Katër kriza dhe një përgjigje shqiptare

19 Gusht 2020, 14:40Blog TEMA

Nga Veton Surroi

Në Maqedoninë e Veriut, shqiptari si kryeministër nuk është më temë tabu: një storie suksesi që mund të jetë prijëse në tolerancë, madje jo vetëm në Ballkan Perëndimor.

Ç’kanë të përbashkët bisedat për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Maqedoni, protestat në Bjellorusi, marrëveshja mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe takimi mes kryeministrit Hoti e presidentit Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në fillim-shtator?

Çdonjëra prej tyre është zhvillim më vete dhe ndikon në vendin ku zhvillohet, por si do të zhvillohet, do të ketë ndikim më të gjerë dhe nuk është pra çudi që do t’i prekë shqiptarët. Dhe mënyra se si reagojnë shqiptarët flet shumë për ta vetë.

Ja si.

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar.

Formulimi i kësaj fjalie tingëllonte si një pikë e lartë e fushatës zgjedhore, ndërsa tash pas zgjedhjeve dhe ndërsa zhvillohen bisedat për koalicione me mandatarin, kryeministrin e deritanishëm Zaev, duket si një pozicion i fortë negociator. Në rrethana të bashkimit politik të shqiptarëve, gjasat nuk do të ishin të vogla, në fakt, që Maqedonia e Veriut të kishte një kryeministër shqiptar dhe jodomodoshmërisht nga partitë shqiptare. Në bisedimet mes Z.Zaev dhe A.Ahmetit, dhe përkundër mosbashkimit të faktorit shqiptar, megjithatë, u gjet një formulë që në njëqind ditët e fundit të Qeverisë që po formohet, kryeministri të jetë i propozuar nga BDI-ja, pra nëse propozohet si i tillë, të jetë shqiptar.

Është një ngjarje e madhe për t’u shënuar. Para dyzet vjetësh, kushdo të kishte folur publikisht për nevojën që kryeministri i Maqedonisë të ishte shqiptar, do të shkonte drejt në burg si nxitës i nacionalizmit shqiptar. Para tridhjetë vjetësh, do të akuzohej se po do t’ia fusë thikën Maqedonisë në kohën kur po zhbëhet Jugosllavia. Para njëzet vjetësh, do të merrte përgjigje se Maqedonia duhet të ndahet në pjesë shqiptare e maqedonase dhe pastaj shqiptarët le ta bëjnë kryeministrin në territorin e vet mes Tetovës e Gostivarit, e maqedonasit do ta kishin të vetin. Para dhjetë vjetësh, nga partitë me shumicë maqedonase sërish do të ngrihej zëri për ‘projektin shqiptaromadh’. Sivjet ishte temë bisede mes partive politike dhe objekt marrëveshjeje.

Formulimi i fjalisë se ‘Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar’ ka gjetur kundërshtarë të natyrshëm. Kundërshtari i njërit pol është logjika e thjeshtë: pse jo të jetë një person i aftë, pse duhet të përcaktohet nacionaliteti? Kundërshtari i polit krejtësisht tjetër pastaj është: pse duhet të jetë shqiptar, kur shumica në shtet nuk është shqiptare?

Pyetjet janë identitare dhe janë zhvilluar në shoqëri të tjera, madje me traditë të gjatë demokratike. Në SHBA dilema e sotme e Maqedonisë së Veriut- por nëpërmjet të një sistemi tjetër zgjedhor – u vendos me presidentin Obama. Me të u vendos një standard i ri në barazi racore kur edhe zezaku, si pjesë e një pakice tradicionalisht të shtypur, merr përkrahjen e shumicës. Një trend i këtillë po vazhdohet edhe në zgjedhjet e tanishme amerikane, me përfshirjen e Kamala Harris, si kandidate demokrate për nënkryetare të SHBA-ve. Në zgjedhjet e kaluara, të njëjtën gjë u përpoq ta bënte Hillary Clinton, në atë që konsiderohet ‘pakicë politike’, pozicioni i grave.

Nëse dikur rishfaqet e njëjta dilemë – për kryeministër shqiptar – zgjedhja e presidentit Obama mund të ndihmojë në dhënien e përgjigjeve ndaj kundërshtarëve në Maqedoninë e Veriut. Pra, me zgjedhjen e tij u vendos një standard i ri i barazisë në Amerikë; po, s’do mend se u zgjodh një njeri i aftë, por në mesin e shumë të aftëve, ishte mu zgjedhja e Obamës që tregoi tejkalimin e barrierave tradicionale racore në këtë vend. Dhe, po, mund të zgjidhet president edhe një person që nuk i përket shumicës.

S’do mend, analogjia nuk do të mund të jetë e plotë, nëse jo për faktin se një personalitet si Obama ende nuk është paraqitur as ndër shqiptarë e as maqedonas. Por, më me rëndësi se analogjia është rëndësia e momentit të pjekurisë së një shoqërie, siç është ajo e Maqedonisë së Veriut, në të cilën çështja e zgjedhjes a jo të një kryeministri shqiptar nuk është problem tabuje, por pjesë e debatit të sajimit të numrave për një shumicë qeverisëse.

Dhe, ky moment nuk ka ardhur vetvetiu.

Është produkt i një fitoreje të një koncepti të stabilizimit të Evropës me besim në vlerat liberale.

Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, që ndërpreu luftën në atë që atëherë quhej Republika e Maqedonisë, u hartua me idenë e një procesi evolutiv që do të krijojë mundësinë për afirmim të barazisë në kushte demokracie. Qe një proces i cili hodhi poshtë, në masë të madhe në sajë të vetë shqiptarëve, ndarjen territoriale të vendit në baza etnike. Qe një proces i cili integroi palët që deri dje kishin luftuar në një ecje të paprecedent: gjatë misionit të NATO-s në Afganistan, në mesin e përfaqësuesve të shtetit maqedonas kishte dhe ish-kryengritës shqiptarë. Njëri prej tyre qe kryetar i Kuvendit të shtetit. Një rrjedhë normale nesër do ta prodhojë edhe një kryeministër shqiptar.

Kisha nderin në atë kohë të bashkëpunoja me Arben Xhaferin dhe Ali Ahmetin, të cilët u bashkuan në Prizren dhe vazhduan së bashku për në marrëveshjen politike në Ohër. Ata kishin parasysh dimensionin e gjerë, implikimet gjithëshqiptare dhe regjionale që përmbanin vendimet e tyre. Dhe, si pjesë e vetëdijshme e vendimeve të tyre ishte ndërlidhja ‘M-M’, pra Maqedonia dhe Mitrovica. Ndarja e Maqedonisë do të hapte rrugën për ndarjen e Kosovës mu në urën e Mitrovicës dhe anasjelltas, një politikë integrimi në Maqedoni do të integronte edhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Për Ali Ahmetin, që sot zhvillon negociata për Qeverinë e re dhe që ka inicuar idenë e kryeministrit eventual shqiptar, ky duhet të jetë një moment krenarie, nëntëmbëdhjetë vjet pas, se si një proces evolutiv, përkundër të gjitha pengesave, po jep rezultatet e veta.

Maqedonia ka qenë pikë kritike që nga Marrëveshja e Ohrit. Janë disa faktorë që nuk e duan suksesin e Maqedonisë së Veriut dhe që të gjithë përbashkohen te një pikë: ideja e prishjes së modelit të demokracisë liberale, posaçërisht në një shtet multietnik i cili e ka gjetur rrugën e vet të ndërtimit të kohezionit.

Maqedonia e Veriut ka treguar dhe ka mundësi të dëshmojë edhe më tej se është model pozitiv i konsolidimit demokratik shtetëror, pjesë e shtrirjes euro-atlantike, përballë modelit të pengimit të kësaj shtrirjeje, që e bën në radhë të parë Rusia me veprimet operative të Serbisë në Kosovë, e të udhëheqjes serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

Në atë model konsolidimi demokratik shtetëror, Maqedonia e Veriut vendosi edhe një presedencë pa bërë shumë bujë. E la si të legjitimuar marrëveshjen që një ditë, qoftë edhe në njëqinditëshin e fundit të mandatit qeverisës, Maqedonia e Veriut ta ketë një kryeministër i cili jodomosdoshmërisht i përket shumicës etnike të vendit, gjegjësisht një kryeministër që është shqiptar.

Ndërsa të gjithë atyre që avokojnë ndarje territoresh në baza etnike, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë, u la një mësim se integrimi funksionon.

 

2 komente në “Katër kriza dhe një përgjigje shqiptare”

  1. Kritike miqesore says:

    Eh mor Veton. Gjithe ate shkrim, vetem per fjaline e fundit. I re gjate e gjate, shkove deri ne Amerike, erdhe prape, dhe e nxorre koken tek fjalia e fundit. Sepse nuk the gje ne fakt. Vetem se ke perseritur gjera qe jane thene e sterthene keto dite.
    Kete qe thua ti, ma ka then nje shqipetar i Maqedonise qe ne vitin 1990: “Ata serbet – tha ai – t’i kishim ne. Sepse serbet, si do qe te jene – th shqipetari i Maqedonise – jane komb, dhe kombet kane tradita. Mire a keq, ne do ta kishim gjetur gjuhen me serbet. Por neve na kane ra per pjese maqedonasit qe nuk jane komb.”
    Nuk do ta harroj kurre kete thenie.
    Veton – ti je analist politik, dhe ne analizen tende duhet te jesh i ftohte, duke mos anuar nga asnje krah, por duke interpretuar faktet per lexuesin e thjeshte.
    Ne kete rast, i gjithe spektri politik shqipetar ne Kosove, i fryn fyellit te nacionalizmit, urrejtjes, hakmarrjes, dhe mos uljes ne tavoline si i barabarte me anen tjeter. Bjeri drejt, pse nuk i bie? Qe ne Kosove te kete bashkejetese si ne Maqedoni, duhet qe edhe serbet e Kosoves te trajtohen njelloj. Kjo, pavaresisht nga krimet a kaluara te Serbise. Kryeministri apo presidentio i Kosoves duhet te ulet ne tavoline me Vucicin pa ndihmen e Amerikes si negociator. Ulu, diskuto, shiko deri ku shkon bisedimi, dhe pastaj kerko edhe partneret per ndihme ne negociata.
    Por ata qe ke frike te kritikosh ti, kane vete frike te ulen ne tavoline me serbet, sepse kane frike mos i akuzojne si tradhetare. Se ku eshte tradhetia te ulesh me Vucicin dhe te besh me te miren per Kosoven, vetem pseudo-nacionalistet e dine.
    Keto mentalitete duhet te luftoni ju analistet dhe gazetaret, dhe mos jep leksione qe i di edhe ai qe shet qumesht ne rruge.

    1. qytetar says:

      Koment ne forme shume dashamirese !!!! Sigurisht dhe i sakte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje