Punonjësit në katedralen Notre Dame të Parisit nisën të hënën çmontimin e rreth 200 tonelatave rrjetë metalike që u shkri gjatë zjarrit të vitit të kaluar që dëmtoi monumentin historik.
Në kuadër të detyrës delikate, punëtorë të lidhur me litarë janë ulur në mbetjet e djegura të skelerisë. Në tërësi, procesi pritet të zgjasë përgjatë gjithë muajve të verës.
Dy ekipe me nga 5 punëtorë secili do të përdorin sharra për të prerë rreth 40 mijë tuba të shkrirë me njëri-tjetrin gjatë flakëve.
Skeleria ishte instaluar për rinovimin e pjesës së këmbanës përpara se të binte zjarri më 15 prill 2019.
Puna për lëvizjen e 40 mijë hekurishteve ishte ndërprerë për shkak të kufizimeve të koronavirusit, të cilat u vendosën më 17 mars për të frenuar epideminë.
Miliona njerëz në mbarë botën panë zjarrin që përfshiu çatinë e katedrales, që bëri që shtiza ikonë e saj të rrëzohej.
Mbi 1 miliard euro u mblodhën për rikonstruksionin e saj, me presidentin Emmanuel Macron që vendosi si objektiv rihapjen e katedrales në kohë për Lojërat Olimpike të vitit 2024 që do të mbahen në Paris.
Aktualisht katedralja është e mbyllur dhe do të qëndrojë kështu për shumë vite për shkak të restaurimit.