Atëhere, votim ligjit zgjedhor në këmbim të referendumit

9 Qershor 2020, 13:27Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka Prof.As.Dr.

Tryeza e Këshillit Politik nuk iu fut fare reformës së votës. Sistemi mbeti po ai spanjoll me lista të mbyllura me të cilat PS e PD kanë gjetur karar. I shtyn nevoja për kryerje reformash pa shkopinj nëpër këmbë, u lezeton pushteti apo u është bërë makth reforma në drejtësi dhe pandehin se imuniteti politik mund t’i mbrojë etj, koha do e tregojë.

Kuvëndi me “mëndjen” e vet!

Tani, doli tjetër avaz kundër reformës. Nuk ka kohë se do hapen negociatat! E bënë tërkuzë, e tani thonë jemi vonë duke ia kaluar presionin Kuvëndit ku nëse ndruhen, i ndruhen reagimit të opozitës se votat e mazhorancës, falë magjisë së “listave të mbyllura”, supozohet se i kanë në “xhep”!

Por Kuvëndi, vetëm shërbim noterie apo kançelerie ekspres nuk duhet të jetë. Për ligjin zgjedhor, në respekt të vetvetes dhe për të sfumuar akuzat se “listat e mbyllura” u mbyllin gojën deputetëve, ai duhet të ecë me “mëndjen” e vet.

E keqja nuk është sistemi spanjoll,  që pavarësisht motiveve, mbetet demokratik por intimidimi i zërit ndryshe që kërkon ndryshim sistemi dhe referendum rreth tij.

Votë me “urdhër peshku” në Kuvënd! Dilemat dhe sprova historike e deputetit

Pavarësisht farsës me Këshillin Politik, ironikisht reforma reale zgjedhore është më pranë se kurrë! Vota reformatore në Kuvënd duhet të kushtëzohet (më shumë se sa listat e hapura apo depolitizimi i komisioneve), me referendumin për sistemin zgjedhor menjëherë pas zgjedhjeve politike të 2021.

Është një shans për opozitën në Kuvënd të reklamojë avantazhin e listave të hapura duke dëshmuar se çfarë është në gjëndje të bëjë një deputet me integritet që nuk futet në Kuvënd me bekimin e liderit dhe që beson në institucione dhe demokraci.

Është një shans edhe për deputetët e PS, sidomos reformatorët, që të heqin dyshimet rreth listave të mbyllura të sistemit spanjoll duke dëshmuar se nuk e meritojnë nofkën deputetë “liste” dhe se listat e mbyllura nuk u mbyllin gojën!

Opozita në Kuvënd nuk është dosido! Ka dhënë prova!

Ka një dallim kësaj here opozita në Kuvënd. Është rebele në identitet e veprim dhe nuk identifikohet e tëra me “oborrin mbretëror”. Ajo dëshmoi kurajo e integritet politik e qytetar kur zuri vëndet në parlament në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, pavarësisht presionit politik e mediatik prej politikës së rrugës. Ishte një gjest që shpëtoi “faqen” e parlamentit, vetë PS, demokracisë, deri u hoqi një siklet të madh edhe partnerëve të huaj. Dhe nuk është pak!

Krejt ndryshe, PS nuk dëshmoi luajalitet ndaj opozitës në Kuvënd kur e dubloi atë duke u ulur me opozitën anarkiste të rrugës në tryezën e Këshillit Politik dhe bërë fakt të kryer ujdinë për ligjin zgjedhor.

Mbetet për t’u parë reagimi i opozitës së re në parlament por Këshilli Politik nuk është … Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, që t’i bindet kushdo apriori.

Referendumi i 2021 do të ndikojë sjelljen e Kuvëndit po atë vit!

Pas farsës me Këshillin Politik, Parlamenti ka shans të ndreqë imazhin demokratik të proçesit duke i dhënë hapësirën e duhur larmisë së opinionit politik, grupeve të interesit etj dhe vendimarrjes së lirë të deputetit për ligjin zgjedhor.

Dhe nëse vërtet nuk ka më kohë për reformë reale të sistemit zgjedhor (“djegur” nga PS e PD) dhe se kalimi i marrëveshjes kushtëzon negociatat me BE, atëhere opozita duhet t’a votojë marrëveshjen e sotme PS-PD, me kushtin … e miratimit nga Kuvëndi të zhvillimit të referendumit për sistemin e votës pas zgjedhjeve politike të rradhës në 2021. Kohë pastaj, ka boll!

Demokracia do të durojë edhe 4 katër vjet por falë referendumit, direkt pas zgjedhjeve të 2021, nga 2025 e tej do të votohet me një ligj zgjedhor që askush nuk e konteston dhe i jep hakun kujtdo në politikë.

Efektet e referendumit në fakt do të ndihen qysh në vitin 2021, sepse të gjithë deputetët do të nxitojnë të “rezervojnë” një vënd për 2025 në elektorat duke vënë interesin e votuesit përpara interesit të liderit në parti.

Po pati fleta e votimit më shumë se një emër, vota ka vlerë!

Sado demokratik, çdo sistem zgjedhor ka kusuret e tij. Mazhoritari përflitet për intimidim politik, ai spanjoll për statukuo dhe klientelizëm etj. Por, pavarësisht sistemit dhe referendumit ose jo rreth tij, fjalën e fundit e ka votuesi. Nëse do ndryshim, boll të zgjedhë ndryshe në fletën e votimit.

 Është koha për skanim politik. Deri tani PS, pavarësisht “lezetit” të ligjit spanjoll për ardhjen në pushtet, ka dëshmuar në qeverisje angazhim ndaj reformave në vend, sidomos ajo jetike në drejtësi. PS ka ofruar transparencë ndaj qytetarit, tolerancë e mirëkuptim politik ndaj rivalit, pavarësisht numrit të votave apo arbitraritetit dhe braktisjes së institucioneve prej PD e LSI. Ndërkohë, PD vetëm ka lënë nam me standartin demokratik. Qoftë në pushtet kur bën arrogantin apo në opozitë kur hiqet si viktimë!

Çdo parti ka nevojë për reformim (rotacioni i lidershipit, kufizimi i mandateve, listat bazuar në meritë për deputetë etj) Në rastin e PD ai është jetik për të dhe fatin e së djathtës në vënd. Ata që nuk e duan PS në pushtet, duhet ta fillojnë duke mos votuar më ata që në PD ia bëjnë të mundur pushtetin PS. Dhe sa kohë listat janë të mbyllura, duhet të votojnë gjetkë në spektrin e djathtë.

Përfaqësimi i së djathtës progresive në Kuvënd do të ishte me këtë rast shans, jo vetëm për demokracinë e rotacionin e nevojshëm politik, por dhe reformimin e vazhdueshëm të së majtës përballë (ku ende rotacioni lidershipit mbetet akademik dhe vetë e majta jo rrallë përdoret si dekor elektoral).

Dhe sa kohë janë më shumë se dy emra në fletën e votimit, nuk ka pse komentohet vetëm sistemi zgjedhor. Kryqin tek fleta e votimit e ka qytetari në dorë. Nëse PS e PD nuk bindin, të votohet një e tretë. Nëse nuk bind as ajo, të nxisë një tjetër alternativë apo të ofrohet vetë si e tillë.

1 komente në “Atëhere, votim ligjit zgjedhor në këmbim të referendumit”

  1. Epo kjo pune says:

    Pas zgjedhjeve te rradhes, po ne 2021 te behet dhe referendumi per sistemin zgjedhor. Koha del e tepron pastaj. Pastaj secili hakun e vet. Dhe edhe deputeti listes se spanjollit do i rrije gatitu nga 2021 votuesit se e di cfare e pret ne 2025 dhe liderave partiak do u bjere rendesia nderkohe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje