Tashmë është thuajse e sigurt se Marash Kumbulla do të largohet nga Verona, pas vetëm një sezoni në skuadrën e parë.
Mbrojtësi i kombëtares sonë ka treguar nivel të një lojtari me të ardhme në arenën e madhe të futbollit dhe klube protagonistë në kontinent duan shërbimet e mbrojtësit.
Prioritet janë ata brenda Italisë dhe Lacio e Interi shihen më të avancuara për të arritur te 20-vjeçari.
Gara është shumë e ashpër dhe këtë e tregon edhe presidenti i Veronës, Mauricio Seti.
Presidenti i Hellas tregon se gjithçka do të mbyllet dy javët e ardhshme, duke lënë të kuptohet se Kumbullën do e shohim të veshë të tjera ngjyra sezonin e ardhshëm.
“Lacio apo Inter? Nuk e di, do të shohim në vazhdim. Jam i sigurt se do të jetë një garë e fortë. Kemi disa oferta të caktuara. Për ne gjëja më e rëndësishme është që lojtari dhe klubi të mbeten të kënaqur.
Do të vendoset gjithçka në 10-15 ditët e ardhshme”, u shpreh Seti, që me këtë deklaratë e “nxeh” akoma më shumë garën për Kumbullën, për të cilin ka treguar interes edhe Juventusi.