SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri

23 Qershor 2020, 18:43Kronika TEMA

Prokuroria kërkon konfiskimin e thuajse të gjithë vlerave monetare të sekuestruara në banesën e ish-gjyqtarit Miri, duke argumentuar se nuk është arritur të provohet burimi i ligjshëm i tyre.

Nga Edmond Hoxhaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i kërkoi të martën Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit, Shkëlqim Miri.

Sipas prokurorisë, duke qenë se ish-gjyqtari Miri është i dënuar për korrupsion, ai është subjekt i Ligjit nr.10192 datë 2 dhjetor 2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe se mundet që t’i nënshtrohet masave parandaluese pasurore.

Miri u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Ish-gjyqtari së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe shtetasin Alban Bucin u arrestuan nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi sipas organit të akuzës ndërhynë për të lënë në fuqi dënimin me 8 vite burg për të pandehurin Gentian Doda kundrejt 30 mijë eurove – vendim i cili i dha lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare të martën, prokurori i çështjes Klodian Braho tha se prej hetimit ka rezultuar se Miri ka pasuri të pajustifikuara.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Mirit në nëntor të 2017-ës, u gjetën dhe u sekuestruan 174.810 euro, 1000 USD dhe 10 milionë e 149 mijë lekë.

Sipas SPAK, të ardhurat e realizuara nga familja e ish-gjyqtarit Miri nga 25 janari 2017 deri më 9 nëntor të po atij viti kanë rezultuar në vlerën 7 milionë e 384 mijë lekë, ndërsa shpenzimet 6 milionë e 570 mijë lekë. Prokuroria konsideron se diferenca e mbetur mes të ardhurave dhe shpenzimeve në vlerën 813 mijë lekë është e ardhur e ligjshme dhe është zbritur nga shuma 10 milionë e 149 mijë lekë e sekuestruar në banesë.

Nga vlera 174.810 është zbritur shuma 30 mijë euro e konfiskuar gjatë procesit të mëparshëm si pjesa e parave që dyshohej se ishin marrë nga gjyqtari Miri.

Prokuroria ka rrëzuar pretendimet e Shkëlqim Mirit se sasia e parave të gjetura në banesën e tij u përkasin familjarëve dhe personave të tjerë. Sipas organit të akuzës, nuk mund të provohet se babai i ish-gjyqtarit Miri ka pasur në zotërim vlerën 9 milionë të pretenduar gjatë gjykimit.

Edhe deklarimet e dy shtetasve të tjerë që kanë pretenduar se kanë lënë tek familja e Mirit shuma monetare me qëllim kryerjen e ndonjë investimi, konsiderohen të paprovuara nga SPAK.

Një nga deklaruesit ka pohuar se për periudhën 2005-2015 ka lënë pjesë-pjesë në familjen e ish-gjyqtarit vlerën 50 mijë euro, ndërsa tjetra ka pohuar se gjatë viteve 2012-2017 ka lënë shumën 120 mijë euro.

Sipas organit të akuzës, Miri dhe deklaruesit e tjerë nuk kanë arritur të provojnë ndonjë iniciativë konkrete investimi ashtu si kanë pretenduar, si dhe as ndonjë marrëdhënie kontraktuale midis njëri-tjetrit.

Prokuroria identifikon edhe faktin se Miri ka pasur detyrimin të deklarojë pasurinë, por në vitin 2017 rezulton se nuk i ka pasqyruar shumat monetare në gjendje cash që i janë sekuestruar.

Në përfundim prokurori i çështjes Klodian Braho i ka kërkuar gjykatës konfiskimin e shumave monetare 144.810 euro që mbeten pas zbritjes së 30 mijë eurove të konfiskuara më parë; 1000 USD dhe 9 milionë e 335 mijë lekë që është diferenca pas zbritjes së vlerës 813 mijë lekë e konsideruar si ardhur e ligjshme. Prokuroria thotë se gjatë gjykimit të mëparshëm, Mirit i është kthyer shuma 544 mijë lekë dhe nga vlera 813 mijë lekë duhet ti kthehet edhe shuma 269 mijë lekë.

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 3 korrik kur pritet që Miri dhe mbrojta e tij të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

10 komente në “SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri”

  1. Trotski says:

    te Nderuar SPAKISTA-Filloni me Pasurite e Like Bajges dhe te Oborrit te Salehut ,qe te gezoni Popullin qe i ka drejtuar syte tek JU dhe tek Amerika.

    1. ben says:

      Trotski-shkurt e sakte. Bravo per komentin. Merren me kecat e vegjel dhe harrojne, ose bejne sikur harrojne, cjeperit e medhenj.

  2. fierza says:

    Sa shkelqimat e sa gjin gjon ka te tille qe lista eshte shume e gjate
    po absolutish nuk i besoj SPAK sepse duhen me bole qe per fat te keq u mungojne
    nese duan te tregojn se duan te bejne punen te gjithe gjygjtaret dhe prokuroret qe kane dal nga sistemi drejtesis si te inkriminuar dhe te korruptuar tu sekuestrohet deri qindarka e fundit dhe te burgosen te gjithe pa perjashtim
    bashke me keta Te. erren te pandehur .
    Rama,berisha,basha,monika,ilir meta pastaj keto plehera hapin zingjirin
    po te doni ju SPAK provat i keni te arshivuara per te dy palet burgun ne req e kemi perfunduar
    dhe shpetoni shqiperin dhe shqipetaret,Hope,hope,hope

  3. shqip says:

    E di sa Shkelqima e Shkelzena ka kjo tokë? Të bësh vetingun e shqiptarëve, vetëm nga paratë e pa justifikuara apo pronat e grabitura, do ta kthenin Shqipërinë një ndër vendet me te shëndosha nga ana financiare. Nga 90 e këtej ky vend është vetëm rrjepur, rrjepur i gjallë. Vetëm pasuria kombëtare që u la nga shteti shqiptar I para 90, kap shifra disa niliardeshe. Ku shkuan? Po miliarda dollarë që bota ka hedhur këtu ? Sa te tjerë miliarda kanë hyrë në mënyrë legale ( emigraciini), e ilegale ( veprimtari kriminale trafiqesh). Ju më thoni Miri dhe babai Mirit. Shtet hajdut, me qeveri hajdutesh, me 70 % të deleve hajdute. Gëzuar festat e çlirimit, 28 dhe 29. Besoj do ja arrijmë të kemi edhe një datë tjetër. Prisni se s’keni parë gjë akoma .

  4. shqip says:

    E di sa Shkelqima e Shkelzena ka kjo tokë? Të bësh vetingun e shqiptarëve, vetëm nga paratë e pa justifikuara, apo pronat e grabitura, do ta kthenin Shqipërinë një ndër vendet me te shëndosha nga ana financiare. Nga 90 e këtej ky vend është vetëm rrjepur, rrjepur i gjallë. Vetëm pasuria kombëtare që u la nga shteti shqiptar I para 90, kap shifra disa niliardeshe. Ku shkuan? Po miliarda dollarë që bota ka hedhur këtu ? Sa te tjerë miliarda kanë hyrë në mënyrë legale ( emigraciini), e ilegale ( veprimtari kriminale trafiqesh). Ju më thoni Miri dhe babai Mirit. Shtet hajdut, me qeveri hajdutesh, me 70 % të deleve hajdute. Gëzuar festat e çlirimit, 28 dhe 29. Besoj do ja arrijmë të kemi edhe një datë tjetër. Prisni se s’keni parë gjë akoma .

  5. ABC says:

    Domethene, neqoftese se nuk arrestohesh nga policia per korrupsion ja hodhe.

  6. Emigrant rrugeve te botes, pa shtepi ne vendlindje says:

    Ky gjyqtar i plepave i koruptuar qe ne hapat e para te tij pas shkolles se plepave, merrte para si i pangopur nga te gjitha palet. Prinderit e mi ne 94, humben shtepine duke patur te gjitha dokumentat e rregullta te blerjes, sepse ky Cimi morri para nga pala tjeter. Prinderit me vdiqen te deshperuar pa patur nje cati ne koke, ne dyer te dhendureve. Vonon po nuk harron kane thene. Perendia nuk eshte mace qe te gervisht o zoti “gjykates” kur te vihet t’i merr te gjitha. Shpresoj ta cojne deri ne fund sekuestrimin.

  7. Koli says:

    Paska qene si pune banke ky gjykatesi te gjithe te afermit i linin te ky parate e tyre jo te shtepite e veta.Kapini rrasini ne burg keta muter se na i kane lene hajduter e kriminela te lire rrugeve.

  8. loni says:

    Me kete Mirin doni te na hidhni hi syve.

  9. Dalip Tahipi says:

    Mire e beni qe i konfiskoni pasurit ketyre shushunjave qe kane rrjepur popullin, po pse s’beni te njejten gje me te shoqen e Halabakut te Tropojes, Ms Hajdari, Gjin Gjoni dhe shume te tjer gjyqtare te korruptuar. Po Like Floririt kur do ja dergoni, apo prisni per Lululken… Spaku eshte nje pordhe me rigone q i eshte servirur popullit, por te gjithe politikaret s’jane te interesuar te behet drejtesia se e din, c’i ret. Burgu!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje