Qeveria u beson qytetarëve: Mbajtja e maskave në dyqane, jo e detyrueshme në Britani

12 Korrik 2020, 21:35Bota TEMA

Mbajtja e maskave mbrojtëse në dyqane nuk do të jetë e detyrueshme në Angli. Kështu pohon ministri për kabinetin qeveritar, Michael Gove, i cili tha se i beson ndërgjegjësimit të qytetarëve. Duke folur për BBC, ai theksoi se mbajtja e maskës në ambiente publike është një sjellje e mirë që hyn në praktikat bazike.

“Qeveria në kohë të ndryshme shikon për prova lidhur me mënyrën më të mirë për të kontrolluar sëmundjen. Nëse është e nevojshme për masa të ashpra si në Leister, natyrisht një situatë komplet tjetër, atëherë masa të ashpra do të vendosen”, u shpreh Michael Gove, ministër për Kabinetin në Britani.

Më herët, kryeministri Boris Johnson u shpreh se një qasje më strikte duhej në mënyrë që britanikët të mbanin maska në hapësira të përbashkëta. Burime brenda qeverisë thanë për BBC se çështja është në rishikim e sipër, ndërsa laburistët kërkojnë qartësi.

Aktualisht, mbulimi i fytyrës është i detyrueshëm në transportin publik të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës së Veriut, një masë kjo e vendosur për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar është e treta në botë sa i përket bilancit të viktimave shkaktuar nga pandemia dhe numëron rreth 45 mijë jetë të humbura. Të prekurit janë më tepër se 290 mijë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje