"Zgjedhorja", opozita letër ambasadorëve: Nuk votojmë reformën pa plotësuar kushtet

4 Qershor 2020, 16:49Politika TEMA
"Zgjedhorja", opozita letër ambasadorëve: Nuk votojmë

Opozita parlamentare i është drejtuar me një letër ambasadores së SHBA në vendin tonë Yuri Kim dhe atij të BE-së Luigi Soreca,  ku kërkojnë përfshirje dhe dialog në hartimin e Reformën Zgjedhore, në të kundërt nuk do ta votojnë atë.

Në letrën e bërë publike nga deputeti Arlind Çaçani, thuhet se ndjehen të fyer që janë përjashtuar nga negociatat për përjashtimin e sistemit.

Ata po ashtu shprehen të gatshëm të japin konsensusin e tyre që të arrihet marrëveshja për Reformën Zgjedhore, ndërsa shtojnë se po u vijua me përjashtim nuk do të bëhen kartona për shumicën.

Letra e plote:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

GRUPET PARLAMNTARE TË OPOZITËS

 Tiranë, më 4 Qershor 2020

Drejtuar:          Sh.T.Znj. Yuri Kim, Ambasadore e SHBA në Tiranë

Sh. T. Z. Luigi Soreca, Ambasador, Drejtues i Delegacionit të BE në Tiranë

E nderuar zonja Ambasadore Kim,

I nderuar zoti Ambasador Soreca,

Na lejoni që t’ju shprehim vlerësimet për konsideratën më të lartë për vendet dhe institucionet që ju keni nderin e madh të përfaqësoni në Tiranë. Ne shprehim gjithashtu konsideratën më të lartë për SHBA-në dhe BE-në, në përpjekjet e vazhdueshme që kanë synuar lehtësimin e konsensusit të nevojshëm për një reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse.

Lidhur me këtë proces ku ju jeni përfshirë, na lejoni t’ju shprehim përmes kësaj letre zyrtare dhe njëkohësisht publike, disa vlerësime dhe qëndrimet tona.

Së pari, një mësim i vjetër shqiptar na kujton gjithmonë se asnjëherë “nuk bëhen hesapet pa hanxhinë”. Ne vlerësojmë se përjashtimi i plotë i opinioneve të larmishme të opozitës parlamentare është fyes për të gjithë ne.

Ne jemi deputetë të ardhur në Kuvendin e Shqipërisë me pëlqimin dhe propozimin zyrtar të udhëheqësve të partive, që kanë braktisur sot Kuvendin.

Zgjedhja jonë ka qenë e qartë: mes luftës së verbër të revanshit politik të ish-udhëheqësve tanë dhe rrugës së respektit për zgjedhësit bashkë me respektin për frymën e Kushtetutës dhe të ligjit, ne vendosëm të zgjedhim Kushtetutën dhe Ligjin, aspak Luli Bashën dhe Monika Kryemadhin.

Ne zgjodhëm të ngremë zërin për njerëzit e thjeshtë, por kurrësesi luftën për pushtet apo zhurmën e protestave me molotov, që shkuan deri aty sa tentuan të djegin tempullin e demokracisë Kuvendin.

Në këto kushte ne jemi të vendosur së pari, të kërkojmë minimalisht trajtimin e barabartë me ata që janë jashtë Parlamentit, por nuk do të pranojmë aspak diskriminimin dhe fyerjen ndaj nesh.

Së dyti, ne kemi mendime të ndryshme dhe nuk i shërbejmë asnjë kryetari partie, por fatmirësisht SOT kemi një mendim të unifikuar për dy çështje themelore.

Të nderuar miq të Shqipërisë, deputetët e opozitës parlamentare, propozojnë:

Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë pasqyrë e pastër e reflektimit të plotë, jo copa-copa, të të gjitha rekomandimeve të raporteve të njepasnjëshme të OSBE/ODIHR dhe aspak pazari i radhës së dy partive të mëdha, ose më mirë ish “të mëdha”, dhe të patericës së tyre presidenciale për komisionerët e tyre partiakë, që kanë qenë dhe mbeten kanceri i zgjedhjeve prej 30 vitesh. Ne jemi të gjithë në një mendje: NJË PAZAR TË TILLË, QË MUND TË DUKET SI MARRËVESHJE POR QË KA SHKATËRRUAR REKOMANDIMET E VYERA TË ESKPERTËVE TË ODIHIRIT, NE NUK DO TA VOTOJMË.

Ne jemi po ashtu të një mendjeje, që Kodin e ri Zgjedhor, nuk do ta votojmë, në rast se shumica në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur me ne, PËR KALIMIN NGA LISTAT E MBYLLURA TEK LISTAT E HAPURA.

E nderuar zonja Ambasadore Kim,

 I nderuar zoti Ambasador Soreca,

Ne nuk jemi vipa të politikës shqiptare, sepse jemi njerëz të thjeshtë,

Ne nuk jemi miqtë e preferuar të ambasadave në Tiranë, të drekave dhe darkave aristokrate, megjithëse miqësia jonë për ju dhe shtetet (institucionet) tuaja lidhet vetëm me interesat e Shqipërisë, aspak me karrierat tona personale.

Por ne jemi shqiptarë pasardhës të Ismail Qemalit, që nuk pranojmë të konsiderohemi në këtë proces si qytetarë të dorës së dytë, apo si kartona në dizpozicion të shumicës apo marrëveshjeve mes kundërshtarëve tanë politik, të dyja palët fajtorë të kësaj situate në Shqipëri.

Kultura jonë qytetare dhe politike nuk është as kultura e diktatit të Kryeministrit Rama, as kultura e bllokimit dhe e frikës nga zgjedhjet të Kryetarit aktual të Partisë Demokratike.

Dy pikat tona janë parimore dhe meritojnë të gjithë vëmendjen dhe respektin tuaj.

Ne kemi besim dhe duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ju urojmë suksese në misionin tuaj fisnik. Ne ju garantojmë gatishmërinë tonë për të dhënë konsensusin tonë të pazëvendësueshëm për të votuar Kodin e ri Zgjedhor, mbi bazën e respektit reciprok pa kompromise në formë pazari për pikën e parë, apo nëëformë listash të mbyllura në pikën e dytë.

Duke ju garantuar konsideratën tonë më të lartë, ne kemi autorizuar kryetarët e grupeve tona parlamentare, për te vijuar komunikimin me ju.

Me respekt,

9 komente në ““Zgjedhorja”, opozita letër ambasadorëve: Nuk votojmë reformën pa plotësuar kushtet”

  1. Zamira says:

    Bravo. Jo si ata legenet qe u mblodhen ne [email protected]!

  2. Zamira says:

    Bravo. Jo si ata legenet qe u mblodhen ne [email protected]!
    Hera e pare qe po shkruaj. Po s’deshet ta botoni, pune per ju. Po e hapa me temen…

  3. antipatrea says:

    Do ti që kjo “goma rezervë” e opozitës sikur duket më e mirë se ato që vijnë vërdallë rrugëve të Tiranës !!!

  4. Izvori says:

    A do keni mendere ta mbani kete deklarate?Mos haroni se keni te beni me politikanet me mskarenj qe ka njohur historia Shqiptare,politikane qe ersiaju peshojne me para e pasuri te pa fundme,mos haroni se egersia e tyre eshte e pa njohur ndaj Jush qe i prishni qetesine e pasurine e 30 viteve.

  5. Gazetarja says:

    Se mos ja mbyllni deren Zamires , se pastaj , po e hapa me temen….?

  6. Suksese te metejshme says:

    Shume e drejte! Ata qe lane parlamentin duhet te japin mendje per zgjedhjet kurse keta qe jane e parlamente duhet vetem te votojne. Turp!!!

  7. Ben says:

    Kujtim Gjuzi vallë e ka shkruajtur kete leter?

  8. Bureto says:

    Maxhoranca nuk i ka 84 vota per te miratuar Kodin Zgjedhor edhe pse pa opoziten parlamentare, mund te arrihet nje akord midis trojkes PS-PD-LSI. Ndaj nese nuk u plotesohen kerkesat, ashtu siç kerkojne ne letren e mesiperme, atehere keta te jene te bashkuar si “Opozite parlamentare” dhe, ose te bojkotojne seancen kur ai projekt do te vortohet, ose ta votojne kunder. Aksion shume i veshtire nga ana e tyre, por urojme me gjithe zemer qe ta gjejne forcen qe te jene te bashkuar. Shume kujdes duhet te kene nga minutat e fundit, sepse deri atehere do luhet fort nga te gjitha anet qe t’i thyejne. Historia na ka dhene shume raste per te kuptuar se ç’mund te ndodhe. Por ai qe beri me shume pershtypje ishte ai i vitit 2007 kur 6 deputete te PS, atehere ne opozite, votuan pro Bamir Topit ish nenkryetar i PD propozuar prej saj si kandidat per President!!! Mbani mend qe atehere nga foltorja e Kuvendit Ben Blushi akuzoi se votat u ‘shiten’ per 500.000 dollare ne kembim te 6 votave pro Topit! E vertete apo jo pak ka rendesi, rendesi ka qe nga grupi parlamentar i PS, qe shpesh vepron si repart ushtarak, atehere firuan 6 vota. Po nga grupet e opozites se sotme parlamentare qe eshte nje konglomerat ç’mund te pritet?! E pra kujdes. Se fjala, ashtu si plumbi, po doli nuk kthehet më pas. A do jete ky rasti? Uroj qe ambasadat edhe ne kete rast te luajne nje rol ne favor te kerkeses per ndryshim sistemi, qe ne fakt nuk eshte vetem kerkese e opozites parlamentare, por e shume, shume me gjere. E do elektorati, shoqeria civile, partite e vogla etj. Vetem Rama dhe Basha, (Berisha dhe Meta pas tyre) nuk e duan ate ndryshim qe eshte ne fakt loja e tyre e prillit 2008. te mbeten pronare te partive te tyre dhe rotacioni kur do qe ai te ndodhe te jete vetem midis tyre. Shpresojme të ndodhe, sepse te pakten ambasada amerikane eshte shprehur ne favor, duke propozuar si model sistemin danez. Pse te mos ndihmojne te behet, kur kjo krahas reformes ne drejtesi, do te kontribuoje ne pastrimin e kenetes politike 30 vjeçare? A nuk duket se ky eshte dhe qellimi i tyre i ketyre 3-4 viteve te fundit?.

  9. bob says:

    Vetem shiko si e shkruajne emrin dhe gjyko per nivelin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje