Disa pyetje për kandidat-rektorët e UT

11 Korrik 2020, 11:31Blog TEMA

Nga Edmond Çata, PhD.

Deri tani dimë se Artan Hoxha, Mimoza Hafizi, dhe Kozeta Sevrani janë kandidatë për Rektor të UT. Por dimë pak apo aspak rreth ideve dhe platformave të tyre. Pak dimë cili është shpjegimi i tyre për dështimin e Rektorshipit Koni. Nëse UT me Mynyr Konin si Rektor dështoi të funksiononte si një institucion normal, kujt ia atribuojnë ata këtë dështim? Aftësive individuale të Konit? Apo dështimi i tij i ka rrënjët gjetkë? Nëse në vështrimin e tyre gjëndja aktuale e UT është aspak e këndshme, cilët janë shkaqet që ata mendojnë se kontribuojnë në katandisjen e UT në një universitet disfunksional? Cilat janë çështjet kardinale aq ata mendojnë se do të duhen të merren si Rektor? Nëse disfunksionimi i UT bën imperative ndërhyrjen, veprimin konkret, dhe ndryshimin e gjëndjes, cilat janë rrugët dhe instrumentet që ata do të përdorin në përballjen me gjëndjen aktuale dhe ndryshimin e saj?

Çfarë i dallon ata nga idetë dhe praktikat e Rektorit Koni, apo edhe nga njëri-tjetri, në mënyrën se si e mendojnë ata përballjen me këtë gjëndje dhe zgjidhjet që ofrojnë? Çfarë mendojnë ata dhe do të bënin ndryshe nga Rektori Koni në përballjen e tyre me problemet dhe për ta nxjerrë Universitetin e Tiranës nga kjo gjëndje e ngërçit dhe bllokimit institucional? Vetë kandidatët, ofrojnë të njëjtat rrugë dhe instrumente në përballjen me situatën dhe ndryshimin e gjëndjes apo kanë ide dhe pozicione të ndryshme? Nëse dështimi i rektorshipit Koni vlen për të nxjerrë mësime për të ardhmen, a iu ka vlejtur ndonjë mësim kandidatëve? Cilët janë ato? Dhe në ç’mënyrë i kanë inkorporuar mësimet nga dështimi i rektorshipit Koni në idetë dhe platformat e tyre të veprimit si Rektor?

Çdo përgjigje e kandidatëve për pyetjet e mësipërme vlen për qartësimin e 800 pedagogëve dhe 14 mijë studentëve të UT. Pasi ata ftohen për të votuar dhe zgjedhur njërin nga kandidatët. Duket qartë që pedagogët dhe studentët nuk do të kenë mundësinë të komunikojnë fytyrë-me-fytyrë me ta. Kështuqë nëse pedagogët dhe studentët e Universitetit të Tiranës nuk do kenë mundësinë të komunikojnë direkt me kandidatët, nga do të marrin vesh ata çfarë i dallon kandidatët nga njëri tjetri? Cilët janë çështjet të cilat kandidatë iu japin më shumë rëndësi? Sa përputhen me interesat e studentëve dhe pedagogëve me çështjet që ngrenë dhe pozicionet që mbajnë kandidatët? Cili është kandidati më i përshtatshëm?

Përgjigjet vlejnë edhe për vetë publikun e gjërë. Pasi UT, edhe ashtu i gjymtuar siç ka mbetur me gjashtë fakultete, pas ndarjes nga ai të politeknikut dhe mjekësisë, mbetet më i rëndësishmi nga të gjithë universitetet shqiptare, publike apo private, si nga ata që gjenden në të gjithë Shqipërinë edhe ata që ndodhen në Tiranë. Ai ka numrin më të madh të pedagogëve dhe studentëve, ka prapa vetes një traditë dhe historik 70 vjeçare, emri dhe imazhi i tij ekslipsojnë ato të çdo universiteti tjetër, dhe përfaqëson lokomotivën e gjithë sistemit të arsimit të lartë dhe universiteteve shqiptare. Pra ç’ndodh me UT ka rëndësi! Kush vihet në krye të tij dhe me çfarë idesh ka rëndësi! Në ç’mënyrë konceptohen marrëdhëniet e institucionit me qeverinë ka rëndësi! Çfarë udhe do të marrë kriza aktuale, kush do e nxjerrë nga kjo krizë dhe si, përsëri ka rëndësi! Fakti nëse UT zhvillohet dhe ecën përpara apo degradon, nëse funksion normalisht apo zhytet në disfunksionim, ka rëndësi për këdo që ka qënë në të shkuarën pjesë e tij, por edhe për të gjithë ata që janë aktualisht apo “presin në radhë” të bëhen pjesë e tij.

Por përgjigjet dhe çfarë pozicionesh kanë kandidatët për pyetjet më sipër, kanë rëndësi edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes UT dhe Qeverisë Rama. Brënda sistemit të universiteteve shqiptare, UT përfaqëson institucionin më përfaqësues të universiteteve. Për pasojë, krahas asaj se si e koncepton dhe materializon qeveria Rama marrëdhënien me UT dhe Rektorin e tij, një rëndësi po aq të madhe ka edhe koncepti dhe mënyra se si e shohin dhe mendojnë pozicionin, të ardhmen, dhe menaxhimin e institucionit, kandidatët për Rektor të UT. Është e vërtetë që në shtatë vitet e qeverisjes Rama, ajo që kemi parë ka qënë një inkonsistencë e vazhdueshme nga Rama qoftë në konceptimin, qoftë në materializimin e reformës së arsimit të lartë. Kjo e vërtetë shtrihet dhe shprehet edhe në marrëdhëniet e Qeveri-Drejtues të UT, ku tjetër shije ka shfaqur marrëdhënia me Rektorin Mynyr Koni, dhe tjetër shije ka shfaqur me disa prej Dekanëve të UT. Në këtë rast, koncepti dhe përgjigjet që kanë kandidatët për marrëdhëniet mes UT dhe Qeverisë Rama, si qeveria e ditës, kanë rëndësi në kuptimin që na japin neve si publik një ide për karakterin harmonik apo antagonist të këtyre marrëdhënieve dhe shancet që ka Universiteti i Tiranës për të dalë nga ngërçi institucional aktual.

A do mund ti marrim këto përgjigje? Përjashto disa deklarata aty-këtu të Artan Hoxhës rreth konfliktit Koni-KIZ rreth zgjedhjeve, deri tani nuk ka patur as ndonjë elaborim të plotë të ideve apo platofrmës së tyre, as nga UT nuk ka dalë ndonjë njeri që të kërkojë një ekspozim më të plotë dhe të detajuar të pozicioneve të kandidatëve për Rektor. Dhe rrethanat e koronavirusit mbase do pengojnë mundësinë e të paturit të një komunikimi me kandidatët dhe shpalosje të plotë të ideve dhe pozicioneve të tyre. Vlera e këtij komunikimi dhe ekspozimi idesh dhe pozicionesh zvogëlohet akoma edhe më shumë përballë pëshpërimave se rezultati dhe “fitimtari” i garës është paravendosur, pra “debati” do të ishte ose i panevojshëm ose formal. Fakti nëse kandidatët do arrijnë të elaborojnë përpara pedagogëëve, studentëve, apo publikut të gjërë idetë dhe pozicionet e tyre, nëse ata do të zhvillojnë apo jo një debat mes tyre për të na treguar përse secili prej tyre meriton më shumë se kandidatët e tjerë për tu bërë Rektori i ri i UT, mbetet për tu parë. Por sidoqë të ndodhë, si pyetjet e mësipërme, ashtu edhe vetë debate publik mes kandidatëve, janë të rëndësishëm për drejtimin, funksionimin, zhvillimin dhe ecurinë e UT në katër vitet e ardhshme si dhe marrëdhëniet mes UT dhe Qeverisë Rama apo cilësdo qeveri që mund të pasojë atë!

1 komente në “Disa pyetje për kandidat-rektorët e UT”

  1. pedagogu says:

    Po pritem te na i zgjidhi problemet e UT ky Tan Hoxha, turp per ne…! Ky qe gjithe jeten e vet s’ka bo nji gram mesim, se 4 vjet klysh i Dhori Kules ne Rektorat dhe 4 vjet servil i Dhorit qe te behej Rektor…Ne se UT do te ndryshoj imazh le te shoh keto grate qe kane kaniduar,,,,te pakten kane dhene mesim e jane zonja te nderuara,,,, Duhet tja japin kete shanc atyre dhe jo ketij qe vec akademik s’eshte…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje