Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Denar Biba thotë se propozimi i opozitës për reformimin e Komisionit është një “dezhavu në limitet e seriozitetit” .
Biba u shpreh se sa herë që ndërkombëtarët kërkojnë reforma efektive “në fund fare e gjithë përpjekja degradon te ndryshimi i KQZ-së”.
“Ndodhi në vitin 2012, kur u ndryshua i gjithë Komisioni, tashmë po ndodh edhe tani në vitin 2020. Raporti i OSBE/ODIHR-it, lë detyrë kryesore depolitizimin e të gjitha strukturave që menaxhojnë procesin zgjedhor, por të gjithë e dimë se ditën e zgjedhjeve vendimtare janë dy shtresat e tjera të administratës, komisionet e qendrave të votimit dhe komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, jo KQZ-ja,” – u shpreh Biba duke shtuar se “në pamundësi për të bërë atë që duhet bërë, bëhet ajo që është më e lehta dhe që nuk sjell asnjë efekt”.
Mazhoranca dhe opozita patën dakordësuar më 5 qershor në Këshillin Politik për një reformim të KQZ-së duke e bërë me 5 komisionerë dhe jo 7, siç është aktualisht. Por së fundmi opozita kundërshton mënyrën e përzgjedhjes së tyre duke propozuar tre faza: kontroll të kritereve të kandidatëve nga Avokati i Popullit, zgjedhje nga një komision përzgjedhës të balancuar dhe me 5 anëtarë (3 mazhoranca, 2 opozita) dhe më pas votimi në bllok i listës në Kuvend.
Por ky propozim është hedhur poshtë nga mazhoranca me pretendimin se anashkalon Kuvendin nga kompetenca kryesore e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Nderkohe qe tan i opozita terhiqet!
I pyetur rreth perceptimit se çështjet dhe përplasjet e tilla politike po politizojnë gjithashtu edhe qytetarët, Biba ishte i një mendimi të kundërt.
Sipas anëtarit të KQZ-së fakti që qytetarët shqiptarë po shfaqin një prirje në rritje për të mos marrë pjesë në zgjedhje tregon se ata nuk janë dhe aq shumë të përfshirë në përplasjet politike duke nënkuptuar këtu që ata e kërkojnë dhe depolitizimin e administrimit të procesit.