ANALIZA/ Qëllimi për të lënë një gjurmë të mirë në histori: Pandemia dhe sfidat e Angela Merkel në fund të udhëheqjes së saj

31 Maj 2020, 14:13Bota TEMA

Në fillim të kësaj krize, Angela Merkel pohoi se Bashkimi Evropian po përballet me sfidën më të madhe që nga themelimi i tij.

Ndërsa Gjermania përgatitet të marrë përsipër presidencën e radhës të BE-së, si do dalë blloku nga kriza e pandemisë, do të jetë testi i fundit i madh i Merkel. Ajo natyrisht ka thënë se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme, pas më shumë se 15 vitesh në pushtet.

Sfidat dhe testet e mandatit gjashtëmujor janë të mëdha. Së pari, bindja e vendeve anëtare për t’u regjistruar në fondin e rimëkëmbjes së Komisionit Evropian. Shpallur të mërkurën nga Presidentja Ursula von der Leyen, plani ambicioz përfshin një total prej 750 miliardë € – me 500 miliardë euro të vëna në dispozicion në formën e granteve dhe 250 miliardë euro në formën e kredive me interes të ulët.

Bisedimet zyrtare do të kryhen nga Charles Michel, president i Këshillit Evropian, por Angela Merkel mbetet liderja më e fuqishme. Ajo tashmë është dëshmuar të jetë thelbësore për planin e Brukselit, për të mbledhur dhe ndarë borxhin – deri para pak kohësh një tabu në BE. Diskutimet do të jenë të vështira dhe ndarjet e thella mbeten. Evropa nuk mund të lejojë mosmarrëveshje këtë periudhë!

Tema e mprehtë e sundimit të ligjit gjithashtu nuk ka ikur. Vendimet e marra gjatë krizës nga Polonia dhe Hungaria duket se e kanë bërë këtë çështje edhe më të ngutshme. Një zyrtar i Komisionit ka sugjeruar se Gjermania mund të përdorë një raport mbi sundimin e ligjit, fillimisht i planifikuar për në shtator “për të shkaktuar një diskutim të mirëfilltë mbi këtë temë në Këshill që tani”.

Sigurisht, ekziston dhe Brexit. BE dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një plan kohor shumë të ngushtë, për të arritur një marrëveshje përpara se periudha e tranzicionit të përfundojë më 31 dhjetor. Në fakt, ato duhet të kenë bëjnë përparime të rëndësishme deri në fund të qershorit. Diskutimet nuk po shkojnë mirë dhe perspektiva për të arritur një marrëveshje duket se po zvogëlohet.

Por janë punët e jashtme aty ku Angela Merkel me të vërtetë dëshiron të lërë shenjën e saj. Duke folur nga Berlini të mërkurën, ajo tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë më shumë përgjegjësi globale në krizën koronavirus, veçanërisht pasi lidhjet me Shtetet e Bashkuara janë vështirësuar. Ajo i bëri thirrje BE të flasë për vlerat e “demokracisë, lirisë dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor”.

Por marrëdhëniet me Kinën mund të dëshmojnë më shqetësuese akoma. Me gjithë pikëpyetjet në lidhje me rolin e Kinës në origjinën e pandemisë dhe telasheve të vazhdueshme në Hong Kong, Merkel këmbëngul që Bashkimi Evropian ka një “interes të madh strategjik” në ruajtjen e bashkëpunimit me Pekinin.

Çdo njëra prej këtyre sfidave do të vinte në provë këdo udhëheqës. Përballja me të gjitha njëkohësisht do të mposhtte shumicën e politikanëve. Por Merkel është një nga udhëheqësit më të suksesshëm të botës demokratike për një arsye. Kjo krizë i ka sjellë asaj një lajm të mirë: sondazhi i fundit e vendos vlerësimin e saj nga opinioni publik në 68 përqind, shumë më përpara se çdo politikan tjetër gjerman dhe evropian.

Angela Merkel është përballur me kriza të panumërta në kancelarinë e saj. Presidenca gjermane ka të ngjarë të jetë sfida e fundit – dhe ajo që mund të përcaktojë trashëgiminë e Merkel në politikë. Do të jetë një gjashtë- mujor i jashtëzakonshëm!

Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Euronews, shkrim nga Darren McCaffrey, redaktori politik.

1 komente në “ANALIZA/ Qëllimi për të lënë një gjurmë të mirë në histori: Pandemia dhe sfidat e Angela Merkel në fund të udhëheqjes së saj”

  1. beni says:

    Politikave konservatore te Angela Merkel Ju erdhi fundi dhe nje Fund tragjik total te falimentimit!
    Sistemit Politik i kapitalizmit ka nevoje per reformim te gjithanshem,per te vazhduar traditen konservatoriste perendimore!
    Kur populli humb besimin,atehere eshte e kote prapagandimi per mbarvajtjen e sistemit Kapitalist!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje