Ilustrim grafik per banden “Bajri”
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Shkodrës vendosi të hënën zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” të Behar Bajrit, i cili aktualisht po hetohet për vrasje, gjobëvënie, pastrim parash, armëmbajtje pa leje dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Nga Edmond Hoxhaj
Behar (Brajoviq) Bajri, i cilësuar si një prej anëtarëve të grupit të ashtuquajtur “Bajri”, që dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale – nga vrasja, gjobëvënia e deri tek pastrimi i parave, fitoi lirinë në hënën më 29 qershor, pasi Gjykata e Shkodrës përcaktoi si masë sigurie detyrimin për paraqitje të tij duke zëvendësuar masën e deritanishme të arrestit me burg në pritje të gjyqit.
Koordintorja për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Blenda Behri, i tha BIRN të hënën se, me kërkesë të prokurorit Xhevahir Lita, gjyqtari Sokol Shehu ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” të caktuar më parë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj Behar Bajrit, në masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit”.
Më 21 shtator 2018 Policia e Shtetit arrestoi në zonën e Xhamllikut në Tiranë Safet Bajrin [Rustemi] – një ndër më të kërkuarit e autoriteteve belge në atë kohë. Paralelisht operacioni u shtri edhe në Shkodër dhe Roterdam të Holandës, duke arrestuar 11 persona të akuzuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me qendër në lagjen Dobraç të Shkodrës.
Operacioni u trumbetua si një goditje e suksesshme kundër krimit të organizuar nga Shqipëri nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Pas arrestimit të Safet Bajrit në Tiranë, Behar Bajrit në Holandë dhe Enver Bajrit në Spanjë, ish- Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti një mori akuzash; mes të cilave përfshirje në gjobëvënie, lotari të paligjshme e trukim ndeshjesh si dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm mbi administratën shtetërore, krime që sipas saj u kryen në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Por gati dy vjet pas nisjes së hetimeve, drejtësia dështoi të vërtetonte ekzistencën e një grupi të strukturuar me emrin “Bajri”, ndërsa dosja është dërguar për gjykim më datë 17 qershor me akuza të rrudhura.
SPAK e pushoi akuzën e “grupit të strukturuar kriminal” duke u bazuar në kriterin numerik formal të bashkëpunimit mes tre anëtarësh të përcaktuar në Kodin Penal dhe e përcolli dosjen në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës në shkurt 2020.
Nga shkurti në maj 2020, dosja “Bajri” bëri disa herë ecejake mes Tiranës dhe Shkodrës para se Gjykata e Lartë të ndërhynte në konfliktin e kompetencës, duke i dhënë të drejtë SPAK-ut.
Më datë 20 maj, në zbatim të urdhërimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Shkodrës zhvilloi seancën për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë së këtij rrethi, për “shuarje dhe caktim mase” ndaj të ndaluarve në shtator të 2018-ës si anëtarë të grupit “Bajri” në Shkodër duke lënë të lirë shumicën e tyre.
Gjykata e Shkodrës pranoi atëherë kërkesën e prokurorisë respektive për shuarjen e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj Behar Brajoviq Bajri, i dyshuar për kryerjen e veprave penale: “vrasje me dashje” mbetur në tentativë; “vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim; “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; “organizimi i llotarive të palejuara”; “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ndërsa zgjati afatin e paraburgimit për 1 muaj për veprat penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojne funksione publike” dhe “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” për t’i dhënë lirinë të hënën më 29 qershor.
Po ashtu u vendos zgjatja e afatit të paraburgimit edhe për Ilir Rustemin, për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim dhe zëvendësimi i masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në shtëpi” në “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për të dyshuarin Emrah Plaku, i dyshuar për veprën penale “Organizim i llotarive të palejuara” në bashkëpunim.
Për Safet Rustemin(Bajri) u shua masa për veprën penale “paracaktimi i rezultateve në garat sportive” për qëllime të fitimit pasuror, e kryer në bashkëpunim dhe vazhdimi i vuajtjes së dënimit për efekt të njohjes se vendimit penal të gjykatës Belge për “shfrytëzim prostitucioni”.
Masa e sigurisë “arrest në burg” u shua edhe për Astmer Bilalin dhe u caktua masa “arrest në shtëpi” për veprën penale “paracaktimi i rezultateve në garat sportive”; “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; “futja apo mbajta së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”.
Për Samet Hallunin, i dyshuar për veprën penale “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer bashkëpunim, si dhe për Jorida Muratin, e dyshuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” u vendos “detyrim paraqitje”.
sunitet po bejne ”shtet”……………gezuar ramazonin!
kujtoj: ne asnje vend arab nuk funxionon DREJTESIA!
BRAVO GJYKATES. KANE DHE ATA KALAMAJ PER TI USHQYER DHE SHKOLLUAR JASHTE SHTETIT. U PORDH DHE REFORMA ME GJITHE SPAK, KLP E TERCI VERCI. NUK ME SHPRESE, VDIQ, COFI. KETHENI GJYKATAT USHTARAKE TE MERHUMIT.
Te mos gjesh prova edhe per kryekriminelet e Shkodres dhe ndoshta gjithe veriut, do te thote ta qash me lot drejtesine shqiptare. Ta kthesh kete ceshtje per gjykim ne shkoder, eshte njesoj sikur ti lirosh me doren tende, sepse nuk ka shkodran qe mund ti rezistoje presionit te ketij grupi.