Listat?! “Elefanti” në dhomë mbetet sistemi zgjedhor

16 Korrik 2020, 16:00Blog TEMA

Nga Artan Xh. DUKA Prof. As. Dr.

Avazi listave apo rrotull si kali në lëmë!

Ka një ngushtim të debatit rreth votës duke u marrë kryesisht me hapjen ose të listave partiake. Hapja e tyre do të ishte hap përpara në kuadrin e sistemit zgjedhor ekzistues por nëse synohet zgjidhje afatgjatë, thelbi është tjetërkund. “Guri” që peshon nuk është hapja e listave por rishikimi i sistemit zgjedhor!

I tanishmi i ka bërë ditët e tij dhe kusuret e tij nuk i nxë një faqe gazete ndaj dhe të harxhohet kohë e energji sot me listat është të hedhësh mballomën e rradhës dhe problemin ta shtysh pak në kohë.

Hapja e listave përveçse ende e pamjaftueshme për të garantuar votën e lirë, mund të krijojë dhe probleme të tjera shtesë. Nga komplikimi i proçesit zgjedhor dhe paranoja e pashmangshme (votimi, numërimi e llogaritja), konfuzioni në elektorat, lufta brënda “llojit” dhe diversioni politik, kulisat etj.

Edhe të hapura, listat janë po ajo “menu” politike teksa bëhen nga e njëjta dorë, presupozojnë të njëjtën linjë e trashëgimi politike sëbashku me problematika të tjera që gjejnë terren tek sistemi aktual zgjedhor që nuk garanton kurrfarë rotacioni real por thjesht riciklon atë që ishte e djeshmja problematike në vënd.

Sa kohë mbetet ky sistem zgjedhor që iu imponua publikut nga lart, debati rreth listave nuk ngre shumë peshë dhe me “litarin” jashtë historia do përsëritet me “konsensusin” e rradhës çdo katër vjet. Dhe sa kohë mbetet pezull fati votës së lirë, do të nëpërkëmben edhe reforma të tjera në vënd. Ndaj dhe tani është jetik si rishikimi i sistemit zgjedhor ashtu dhe debatimi publik e miratimi më pas në referendum.

Pse sistem mazhoritar me dy raunde?

Ndër sistemet zgjedhore që respektojnë vullnetin e votuesit dhe garantojnë përfaqësueshmëri mbi bazë merite është ai mazhoritar me dy raunde në rast moskalimi të pragut 50%, sistem ky për të cilën kemi dhe një përvojë. Hezitimet e dikurshme (terren për intimidim nga të “fortët”, pështjellim e tensione në elektorat etj) nuk qëndrojnë sa kohë vetë politika pohon se shteti ligjor po forcohet dhe ligji mund të shmangë çdo abuzim. Dhe nëse problem, sot janë problem partitë e “forta” që me avantazhet që u ofron sistemi i sotëm zgjedhor, provokojnë parreshtur tension në rrugë e institucione sepse karriken e kanë me “tapi”.

Mazhoritari do të rikthejë jo vetëm zërin e humbur të votuesit por dhe dinjitetin e deputetit duke demokratizuar më tej vetë politikën dhe unifikuar partitë politike në garën për të përmbushur interesat e pritshmëritë e votuesit.

Është e rëndësishme që nëse mazhoritar, ai të lërë hapur mundësinë për balotazh nëse në raundi parë nuk njeh fitues mbi 50%. Kjo do të rriste shkallën e përfaqësimit sa më real të mozaikut politik në Kuvënd duke i dhënë një shans votës për kandidatin e preferuar në raundin e parë. Ndryshe nga sistemi sotëm, mazhoritari me dy raunde do të largonte më tej merakun e ndarjes së votës dhe frikës së hyrjes së “qoftëlargut” nga “penxherja” sikurse do të ishte një mundësi për partitë e reja apo individët e respektuar të konkurrojnë si të barabartë në raundin e parë dhe në pamundësi për t’ia dalë mbanë, të hyjnë në dialog me partitë e mëdha për mbështetje në balotazh në këmbim të marrjes në konsideratë të aspekteve të ndryshme të programit të tyre politik.

Një sistem mazhoritar i tillë nuk ka nevojë për korrektim proporcional kombëtar (lexo: lista të mbyllura partiake) sikurse nuk ka nevojë edhe për diskriminime pozitive si psh. kuotat për kandidatet femra (diskriminim në vetvete sepse aludon inferioritetin e gruas), fonde publike e mbulim mediatik me prioritet partive të mëdha (vija e startit e njëjtë për të gjithë) etj. Karrikja e deputetit nuk falet por meritohet.

Një sistem mazhoritar me dy raunde do ta nxirrte qytetarin nga apatia e indiferenca politike në rritje. Fushatat do të jenë pikante dhe vota merr vërtet peshë duke mos u intimiduar nga frika dhe zgjedhja e së keqes më të vogël por duke u nisur nga shpresa dhe kandidati më i preferuar në fletën e votimit. E nëse zhgënjehet katër vjet, sërisht gjërat janë në dorë të votuesit.

Opozita parlamentare sytë tek referendumi e 2025-ta

Domosdo , një sistem i tillë zgjedhor nuk është i preferuari i politikës së tranzicionit të zhytur në abuzim. Nuk u garanton imunitetit politik e parlamentar, për më tepër sot në kushtet e reformës në drejtësi. Qëllimisht debati devijohet thjesht tek arnimi i ligjit aktual dhe çdo gjë zvarritet deri momentet e fundit për t’i dalë para çdo kërkesë për reformë reale të votës para zgjedhjeve të vitit 2021 me alibinë se “nuk ka kohë”.

Në kushtet e politikës së kulisave mes partive të mëdha, objektivi e kushti i opozitës parlamentare nuk duhet të jetë hapja e listave por miratimi i një referendumi për sistemin zgjedhor në vitin 2021 (pas zgjedhjeve) me efekt veprimi në zgjedhjet 2025 (bie edhe alibia se nuk ka kohë).

Nëse do arrijë këtë gjë, opozita parlamentare do të bëjë histori. Një shans i artë si ky nuk vjen përditë. Kur i duruam 30 vjet, do i durojmë dhe katër të tjerë me dallimin se këto katër vjet, nuk përjashtohet mundësia që edhe vetë deputetët e listave të dalin nga rradhët e partisë duke vënë në plan të parë interesin e votuesit sepse e dinë që në 2025 listat i bën votuesi.

Një qasje e tillë ndërkohë do t’i jepte një meritë të veçantë kësaj opozite në avancimin e negociatave me BE (ndryshe nga opozita anti-institucionale e rrugës që dëmtoi këtë proçes me molotov e anarki). Një kushtëzim i tillë i miratimit të marrëveshjes PS-PD në tryezën e Këshillit Politik, do të ruante dhe “erzin” e partive të mëdha (që do i gëzoheshin edhe një herë të fundit sistemit aktual) dhe vetë perëndimit sepse askush nuk ka kurajo t’i kundërvihet në parim referendumit si standart kulmor demokratik.

Për momentin do ndjehet e fituar politika e tranzicionit që e shtyn dhe ca kohë me sistemin aktual zgjedhor por shpejt, shumë shpejt, sidomos me avancimin e reformës në drejtësi, fituesi real do të jetë politika e përgjegjshme e qytetari shqiptar dhe pala e humbur pakthim do të jetë politika që abuzoi dhe u tall kaq gjatë me votën e mundin e tij.

3 komente në “Listat?! “Elefanti” në dhomë mbetet sistemi zgjedhor”

  1. xhoxhi says:

    Ore po u trullosët fare me këto zgjedhjet.Më thoni një vend në Europën e bashkuar ku vota është e lirë dhe e ndershme.Në asnjë vend.Votohet thjesht për të hedhur një copë letër në kuti dhe asgjë më tepër.Ju them se si votoj unë në Greqi.Shkoj në qëndrën e votimit ku kam emrin më japin fletët e votimit vendos kot më kot dy apo tre ikse dhe mby zarfin dhe e hedh në kuti.Shumica pothuajse votojnë kot më kot aq kot sa shpesh në vënd që zyrfin ta hedhish në luti e hedh në qesen ku hidhen fletët e tjera që nuk hidhen në kuti.Ja kështu votohet në një nga shtet e B-E-së.Shpesh të vjen zyrfi në shtëpi me postë i plotësuar dhe po të duash e hedh siç të vjen.Ku është ndershmëria këtu e votës?Asgjë demokratike vetëm bëjnë sikur gjoja e ka në dorë populli të zgjedhë.Për 30 vjet pa më thoni kur është votuar me regulla?Asnjëherë dhe kështu do vazhdohet vetëm se jashtë nuk çajnë kokën shumë dhe mbaron votimi fition kush fiton dhe asgjë.Në Shqipëri si para si gjatë dhe pas votimit bëhet luftë për votat për të zënë një karike në politikë…Mark Tuein ka thënë:”SKA RËNDËSI SI VOTOHET KA RËNDËSI SI NUMËROHEN VOTAT”

  2. Epo kjo pune says:

    Te hapura te mbyllura listat nenat parti do i bejne prandaj duhet mazhoritar, secili sipas merited dhe Murrizi me shoke kot telendisen me llaxoret por te thone dakort pazarit te kulisave por… Referendum Pas zhgjedhjeve mot, asnje nuk humb per momentin ama ne 2025 votohet tamam

  3. XheJ eN Bi says:

    xhoxhi….
    O xhoxhi….nga njëra anë thua se vota nuk është e lirë ,nga ana tjetër vete në qëndrën e votimit ,zgjedh ti katër emra ( jo tre që pretendon ti) dhe e hedh në kuti.Kush të imponoi ty se kë do zgjedhësh? Atëherë si nuk është votim i lirë ?
    Dhe sa për numërimin që na përmënd Mark Twain ,në Greqi që je ti kush i numëron votat ?
    Është një prokutor që mban përgjegjsi ligjore për ç’ do shkelje ,janë dhe tre antarë të hedhur me short nga votuesi duke mos e ditur se të kujt partie janë.Edhe këta mbajnë përgjegjësi ligjore për shkeljet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje