Ndalohet një person i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Kurbin

23 Qershor 2020, 09:17Kronika TEMA

Policia e Tiranës ka ndaluar një person si të dyshuar për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në hollin e një hoteli mbrëmjen e 30 Majit në Kurbin. Nga burimet policore mësohet se i ndaluari është 30-vjeçari me iniciale E.D.

Sipas të njëjtave burime, bëhet me dije se 30-vjeçari ishte paraqitur në një spital privat në kryeqytet, duke kërkuar ndihmë mjekësore.

Mjekët konstatuan se ai kishte një plagë plumbi që ishte infektuar. Një plagë e tillë e infektuar, tha një burim, bëhet 13 deri 21 ditë pasi personi është plagosur.

Pas këtij konstatimi, mjekët lajmëruan menjëherë forcat policore. Uniformat blu shkuan në vendngjarje dhe pas të gjitha verifikimeve zbuluan se bëhet fjalë për 30-vjeçarin me iniciale E.D., i cili mjekëve u ishte prezantuar me identitet tjetër.

Autoritetet policore dyshojnë se ai mund të jetë një nga autorët e përplasjes me armë në hotelin në Kurbin ku u vranë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.

Deri tani, 30-vjeçari i ndaluar nuk ka dhënë asnjë shpjegim para bluve të kryeqytetit. Nga përplasja me armë në Kurbin, mbeti i plagosur edhe Kreshnik Tushaj, i cili mbahet i arrestuar pasi dyshohet se ka pasur rol në ngjarje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje