Moikomi, modeli i intelektualit që u braktis nga politika e shteti

16 Qershor 2020, 11:03Kulturë TEMA

Nga Ylli Pata

Moikom Zeqo u nda nga jeta në moshën 71-vjeҫare. Për intelektualët dhe mendjet e ndritura, kjo është mosha më prodhimtare për të dhënë pjesën më të rëndësishme të veprimtarisë së jetës.

Kishte kohë që vuante nga një sëmundje të rëndë, beteja me të cilën ishte e egër, por forca dhe dëshira për të jetuar e nuk e ndali. Dhe deri në momentin e mbramë, sërish nuk e la të shkruarit.

Bëhet natyrisht fjalë për Moikom Zeqon, intelektualin shumë të njohur në botën mbarë shqiptare, ndarja e të cilit nga jeta sot në mëngjes, ka sjellë një valë të madhe reagimesh në rrjete sociale, duke shprehur dhimbjen e ngushëllimin për këtë largim të parakohshëm.

Moikom Zeqo me origjinë nga Libohova, por i lindur dhe i rritur në Durrës, i përket brezit të artë të intelektualëve të viteve ‘70, i cili askush se di se cili ishte fusha e parë e tij në shkencat humane që lëvroi gjatë gjithë jetës së tij.

Poet i shkëlqyer, sa hyn në grupin e talenteve të të rinjve të viteve 70, arkeolog, kryesisht ekspert i studimit të vlerave historike në thellësitë e deteve, studiues letërsie, piktor, madje me disa ekspozita personale, eset, administrator i trashëgimisë kulturore, deputet, ministër Kulture, por mbi të gjitha një nga humanistët më të mëdhenj shqiptar.

Moikom Zeqo ishte një nga intelektualët më prodhimtarë shqiptar, i cili firmën e tij e ka lënë në 62 vepra të shkruara që cilësohen nga më të mirat e kulturës shqiptare.

Përveҫ se librat, Moikom Zeqo ishte një publicist ‘full time’, pasi që prej 30 viteve nuk ka rreshtuar së shkruari në faqet e gazetave shqiptare për kulturën, letërsinë e historinë.

I cilësuar si një nga “yjet në ngjitje” të letërsisë shqipe nga vetë Ismail Kadareja, Moikom Zeqo, në pjesën e parë të jetës intelektuale punoi si gazetar e punonjës shkencor i arkeologjisë dhe më pas në Akademinë e Shkencave.

Në janarin e vitit 1990, Ramiz Alia, e fton të futet në qeveri si Kryetar i Komitetit për Kulturën dhe së bashku me një grup intelektualësh i kërkon të bëhet themelues i Partisë Socialiste që do të krijohet më 12 qershor 1990.

Kjo është dita e hyrjes së Moikomit në politikë, që ai siҫ kishte bërë me të shumë profesionet e tij e merr me entuziazëm të madh.

Duke folur e dhënë idetë e tij hapur, me pozitivitet maksimal dhe pa i shërbyer ndarjes politike. Pikërisht këto cilësi të Moikomit që e bënin popullor tek të gjithë, duket se e dëmtonin politikisht pasi nuk donin që ti jepnin famë.

Socialistët nuk e propozuan ministër në qeverinë e koalicionit të Ylli Bufit, megjithëse ishte një nga xhevahiret e rralla intelektuale që kishin.

Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Fatos Nano e vendos në listën fituese të proporcionalit dhe Moikom Zeqo bëhet parlamentar i Partisë Socialiste.

Fjalimet e Moikomit në Parlament ishin krejt ndryshe nga të gjithë: Kurrë nuk fliste për gjera konkrete, por shtronte ide dhe rrihte larg. Kurrë nuk pati replika e as ndërprerje, pasi temat që ai shtronte nuk ishin asnjëherë partiake.

Pikërisht kjo mënyrë e të bërit politikë, ja ndërpreu karrierën e deputetit me vetëm një mandat parlamentar.

Në vitin 1997, kur socialistët fitojnë zgjedhjet, mediat e vendit e vendosnin Moikomin si kandidaturën më të natyrshme si ministër i Kulturës, ngaqë nuk e vunë për deputet. Fatos Nano emëron Arta Daden në këtë post, por Moikomit i jepet drejtimi i Muzeut Historik Kombëtar. Një “kostum” teknokrat që u duk i papërshtatshëm për intelektualin që tashmë ishte futur në politikë.

Megjithatë Moikomi e pranon këtë post si një rikthim te shkenca dhe realisht atë ditë braktis politikën aktive, por nuk hesht ndaj problemeve të politikës, madje është më aktiv e kritik se kurrë.

Pikërisht zëri i Moikomit si kritik i “pandreqshëm” e largoi gjithnjë e më shumë nga PS-ja që ai themeloi.

Edhe pse mbeti deri në fund një ithtar i së majtës politikisht, Moikom Zeqo, ju kthye fuqishëm studimit dhe publicistikës që nuk e la asnjë ditë, madje duke qenë aktiv në analiza politike, debate për historinë, recenca letrare e deri në diskutime për çështje të shumta të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Pas vitit 2005, kur u zëvendësua si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, nga një aparatçik militant i Partisë Demokratike, Moikom Zeqo nuk punoi asnjë ditë në shtet.

Një akademik i përmasave të tilla që u braktis nga shteti, të cilit i dha gjithҫka nga vetja dhe energjitë e tij. Prej 15 vitesh, Moikomi ka jetuar me honorare gazetash e librash, sikur të ishte rishtar në letërsi a kulturë.

Një turp për ҫdo shtet që braktis një gjeni të tillë. E megjithatë Moikomi nuk u ankua asnjëherë, madje as në bisedat me miq, por vetëm shkruante, shkruante e diskutonte.

Me daljen e rrjeteve sociale Moikomi ishte një fenomen i vërtetë, edhe pse shumë homologë e moshatarë të tij nuk po i përshtateshin dot. Kishte ndjekës pafund që e bekonin, uronin dhe jepnin zemër në ditët e vështira të kimioterapisë që intelektuali i madh i shpërndante me ndjekësit.

Ndau me mbështetësit e tij edhe gëzimet private, sidomos atë të qenurit gjysh, ku gëzimi i Moikomit për lindjen e mbesës së tij ishte “biblik”.

E që natyrisht familja ishte ngushëllimi i tij më i madh, natyrisht së bashku me miqtë, ndryshe nga shteti e politika që e braktisi, ngaqë i frikësohej mendimit të tij të lirë!

9 komente në “Moikomi, modeli i intelektualit që u braktis nga politika e shteti”

  1. Eri says:

    Humbje e madhe per familjen dhe kombin tone.Po nuk pritet nga politikanet mafioze dhe hajdute perfshire ketu dhe qeverine e hajdutit dhe te cmendurit kryeminister te respektojne figurat e kombit.

    1. Ylli Patoku says:

      Hahahaha. Pse nuk thoni se pas kesaj ne kemi humbur fare si komb??? Kush do na studioje nen uje e mbi uje, kush do na shkruaje e kush do na molloise, te shkretet ne. Ikni ore mos flisni dokra, se ky Komi me marifete i ka bere te gjitha, deri edhe pensionin suplemetar 1 milionesh qe merrte. Dhe e paskan braktisur, kur i kane dhene per pension nje rroge minsitri dhe ti rrinte bytha rehat ne kafene.

  2. Pyka says:

    Moikomi është Zgalem i kulturës shqipe….I MADH…i pangjashëm me të tjerë….eshtë ,ka qënë dhe do të jetë DIELL që do ti verboje gjithmone minjte…jemi me fat që e kishim dhe që do kemi veprat e tij….

  3. Cudia says:

    Respekte! Shkrimi i thote te tera. Ne nuk dime te bejme shtet ne shume drejtime. Nuk dallojme dote kush na ben pune e kush na vjedh. Biles keta te fundit i quajme te zote.

  4. Moikom Zeqo dhe Ukshin Hoti dy kolose te pashoq kombit shqiptar.
    Jo shpesh dalin te tilla figura

  5. Kabashi says:

    Te kesh mbeshtetjen e shtetit duhesh te jesh me pushtetaret ne pushtet. Njerezit me dije, diinjitet, parime si puna e Moikom Zeqos nuk i servilosen politikanit te korruptuar, rajonal e mujshare si keta qe po qeverisin ne tokat shqiptare.

  6. Shkezen Haxhia says:

    kur Edi Rama flaku ne rruge Moikom Zeqon,aq sa nuk icoi asnje mesazh ngushellimi familjes,merret me mend se cu punon ai intelektualeve te tjere te PS. Dhendokush mundohet ta quaj lider e skenderbe kete funderrine qe e coi PS drejt fundit te pashmangshem.

  7. Astrit says:

    Nuk po i permend titujt Akademik, librat qe ka shkruar jo e jo,,edhe ti numerosh jane mbi 60.
    Ti lexosh,eshte edhe me e veshtire.Nje vlere,qe nuk do e gjejme me.
    Do i mungoje,jo vetem familjareve,por te githeve, qe kane pasur mundesine ta takojne ta degjojne e te lexojne enciklopedine e te ndriturit MOIKOM.
    Humbje e madhe .Kombi do i jete mirenjohes.
    .

  8. Astrit says:

    Nuk po i permend titujt Akademik, librat qe ka shkruar jo e jo,,edhe ti numerosh jane mbi 60.
    Ti lexosh,eshte edhe me e veshtire.Nje vlere,qe nuk do e gjejme me.
    Do i mungoje,jo vetem familjareve,por te githeve, qe kane pasur mundesine ta takojne ta degjojne e te lexojne enciklopedine e te ndriturit MOIKOM.
    Humbje e madhe .
    Kombi do i jete mirenjohes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje