Deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti është shprehur i prerë sot se nuk do të votojë asnjë marrëveshje, që cënon interesin e shqiptarëve.
Në një intervistë për A2 CNN, deputeti Përmeti, ndërsa u pyet në lidhje me marrëveshjen e firmosur nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, theksoi se opozita parlamentare nuk do të heqë dorë nga kërkesa për ndryshimin e sistemit.
“Ne mund të bëjmë presion. Fakti që edhe shoqëria civile, intelektualë, pedagogë, analistë e gazetarë e kërkojnë ndryshimin e sistemit, kjo tregon se nuk jemi vetëm.
Ne jemi parti të ndryshme, nuk përfaqësojmë një të vetme, por na bashkon kërkesa për ndryshimin e sistemit. Ne kemi ndasitë tona, mendime të ndryshme e qëndrime të ndryshme, por ky dakordësim është arritje.
Ne kemi dorëzuar një kërkesë për ndryshim sistemi, të portokolluar, dhe askush nuk e mori parasysh. Po ashtu edhe shoqëria civile, por partitë e mëdha nuk e duan.
Bashkimi i firmave është një fitore e madhe, rëndësi ka që beteja mori një formë zyrtare. Unë nuk votoj asnjë marrëveshje mes palëve që nuk cënon interesin e qytetarëve”-tha Andi Përmeti.
Më tej, ai theksoi se “Unë kërkoj hapjen e listave sepse nuk mund të demokratizoj partitë nga brenda. Ky sistem ka prodhuar tre perandorë që kanë të gjithë pushtetin”.