri i Anës, motrës së Silvës dhe ish-gruas së Besnikut.

 Kapitulli më pas hapet me vizatimin metaforik të çastit që ka rutina e jetës. Atë vetëm Kadareja mund ta vizatojë: Silva u zgjua me mbeturina ëndrrash në sy. Pastaj autori vë në lëvizje njerëzit e afërm pas arrestimit të vëllait të Silvës, tankistit Sajmir. Në zyrën e Silvës vjen Besnik Struga dhe Linda, e joshur nga hija e tij, nuk e kupton as vetë se si ndihet. Në shtëpi vjen edhe një teze e Silvës që është martuar me një të deklasuar si për të thënë se tani jemi njësoj dhe në fund, një mbrëmje në Ministrinë e Jashtme. 

Kapitulli i tetë i kushtohet një maoisti europian. Huan Maria Kramsit dhe ngjarjet zhvillohen sa në Paris, ku Kramsi shkon, sa në një ambasadë lindore, përfshirë edhe atë shqiptare, në tjetrën. Kadareja është treguar i pamëshirshëm me këtë personazh dhe ironia e tallja me të, mesa duket, ka brenda gjithë zemërimin e autorit për mendjelehtësinë e disa europianëve që jo vetëm nuk e denonconin komunizmin në botë, por ishin bërë edhe viktima të ideve të tij. Karikatura e tij si personazh dëftehet mëse njëherë në roman për të përfunduar në frazën lapidare: 

“Gjithë qënia e tij jetonte tani me kongreset e partive të shumta, grupeve, fraksioneve të reja të lindura pas thërmimit të partive marksiste-leniniste, me plenumet e programet e shpallura, ndryshimet në linjat e përgjithshme, dy vija apo tri vijat në gjirin e tyre, pikëpamjet reformiste, tendencat sindikaliste, rrugët e kalimit në socializëm, pikëpamjet për dhunën, për mjetet paqësore, për terrorin, anarkosindikalizmin, kompromisin historik, botën e tretë. – A s’ke mërzi nga të gjitha këto? – i kishte thënë njëherë një shok. Huan Maria Kramsi ishte zemëruar si rrallëherë në jetën e tij” (f.275). 

Pastaj autori tregon se ata kishin ndenjur deri në mëngjes duke polemizuar e zënë. Kramsi e kishte akuzuar shokun e tij për nja shtatë devijacione dhe, diku ndaj të gdhirë, shoku i vet i kishte thënë:  “ti je djalli vetë, ti je anti jeta” (po aty). Pastaj tallja me të arrin një pikë kulmore kur Kadare përshkruan vizitën e tij në Shqipëri dhe habinë e tij që këtu kishte ende shkrimtarë, romane, njerëz që vrisnin veten për dashurinë dhe nuk kishte ndodhur ende procesi shndërrues “çshkrimtarizues”, siç thotë Kadareja. (f.277). Ka dhe një pasazh në këtë kapitull që është një lloj diversioni i hapur që Kadareja bën po të përmendim një term të Arshi Pipës kur ai analizon veprat e Kadaresë e sidomos “Kronikë në gur” e “Dimrin e madh”. Kramsi, thotë autori, kishte pritur më shumë prej shqiptarëve, sidomos pas ndalimit të fesë dhe mbylljes së kishave. 

“Atëherë qe mahnitur me ta. Shqipëria kishte kapërcyer një prag që s’kishte guxuar ta kapërcente askush. Ëndrra që Niçja kishte profetizuar në “Antikrishtin” e tij po realizohej. Net të tëra Kramsi nuk përfytyronte veç buldozerët që rrëzonin kishat e katedralet, kumbanoret e thyera, kryqet që binin…”(f. 278) 

Dhe pak më tej, Kadareja gati sa nuk denoncon hapur jo vetëm këtë krim makabër mbi traditën historike shqiptare, por vë në psikikën e të menduarit të këtij maoisti që ishte aq në modë nga udhëheqja komuniste shqiptare, edhe një pandehmë tjetër: 

“Por zhdukja e fesë nuk do ta gazmonte aq shumë Kramsin, në qoftë se nuk do të parathoshte një tjetër proces. Ai ishte i bindur se kishat do të tërhiqnin pas vetes në varr një kulturë të tërë të vjetër: shekuj letërsie të shkruar nga shkrimtarë murgj, ikonat mesjetare, piktorë, poetë, filozofë, vetë Gjergj Kastriotin dhe legjendën e tij shkatërrimtare”. (f.279)

Pra, gjithë duke përdorur teknikën e transfermit ligjërimor dhe meqenëse romani ka karakter polifonik, autori, herë drejtpërdrejt e herë në mënyrë të kamufluar, jo vetëm që ironizon lëvizjet marksiste-leniniste në botë, por gjen rastin të çmontojë edhe konstruksionet antikombëtare që ishin ndërtuar në Shqipëri atëherë kur komunistët shqiptarë iu turrën shkatërrimit të kulteve dhe objekteve fetare në emër të ndalimit të fesë. Dhe, për ta shkatërruar tërësisht si personazh, ai përdor ironinë therëse. Kramsi, që ishte joshur nga rafshimi i jetës mondane europiane, kishte përgatitur një studim me titullin: “Darka opozita e fundit kundër botës së re.” (f. 280). Nuk i shpëton as Kosova mendimit të Kramsit që e quan një gjë nacionalromantike, të kapërcyer. Kramsi paraqitet jo vetëm si një fantazmë e antijetës, por edhe mendërisht i mbyllur. Kadareja nuk kursen asgjë në vizatimin e tij. Ai, thotë autori, ishte mahnitur me Mao Ce Dunin, sidomos me thënien e tij se “komunizmi mund të vonohet në botë dhjetë mijë vjet”. Nuk është vështirë të kuptohet se ironia dhe cinizmi në këtë rast, nuk ishte vetëm ndaj Kramsit, por edhe ndaj gjithë atyre që e kishin komunizmin si model. Ironia me teoritë e botës së tretë, me primitivizmin, apo thënie si kjo që për të kuptuar shprehjen “pikëllim vjeshte” duhet të kalonin një mijë vjet, apo vargje si “Kamboxhia fillon te ti”, Kadareja i përdor për të demistifikuar një lëvizje të tërë që jo vetëm kishte shënuar krime makabre si në Kamboxhia, por kishte tharë gati gjysmën e globit me idetë absurde të komunizmit kinez e jo vetëm.

Kapitulli që pason, i nënti, rrëfen ngasjen e Simon Dershës që do të takojë ministrin për një hall personal, vajtja deri te vila, pastaj përmendja për fjalët që fliteshin për të se po binte nga vakti. Më te vendin qendror e zë ministri D të cilin Kadare e paraqet si një lodër në duar të sovjetikëve e kinezëve. Kujton vizitën e tij në Kinë dhe rekrutimin e tërthortë nga kinezët, gjithë sipas narrativës zyrtare të kohës, për të rrethuar një komitet partie. Ftesa në një dramë ku sekretarin e partisë e tërheqin zvarrë në skenë. Drama është vendi ku mund të marrësh vesh poltikën e Kinës, i kishte thënë dikush. Ti që lexon romanin, kujtohesh për një frazë nga Hamleti “drama është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska”. Pastaj veprimi zhvendoset në Kinë. Skënder Bermema së bashku me kritikun C.V. do të vizitojnë Kinën. Ftesa është e çuditshme: me rastin e Ditës së Zogjve. Jemi në Pekin, në një dhomë hoteli dhe, nëse në një vend më sipër Silva ishte zgjuar me mbeturina ëndrrash në sy, këtu, Skënder Bermema sapo hap sytë, shikon jashtë dhe te perdet ishte përsëri e diela. Ky stil animistik e metaforik bashkë është tipar i narrativës së Kadaresë. 

Në këtë kapitull autori ndërthur disa linja subjekti. Gjithnjë e më shumë përsëritet ankthi i S. Bermemës për vdekjen e një romani, të atij që nuk e shkruan dot. Pastaj dikur nxjerr fletët dhe sheh sinopset. Ndër to, ai për Komisionin e krijimit të njeriut të ri kinez, Lej Fenit, është pa dyshim më i bukuri. Komisioni që do ta krijonte atë, netët pa gjumë dhe ideja për të lindur një njeri sipas maocedunidesë janë ushqim për fantazinë e Kadaresë që kalon çdo imagjinatë të mundshme. Pra, përfytyroni komisione pafund në Kinë, një maternitet i tërë që punonte për të lindur njeriun e ri. Aluzioni është i qartë. Si duhet të ishte ai? Mesatar, pra, një kompromis, i thjeshtë, një vidhë e mendimit të Mao Ce Dunit, asnjë gjë origjinale, i rëndomtë, asnjë lidhje dashurore, me origjinë fshatare, ushtar, të huaja për të duhet të ishin krenaria, individualizmi dhe mireqënia, mblidhte kuti të vjetra, pastë dhëmbësh, për t’i shitur pastaj dhe për t’ia dorëzuar paratë shtetit. Më pas, jetën e tij, përvojën, duhet ta linte të shkruar. Po në ç’formë? Në formë denoncimesh në komitet të partisë a në hetuesi dhe pastaj vdekja, si do të ishte ajo, aksidentale apo natyrale. Nëse do të zgjidhnin vdekje nga zemra, kjo i ngjante vdekjes së intelektualëve borgjezë, nga heqja e barkut jo se lidhej keq me fshatin dhe, më në fund, u gjet: e shtyp treni dhe kjo ilustron edhe teorinë e Maos që fshati rrethon qytetin sepse heroi do të vdiste duke u përjekur të shpëtonte një kalë (fshati) që kalonte në shina dhe e shtyp treni (qyteti). Këtë ndjenjë humori dhe satire vetëm Kadareja mund ta krijojë. Në kapitullin në vazhdim janë të famshmet çjetinçi, përgjueset që shpërndahen në Kinë. Edhe këtu ka faqe të mrekullueshme që vizatojnë një nga kapitujt më të errët të diktaturave, përgjimin e shtetasve dhe klimën e terrorit.

Kapitulli që pason, ka në qendër koncertin në Pekin. Skënder Bermema dhe kritiku C.V. do të marrin pjesë në të, por gjithë vëmendja është te lozha, si do të shfaqet Çu En Lai. Pastaj simbolika e koncertit, vajza valltare në reshtin e dytë dhe copa prej mëndafshi lejla që ajo do të vërtisë në ajër. Pastaj vjen vdekja e Maos. Këtë lajm S. Bermema, që nuk kishte gjumë, e mëson nga dezhurni i hotelit, të cilit Bermema kishte frikë t’i fliste për fjetjen apo gjumin se, nëse i thoshte që nuk po fle, ai i përgjigjej: kryetari Mao ka thënë se ujët fle, po imperializmi nuk fle. Nuk është vështirë të kuptohet këtu tallja edhe me parullat politike tonat, nëse mbajmë në vështrim transferimin e ligjërimit që përdor si mjet të narrativës Kadareja. Mirëpo “Chairman is daying” i thotë me lot në sy dezhuri kinez. Mao vdiq.

Efektin e saj, autori e jep menjëherë në Tiranë, por e përqendron vëmendjen te pritja që i bëjnë asaj ata që në atë kohë quheshin shtresa e deklasuar. Ekrem Fortuzi e ndien rëndë dhe gjithë shtresa e tyre po ashtu. Përsëri Gjergji niset në Kinë dhe kapitulli që pason, tregon arrestimin e gruas së Maos, Sajmiri ka dalë nga burgu dhe ministri e thërret për gjoja pajtim. Ndërkaq, Skënder Bermema shfleton sinopset e tij dhe këtë radhe vëren se midis Makbethit, darkës dhe vdekjes së Lin Biaos ngjashmëria është fatale. Ndërkaq, rrëfimi rrjedh shpejt. Narratori kthehet në Tiranë dhe në gjithë vendin kanë filluar të ndihen pasojat e ndërprerjes së ndihmave nga Kina. Silva dhe shefi i saj shkojnë me shërbim në Metalurgjik. Simon Dersha i zbraz ankthin që e mundon Lindës dhe i tregon me ngashërim për darkën e gabuar. Kinezët largohen përfundimisht dhe studentët shqiptarë kthehen nga Kina. 

Kapituilli tjetër është shkruar me stilin e Kafkës. Nëse si ton i përgjithshëm i rrëfimit është gjendja e kohës pezull, pra, as shi, as borë, por pritje, tani rrëfimi vendoset në zonën e errët të frikës dhe fjala që e organizon atë nga pikëpamja e semantikës së tekstit, është: “Thellohu!” Kanë filluar mbledhjet e gjata me net pa gjumë për grupet armiqësore dhe ata që duhet të rrëfejnë krimet, asnjëherë nuk i bindin ata që i dëgjojnë, sepse mbi ta rri si një thikë në qafë fjala: thellohu. Vendi zien nga autokritika dhe shpjegime që nuk bindin ata që kanë në dorë fatin e atyre që çmohen si fajtorë.

“Mbledhjet vazhdonin gjer natën vonë sidomos në dikasteret qëndrore. Edhe më vonë, pas mesnate e disa herë gjer ndaj të gdhirë rrinin ata që duhej të bënin autokritikë. Flinin studiuesit e akademikët, flinin njëri pas tjetrit shkrimtarët, madje edhe ata që merreshin me gjinitë e gjata, flinin asistentët që përgatisnin leksionet e së nesërmes, përkthyesit nga greqishtja e vjetër, hartuesit e fjalorëve, grafomanët, shkruesit e letrave anonime e të padive të divorcimit, flinin më në fund edhe ata që shkruanin letra dashurie e që zakonisht u duhej të rrinin jo më pak se dy orë zgjuar pas shkrimit të frazës së fundit, me një fjalë, flinin të gjithë ata që puna, ndjenjat apo rasti i lidhnin me lapsin dhe letrën, me përjashtim të bërësve të autokritikës”. (f. 622)

Ishte kohë plenumesh dhe fjalët që dëgjoheshin më shumë, ishin “puç” e “puçistë” thotë autori sikur të jetë duke treguar për një vend të juntës amerikanolatine dhe jo për Shqipërinë. Njerëzit janë pak si në jerm dhe teto Hasija përzien kohët ashtu si në një rrëfim psikanalitik. Sipas saj. radioja një ditë më parë shante ata që ajo i quante turq. Kjo zhvendosje e kohës dhe fshirja e kufirit mes ëndrrës dhe gjalljes është karakteristikë e rrëfimit edhe të Kadaresë në ndonjë rast. Vulën gjithë kësaj zdërhalljeje ia vë Rrema, fshesaxhiu i “Dimrit” që ka ardhur të shohë kolegët e rrugës që qeshnin me kinezët, por Rrema u thoshte se nuk hap gojën se i hëngra dy javë burg për Hroshovin. Dhe të gjithë kujtojnë me ngazëllim, thotë autori, fjalën e kryetarit të bashkimeve profesionale me rastin e daljes në pension të Rremës. Ti fshive për tridhjetë e pesë vjet rrugët ku kaloi njeriu i ri. Shpjegimi këtu është i tepërt. Ironia e Kadaresë nuk kursen më asgjë. Ndërkaq, edhe përgjuesit e Polit të Veriut përpiqen të deshifrojnë atë që po ndodh në Kinë e më gjerë.

Në qoftë se romani nis me një festë, me ditëlindjen e Brikenës, ai mbyllet me një vdekje. Në furrnaltën e Metalurgjikut ka humbur jetën Maksi, kushëriri i Bermemës dhe është plagosur Beni, vëllai i Besnik Strugës. Ndërsa Viktor Hila ka humbur sytë. Linda është lidhur me Besnik Strugën dhe në mortin e kushëririt të tij shkon bashkë me Silvën. Kur kthehet në shtëpi, Silva kujtohet të heqë plastamasën nga limoni. Ai kishte lëshuar disa kokrra të vogla jeshile. Kështu mbyllet romani.

Përfundime

Në vend të mbylljes

Siç e thashë në fillim të këtij shkrimi, sot bota është përfshirë në epokën e globalizmit dhe nuk ka më kufij ideologjikë që të vështirësojnë komunikimin. Megjithatë, keqkuptimet vazhdojnë. Ngjarja e fundit me koronavirusin, misteri që e rrethon shkakun dhe përhapjen e tij lidhen me një vend që megjithëse formalisht nuk është një vend tipik komunsit, ruan ende tiparet e shtetit njëpartiak dhe komunikimi i tyre nuk mbështetet te fjala e lirë dhe mendimi i lirë. Për këtë arsye, misteri, keqkuptimet dhe mungesa e së vërtetës janë plagë të trashëguara nga ajo traditë që atje lidhet me themeluesin e Kinës së re, Mao Ce Dun, portretin e të cilit ata e ruajnë me fanatizëm.

1 komente në ““Koncert në fund të dimrit”, anatomia e shkatërrimit shpirtëror të njerëzve në të gjitha diktaturat”

  1. andreas says:

    Pse merreni me Kinen, kur vete SHBA eshte polici i botes? Apo sepse nuk ju intereson?! Nese ne Kine sistemi eshte njepartiak, ne SHBA eshte dypartiak.. Ku qendron ndryshimi? Nje popullsi prej 1 300 000 000 banore menaxhohen vetem me forcen e ligjit. Shikoni si eshte India, Bangladeshi, Pakistani, jane vrima varferie, shendetesore, prapambetje fetare e injorarance te thelle… ”Nuk ka rendesi se c’ngjyre ka macja, rendesi ka te kape miun”- thoshte arkitekti i Kines moderne Ten Hsiao Pin.
    ”Koncertin” e kam lexuar nja tre here dhe heren e fundit ne greqisht. Per mua vetem me kete roman, Kadarese duhet t’ia jepnin Nobelin.
    Megjithate, Koncerti eshte nje liber racist ndaj kinezeve (prandaj u botua vone) dhe autori natyrisht ngre ne piedestal PPSH, e cila zbulon komplotet kunder saj ne ushtri e ekonomi. (Beqir Balluku, Petrit Dume etj. etj.). (mos me thoni qe eshte taksa e paguar per ta botuar). Ploja qe u be ne Kamboxha me ndihmen e Kines dhe qe autori e permend ne liber, nuk permendej kur e kishim vaj me Kinen ”moter”. Ideja e filmit eshte qe Kina na ndihmoi ne te gjitha fushat dhe Enveri per te ruajtur bythen e vet u tregua mosmirenjohes. Do te ishte naive po te pranonim se u prishem me Kinen per shkak te vizites se Niksonit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje