Zia jonë më e gjatë për Moikomin tonë të madh

22 Qershor 2020, 15:49Kulturë TEMA

Nga Pano Hallko

Nuk u vendos me parlament, e as me dekret. Nuk e vendosën zinë për ty, as shoqatat, e as akademitë. Nuk u vendos as në ndonjë miting madhështor, ku të merrte vulën e “sovranit”.

Askush nuk vendosi që zia për ty, Moikom, të zgjaste një javë, plot gjashtë ditë. Gjashtë ditë jetë e përzishme.

E sollën kushtet, largësia e fëmijëve të tu të mrekullueshëm, e Epidamit tënd, me të cilin krenohemi të gjithë. E solli kufizimi i lëvizjes, që ka ngërthyer një botë të tërë. Kjo është arsyeja e dukshme me sy të lirë, ajo e prekshmja.

Pa dashur të besoj në gjëra të paqena e të stisura, megjithatë nuk mund të injorohet ky fakt. Që ti, plot gjashtë ditë nga sekonda e frymënxjerrjes së fundit, qëndrove këtu, mes nesh vdekatarëve të zakonshëm.

E ne, brenda tragjedisë që përjetuam, përsëri ndiheshim të “lehtësuar”. Gjithë këto ditë, njerëzit pyesnin:-Ku është Moikomi? Domethënë, ku e kanë strehuar, sistemuar, ku ndodhet ai sot? Po dje, ku ishte? – Në morg – ishte përgjigjja.

-Eehh! Mirë, domethënë qenka këtu – shprehej tjetri, mes mërzitisë së pacak, por edhe qetësimit të pa shkak, për faktin që ti ishe këtu. Sepse ty të donin të gjithë shqiptarët e thjeshtë e shkencëtarët e mirëfilltë, në të gjitha trojet shqiptare. Të duan, se i deshe.

Pse jo, ishim ne, ata që kishim nevojë të të kishim edhe një javë këtu, mes nesh. Ndoshta vetëm kështu, ne mund të shlyenim një të miliontën e borxhit, që të ngelëm përjetësisht.

Ecin të gjitha këto mendime, e asnjë prej tyre nuk është i pabazë.

Mund të vdesësh, e mund të të vdesin!

Në këtë gazetë, më 19 dhjetor 2014, me firmën e njërit prej pak poetëve që pati ky vend, të paharruarit Lirim Deda, është botuar opinioni i ditës me titull “I papuni Moikom, që turpëron shtetin”.

“Mund të vdesësh, e mund të të vdesin”. Këtë e shkroi simaja jote e vetme, mbetur i vetëm tanimë, akademik Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja pati burrërinë dhe trimërinë intelektuale, të të shpallë :- “Ishe i rëndësishëm, sepse kishe shumë dije. Më shumë se asnjë intelektual tjetër, më shumë se asnjë krijues tjetër, më shumë se asnjë shkrimtar e asnjë studiues tjetër shqiptar”.

Historia nuk di të falë. Kjo është në fuqi për të gjithë botën, përjashto vendin tënd dhe timin, Moikom. Por, qoftë edhe për inat të shqiptarëve, do vijë shpejt koha që historia të flasë me gjuhën e saj të hekurt, e të pamëshirshme.

Në analizën e tij “18 Brymeri i Bonapartit”, Karl Marksi shkruante: – “Një kombi, ashtu si edhe një gruaje, nuk mund t’i falet çasti i dobësisë, ku i pari palaço që kalon andej, të mundet ta përdhunojë”.

Shoqëria njerëzore në rrugën e saj të përparimit dhe zhvillimit themeloi ndërmjet të tjerash titullin e nderit “Honoris Causa”.

Por, historia e shoqërisë njerëzore jep edhe të kundërtin e atij titulli. Ajo jep edhe titullin e turpit “Honoris Causa”.

Kështu për shembull Elisabeta e Rusisë, e “garantoi” vendin e saj në histori, me titullin turpi “Honoris Causa”, kryesisht për faktin se ajo emëronte në poste të mareshallëve, servilë. Katundarë servilë emëroi ajo, edhe si profesorë akademie, e shërbëtorët e oborrit të saj, me dekrete i titullonte kontë deri edhe në funksione të larta të shtetit.

Ashtu siç historia ia akordoi atë titull me bujari edhe Luigjit të XIV, me shprehjen e tij të “famshme”, “L`etat cest moi” – shteti jam unë.

Se ku do të gjente ky vend, ministër Kulture më dinjitoz e më të aftë sesa ti, më të përkushtuar sesa ti, le ta gjejë me sy plasur, kur të bëhet ndonjëherë… vend!

Personaliteti yt i pangjashëm me një të dytë e impononte që ti të ishe ministër i Kulturës, të paktën deri në datën e daljes në pension, pa shkëputje, asnjë ditë. Pavarësisht partive që ndërronin ulëset.

Vetëm dhjetë muaj ishe ministër i Kulturës. Por ishe ti, ai që bindi Vjenën të sillte përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në vitin 2012. Që shqiptarët nopranë të festonin me njëfarë dinjiteti 100-vjetorin e Pavarësisë (e jo të shtetit). Vërtet, sa njerëz e dinë këtë fakt sot në Tiranë?

Ti, Moikomi ynë i pashoq mbete dhe do të mbetesh në historinë e këtij vendi si i papuni më i famshëm i tij, i papuni që do të vazhdojë të turpërojë shtetin shqiptar në të gjitha kohërat. Edhe kur ai të jetë ndërtuar vërtet si shtet i së drejtës (e doemos atëherë) do t’i skuqet faqja përjetësisht.

Ta goditën gjakun, por…

Pushimi yt nga puna në vitin 2005 do të bëhet leksion për fakultetet e Drejtësisë dhe të Gazetarisë. Leksioni me temë: “Si nuk duhet të jetë shteti”.

Pushimi yt nga puna ishte “shpërblimi” që të jepte gjoja-shteti “shqiptar”. Dhe “me të drejtë”! Sepse dije shumë, më shumë se të gjithë të tjerët të marrë së bashku. E sepse dije shumë, ishe “i rrezikshëm” e na prishje punë; domethënë na prishje… ato “bëmat” tona.

Të lamë pa punë, duke e ditur se i vetmi “biznes” i yti përgjatë gjithë jetës tënde të shkurtër ishte rroga që kishte vendi yt i punës.

Ti i madhi ynë mendimtar i the gjërat troç si një intelektual i klasit të parë, qysh në hapin e parë të ndërrimit të sistemit: – “Kur Stambolli bie, nuk bëhen diskutime teologjike se çfarë seksi kanë engjëjt”.

Ti e shikoje llavën obskurantisto-fashiste që ishte duke ardhur, në ndërtimin e kapitalizmit alla- shqiptarçe. Andaj, siç ishte në nderin tënd, thirre:

– “Çështja e çështjeve është si të luftojmë për humanizëm dhe për një farë drejtësie sociale në konditat tona të reja, me problemet që kemi. Nga kjo pikëpamje duhet që raporti i anës kombëtare me anën doktrinare të anojë nga ana kombëtare. E jo të ndodhë e kundërta”.

Dhe e shpëtove nga thonjtë e pistë të tribalëve Shqipen e Skënderbeut, të cilën donin ta zëvendësonin me shkabën e Stefan Dushanit.

Ti ishte interpreti më i mirë i Sun Xu-së, e ndër pak ekspertët e Sigurisë Kombëtare.

Intelektuali i vërtetë është truri i kombit. Intelektualët janë ajo forcë krijuese mendore, pa të cilën nuk bëjnë dot partitë. Shqiptarët e tranzicionit flasin vetëm për vlerën e punës (e kryesisht për mbivlerën).

Por nuk flasin për vlerën e trurit, që duhej të ishte vlera më e madhe, më e koncentruar kombëtare shqiptare. E prandaj jemi këtu ku jemi, e këta që jemi.

…nuk ta vranë dot, Moikom!

Ti Moikom ishe njohësi më i mirë i nëntokës dhe i nënujit shqiptar. Truallin e këtij vendi e kishe shkelur cep më cep, ndoshta i vetmi pas Mehmet Shehut.

Shehu e shkeli për arsye strategjike ushtarake e ti për një strategji më madhore: për certifikimin e kombit. Prandaj ishe dhe mbetesh avokati më i aftë i kulturës shqiptare. Ti e shpalle atë kulturë, pjesë të kulturës indoeuropiane e jo thjesht “një bijë” të saj.

Sepse si një notar i pashoq, themelove Arkeologjinë nënujore shqiptare. Dhe i shkele me këmbë e i preke me dorë fundet e dy deteve, Adriatik e Jon. Ashtu siç nuk le vend pa “pluguar”, qysh nga shpella e Haxhi Aliut, në liqenin e Belshit, në Liqenin e Ulzës, në kalanë e Drishtit, në nëntokën e Komanit…

Qysh kur dole në skenën e letrave, ti nuk njohe tabu, sepse ishe i lindur për të bërë punë të mëdha. Punë që lanë gjurmë të pashlyeshme edhe jashtë Shqipërisë. E prandaj edhe u ndëshkove si ekzistencialist. Në poezi, e në prozë. Ti fute në letërsinë shqipe dhe lëvrove si askush tjetër sinopsin dhe palimpsestin. Dhe poezinë e pangjashme me asnjë tjetër. Ishte dhe mbetesh edhe për shumë kohë që do të vijnë Borgesi shqiptar, e njëri ndër katër-pesë postmodernistët e Europës.

Askush tjetër nuk do mundet të shkruajë “Mona Lizën”, “Florimontin” e nuk do të mundë dot njeri të bëjë intervistën tënde me Leonardo Da Vinçin, të shkruajë “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit”. Shkrove “Syri i Tretë” për Naimin, për Lasgushin. Për Rexhep Qosjen tonë të madh. Shkrove për të mëdhenjtë, se nuk kishe komplekse. Sepse ishe vetë i madh.

Në datën 21 janar të vitit 2013, në faqet e kësaj gazete, me firmën e autorit të këtyre radhëve u botua shkrimi me titull “Letërsi Moikomiane”. Pas asaj date, këtë togfjalësh e kanë lëpirë si karamele shumë shkrues. Por, kjo s’ka asnjë rëndësi.

I papunë prej 9 vitesh, shkove të mbledhësh vitet e punës (të asaj “të matshmes” në librezë). Por të thanë: “Janë djegur dokumentet. Hap gjyqe”. Për turpin e tyre, ata që uzurpuan Muzeun, nuk të jepnin as… librezën e punës!

Epo ti nuk kishe nge të merreshe me shtetin estradë, që nuk njihte vulat e tij në librezën tënde të punës. Edhe pse ishte i vetmi mjet i ekzistencës tënde. Dhe të dhanë pension, plot… 18.000 lekë (të reja të lutem)!

Sepse ti atë vit, prodhove vepra për kulturën kombëtare. Atë vit, ti shkrove… “Portat pa epilog”, “Emrat e zotit”, “Si ta mësojë peshku abetaren”? dhe “De Rada-rishpikja e Arbërisë”…

E “komisioni” i ministrisë (së pakulturë) të Kulturës, nuk mundi të lexonte as “De Radën”, të cilin ti e konsideroje librin e jetës tënde. Po për sa libra të tutë, më pate thënë kështu, o Moikomi ynë?

Librat e tu të gjithë, e secili veçmas, janë libra që askush nuk i shkroi e nuk do t’i shkruajë dot përgjatë gjithë jetës së tij. Qoftë edhe një libër të vetëm për gjithë jetën. Kurse ti i shkrove mbi 100 libra të tillë, të pashkrueshëm dot më, brenda jetës tënde të shkurtër. Po edhe po ta lexonin, a do kuptonin gjë?!?

Drejtuesit e emëruar pa meritë të Akademisë, me identitetin e tyre të mjegullt, të ftonin në çdo veprimtari e konferencë shkencore. Sepse nuk i jepnin dot “dum” pa ty, e pa argumentet e tua. E ku t’i gjenin ata, se mos të ranë rrugës argumentet ty?!?

Dhe ngrihej “akademyku” me identitet të mugët, e pafytyrësisht thoshte: – “Dhe tani, fjalën e ka akademik Moikom Zeqo”! Me atë titull, që kurrë nuk ta dhanë.

E ti, ishe i kënaqur me gradën “Doktor i Shkencave”. –“Këtë e kam marrë me djersë. Gradat e tjera, që i japin partitë, nuk i dua”, – thoshe në bisedë.

Prandaj edhe shkruajte në vitin 2012, te “Vetullat Hyjnore”: – “Fle dhe zgjohem, lëviz, shkruaj dhe plagosem çdo çast, i përgjakur nga mosmirënjohja”.

I vetmi shqetësim që kishe sa i takon vdekje-jetës ishte: – “Njerëzit e mençur nuk i shqetëson vdekja. Ata kanë merak, se çfarë do ngelet nga jeta e tyre”.

Teksa të dëgjoja që e shprehje thuajse në çdo bisedë këtë shqetësim, pyesja veten. Së brendshmi: – “Po kur shqetësohet ky, për gjurmët që ka lënë, ne të tjerët, duhet t’ia heqim vetes”!…

Kur ishe deputet, në një takim me njerëzit, i the Iljaz Ismailit: “E shikon këtë mëngën e kapardinës sime? Është e ronitur. Një ikonë po të shisja, do garantoja edhe jetën e nipave. Por unë besoj se Shqipëria do ketë bij që ta qeverisin, pa e vjedhur atë”…

Bakkalaureusi i thoshte Mefistofelit: -“Des Menschen Leben lebt im Blut”. Domethënë – “Jeta e njeriut, rron në gjak”. Në gjak u godite. Por gjakun s’ta vranë dot.

Le që, edhe po të duan ta vrasin gjakun tënd, do hyjnë në gjak me qytetërimin botëror edhe me kulturën botërore. Sepse nuk vritet vepra jote, pasi nuk mund të ndodhë dot, kjo gjë.

Nuk e bëjnë dot, se nuk e kanë atë zotësi. Shqiptarët janë “të zotët” të vrasin njëri-tjetrin. Për një fjalë goje, për një vijë uji, për një lëkurë dhie, për një portofol me lekë, e për një… mender “nder”. Për këto, e deri këtu. Deri më sot. Le të urojmë të shohim të kundërtën. Kur do qoftë.

Gjaku yt rron në pasardhësit e tu dinjitozë. Gjaku yt rron në veprën tënde të pashoqe.

Në veprën, e cila sot për sot është “ushqim i rëndë”, për shumicën dërrmuese të stomakëve shqiptarë.

Vdekja jote? Skemë fjale, skedë e plotësuar nga duar nëpunësish të zakonshëm.

Në zyra të ftohta, që ngjajnë me vdekjen. Në djall vdekja! Vdekje vdekjes!

Rroftë Moikomi! Sepse ti, rron. E jo thjesht për skemë fjale…

4 komente në “Zia jonë më e gjatë për Moikomin tonë të madh”

  1. Abedini says:

    Kujtoj me mall vargjet e larta qe Moikomi yne i kushtoi shokut te dashur Enver, ndjenjen e tij, dashurine e pakufishme per Partine dhe vepren e saj, edhe shoqja Nexhmije e vleresonte lart. Tradhetaret e idealeve e lane larg sofres por kujtimi i tij do te mbese mes nesh.

  2. Ideali says:

    Nje hartim Brockull, mbushur me te paverteta. Autori s ka pyetur sa pension merrte Molotovi si ish deputet. Afer dhjetefishin e minatoreve apo te punetoreve te nates.Autori nuk e di se gruaja e tij i rropi ndertuesit ne Durres si shefe e Urbanistikes se bashkise sa socialistet vet me ne fund e hoqen. Autori nuk ka gerrmuar pak, pak fare te gjej sa sapartamente dhe dyqane disponon ajo me mbiemrin Miraj apo dhe Zeqo… E levdon pa fund te birin se zgjodhi braktisjen e vendit. Ky eurodit i madh dhe patriot i madh qe gezoje familjarish emrin e kryeministrit te Bashkimit Sovjetik e nderroi ate dhe i edukoi femijet, qe me dashurine e madhe per atdheun, ta braktisin ate. O Zot cfar hipokrizie na shoqeron, cfare injorance dhe cfare ushqimi i prishur dhe i patretur per vite e vite me radhe. Te vjen per te vjelle.

  3. pilo says:

    Kur flasin per Moikomin edhe “idealiste” kermatare, mos mbete mbi Toke kembe njeriu nga corona. Pano, te pergezoj per shkrimin, po nuk bisedohet sot me gazetat se jane kthyer ne maska te corones.

  4. Ideali says:

    O Pilo, jeton ne hene me duket.Asnje fjale persa shkrova.Sigurisht je nga ata qe s ka lexuar nje rresht nga letersia apo historia, lere pastaj nga vepra e Molotovit. Rrembythjet keshtu e kane. S behet me rrembythje ky vend. Shkrova ca te verteta, ca te tjera jo. Edhe me te renda. Po gjende mire.*shtaret e partise e mbrojne njeri tjetrin edhe ne varr. Po e futet ne varr Shqiperine a derezinje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje