Pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, mjeku Pëllumb Pipero është shndërruar një ndër personazhet më të dashur të publikut dhe këshillat e tij dëgjohen me mjaft kuriozitete.
Mjeku ka qenë pothuajse prezent në të gjitha mediat në vend për të folur dhe dhënë këshilla mbi situatën. Ndërkohë që është kthyer në personazh edhe në rrjetet sociale.
I ftuar në studion e “Abc-ja e mëngjesit” përpos të tjerave, Pipero u pyet edhe për famën që ka arritur.
Pipero u shpreh se i ka mirëkuptuar të gjitha kërkesat e mediave, ndërsa thotë se nuk ka pasur mundësi të shkojë tek të gjitha.
“Unë i kam mirëkuptuar kërkesat. E kam quajtur një detyrë të rëndësishme komunikimin me qytetarët. Jo te gjithë kemi mundur të shkojmë, por besoj se kemi pasur një mision të vështirë në këtë situatë dhe pa ju do e kishim të pamundur”, tha mjeku.
I pyetur nga Enkel Demi nëse do të donte të ndryshonte profesionin për tu bërë pjesë e medias, Pipero tha se nuk ka më moshë për një gjë të tillë. Ndërkohë, tregon edhe lidhjen e veçantë që ka pasur me mediat këto kohë.
“Do më pëlqente shumë të bëhesha dhëndër, por nuk kam moshë. Dhe nuk kam moshë që të ndryshoj profesion. Unë nuk jam yll, por pas kësaj ju do më mungoni. Ndodh ndonjëherë që kur vonohet ndonjë telefonatë nga ju të medias them çfarë ka ndodhur”, u shpreh ai.