Lista të hapura apo të mbyllura, koalicione para apo pas zgjedhore, cili model është i duhuri?

12 Korrik 2020, 20:04Politika TEMA

Nga Altin Ketro

Çështja më e nxehtë politike, që po rivalizon edhe temperaturat e larta të korrikut, ka të bëjë me diskutimin e hapjes ose jo të listave. Paralelisht me të është në diskutim edhe heqja apo mbajtja e koalicioneve para zgjedhore.

Personalisht kam qenë qysh në krye të herës partizan i listave të mbyllura për të cilat kam dhënë edhe argumentet përse i mbështes në kushtet e Shqipërisë. Por, nëse ne do të kishim një administrim zgjedhor të modelit zviceran, një fushatë elektorale po të modelit zviceran, një pritje rezultati nga palët gjithnjë sipas modelit zviceran, një elektorat të stërvitur me koklavitjet që sjellin fletët e votimit me lista të hapura, natyrisht do votoja me të dyja duart pro listave të hapura.

Pafuqia e grupimeve të reja për të prodhur liderë frymëzues, të cilët të ngrenë po ashtu ekipe frymëzuese që t’i rivalizojë denjëzisht dy partitë e mëdha, nuk mund të bëj me faj listat e mbyllura. Nuk ka logjikë, për shembull, që nuk votojmë listat e mbyllura të partisë së filozofit Ndoka, por do e votojmë këtë parti po të jenë listat e hapura sepse do kemi mundësi të përzgjedhim midis emrave që filozofi do ketë vënë në listë, ndonëse si tek njëri ashtu edhe tek tjetri variant, emrat do të jenë të njëjtit.

Gjithsesi, ajo çfarë i djeg më shumë opozitës jashtë parlamentare nuk është çështja e listave, por ajo e koalicioneve. Partia Demokratike po përpiqet të krijojë idenë në publik se rotacioni politik është i sigurt nëse ruhen koalicionet. Lulzim Basha nuk e fsheh që nuk e mund dot Edi Ramën si numër deputetësh, por shpresën e mban tek partitë e tjera, shumatorja e numrave të të cilave i lë të besojë se do ta parakalojë PS-së në zgjedhje.

Kushtetuta e Shqipëris, në nenin 96 të saj, thekson se: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.” Pra, presidenti i drejtohet partisë që ka e vetme së paku 71 mandate, ose koalicionit që ka së paku po aq. 

Në zgjedhjet e vitit 2017, ku nuk u lejuan koalicionet para zgjedhore, mandatet u ndanë si vijon: PS 74, PD 43, LSI 19, PDIU 3, PSD 1. Sipas kushtetutës, presidenti ia dha PS-së mandatin për të krijuar qeveri. Në një rast hipotetik në zgjedhjet e vitit 2021, duke ruajtur koalicionet, nëse rezultati do të dilte: PS 68 mandate, PSD 1, në total koalicioni i PS me 69 mandate; kurse në kampin tjetër: PD 50 mandate, LSI 18, PDIU 3, në total koalicioni i PD-së 71 mandate, sipas kushtetutës i bie që presidenti t’i japë PD-së të drejtën për të krijuar qeveri.

Nga pikëpamja ligjore kjo është në rregull, por moralisht është një padrejtësi e madhe të cilën kushtetuta nuk e adreson drejt. Kudo mandatin për të formuar qeveri e merr partia që del e para në zgjedhje. Se sa e zonja është ajo për ta formuar qeverinë, kjo është çështje tjetër. Kushtetuta të lë 10 ditë për të formuar qeverinë dhe nëse nuk ia del, presidenti kalon tek emri tjetër. Të kesh 18 deputetë më shumë se partia e dytë në renditje për nga numri i mandateve, e të mos të jepet fillimisht e drejta ty për të krijuar qeverinë, kjo është një padrejtësi ndaj vullnetit të popullit.

Në fletën e votimit, partitë votohen emër për emër, jo si koalicion. Koalicioni thjesht shërben si një mënyrë që votat që nuk i hyjnë në punë një partie, i mblidhen partisë tjetër që renditet më poshtë. Në fakt, zgjedhësi ka votuar partinë, jo koalicionin dhe është absurde që një votë e hedhur për partinë A, të numërohet më pas si votë për partinë B.

Që Partia Demokratike dhe Lulzim Basha e dinë që nuk e parakalojnë dot PS-së në mandate, kjo është mëse e dukshme që kur sheh këmbënguljen e tyre për të ruajtur koalicionet para zgjedhore. Shpresa e tyre është sidomos LSI-ja, për të cilat thanë të 99-tat në fushatën e vitit 2017, përbetime që kurrë nuk do bënin koalicion me ta, akuza që çuditërisht edhe vetë LSI-ja i kapërdiu sepse e kuptoi që Basha kishte të drejtë në ato që thoshte.

Mesazhi që Lulzim Basha i përcjell elektoratit demokrat, ku haptazi i thotë që PS-në nuk e mund dot tek për tek, por më duhet edhe LSI-ja në rresht, që votat që ti demokrat do i japësh PD-së t’i shërbejnë edhe LSI-së për të shtuar ndonjë deputet, është mesazh prej disfatisti.

Konkurrimi më vete i secilës parti është një sjellje demokratike, sepse i jep secilës hakun që meriton. Ky lloj konkurrimi do të jetë shumë produktiv, sepse i bën partitë më të përgjegjshme duke u fokusuar vetëm tek vetja e tyre për të dalë të parët, dhe jo tek halli se cilat parti (shumica parazitare) pranuan apo jo të bëjnë koalicion me to.

Natyrisht, kjo do t’i bëjë mirë edhe partive të tjera më të vogla, sepse pas kësaj askush nuk do t’i akuzojë përse ndryshojnë kah politik, majtas apo djathtas. Secila prej tyre do të jetë e lirë të tregohet pragmatiste dhe të zgjedhë të bëjë koalicion pas zgjedhor me partinë që ka numrin më të madh të mandateve, në bazë të interesave programore të elektoratit që përfaqëson.

Si përfundim, listat e mbyllura duhen mbajtur të paktën edhe për këto zgjedhje. Kurse koalicionet para zgjedhore nuk duhet të ekzistojnë më. Demokraci e vërtetë do të thotë kur partitë futen të vetme në zgjedhje dhe aty kuptojnë se sa i vlerëson elektorati me vota. Partia që del e para në zgjedhje duhet të jetë po e para që të ketë të drejtën për të formuar qeverinë. Është imediate që të heqim dorë prej mandateve model “Dushku” që prodhohen brendapërbrenda koalicioneve para zgjedhore.

(TemA)

8 komente në “Lista të hapura apo të mbyllura, koalicione para apo pas zgjedhore, cili model është i duhuri?”

  1. 001 says:

    Te lumte, dobic partie
    As mish as peshk si gjithnje bythlepirje!

  2. damam Damashi says:

    Me nje fjale ti dashke me cdo kusht Ramen ne pushtet. Te hapen listat,te votohen njerezit me reputacion ne popull,te ngrihet nje parlament cilesor,qe te marre ne dore fatet e vendit dhe te formoje ate qeveri qe i del zot popullit. Mjaft me me karavidhe per tridhjrte vjet e vijme rrotull e kthehemi po aty ku ishim. Na kane marre ne qafe Nano,Berisha,Rama,Meta e Lul Basha,ndaj eshte koha tu veme fshesen.

  3. Llaman says:

    Ore tutkun, ne listat e hapura nuk zgjidhet Nard Ndoka po te mos preferohet nga elektorati i PD, kurse ne listat e mbyllura e ka vendin te sigurte, as kete nuk e kupton? Populli spontanisht voton eliten, kurse kryetari nuk ka nevoje per elite por per figurante qe ngrene doren

  4. american16al says:

    Listat e hapura nuk i duan ate qe Shqiperia te drejtohet nga hajdute e prostituat dhe mes te kete qeveri dinjitoze ate qe ka bere renegati Berisha me shoke dhe shikoni se cfare qeverish dhe qeveritare kemi pasur dhe kemi, vetem listat e hapuri ben qe te hyjne njerez me me reputacion dhe vendi te vihet ne binare per te ardhme me te mire.
    Vetem ky eshte shansi te pastrohen llumi i tanishem i qeveritareve.

  5. D.Didani says:

    Koalicionet para zgjedhore,tregojne forcen ndaj nje kundreshtari qe mund ta kene inat.Ato nuk percaktojne vlerat e partive,por tregojne rrugen per te marre pushtetin ne baze te aftesive qe ti mundesh te besh koalicion pra ne se arrin te besh me vete nje grup partish qe nuk e duan ate qe mund te jete me i forte !.Koalicioni pas zgjedhjeve,eshte menyra me burrerore per te marre pushtetin,pra pushtetin do ta marr ai qe ka partine me te forte !! Ne se me te fortin ,nuk do ta duan partite e tjera,dhe ai nuk ka votat te udheheq i vetem…atehere “Me i forti” rrezohet.Kjo eshte me e ndershmja!

  6. m says:

    Ajo duhet është sistemi përpjestimor kombëtar,me lista të hapura,me prag 5% dhe me bonus të përshkallëzuar për partinë e parë,që të mos varet nga dulet dhe metat.
    Është shumë e thjeshtë,po nuk e bëjnë se duan sistem rajonal,që dulja të zxjerrë 3 deputetë

  7. xha Spiro says:

    z. Llamani është shumë i qartë. Ndërsa për numrat e deuteteve sipas partive, duhet të bëhen nja dy kirigjime: LSI-se i heqen katër deputete dhe PDIU-ja nuk mrrr asnjë deputet, sepse nuk ka elektorat të sigurtë. Kështu që PS merr drehtuminsu me dhe pa koalicion. Nuk pranojne zgjedhesut lulezimra dhe monikra që i shnderrojne sheshet në tym e flake pa asnjë alternative mbi ato të PS, e cila duhet doemos të bëjë disa ndreqje.
    Xha Spiro

  8. fteri says:

    Me Lista të hapura apo të mbyllura ,me kolicione para zgjedhore apo pas kolicione zgjedhore ,ka provuar vetëm metoda fashiste drejtimi në shqipri .Ka gjeneruar deputet hajdut e kriminel -politik -ekonomik që kan grumbulluar rreth vetes thuajse gjithë pasurinë kombëtare të djersës e gjakut të shqiptarve të 50 vjeve socializëm.Rengati Sali Berisha me klasën politike Ilir Floriri me bandat e tyre hajdute kriminale e çuan shqiprinë në shkatrrim total.Në ndihmë po i vjen edhe Edi Rama duke mbajtur Ilir Metën president.Kjo metodë fashiste drejtimi ,nuk tregon forcën e partive politike ,por dobësin e fuqi të krimit..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje