Hidrokortizoni, një medikament pak i kushtueshëm, mundëson reduktimin me rreth 20% të rrezikut të vdekjeve të pacientëve të prekur nga forma të rënda të sëmundjes COVID-19, sipas një studimi të kryer në Britaninë e Madhe, ku ky trajtim do të përdoret tashmë nga mjekët.
Hidrokortizoni, një antiinflamator, i përdorur gjerësisht në fushën mjekësore, bën të mundur rritjen e shanseve për mbijetesë, por gjithashtu për të përshpejtuar shërimin e pacientëve që vuajnë nga format më të rënda të koronavirusit të ri, theksoi sot Anthony Gordon, studiues nga Imperial College London, në krye të ekipit britanik pjesëmarrës në këtë studim ndërkombëtar.
Studiuesit kanë testuar efektet e shtatë medikamenteve të ndryshme në 403 pacientë me forma të rënda të virusit. Këto teste të kryera në 88 spitale britanike kanë demonstruar efektivitetin e hidrokortizonit, i cili do të kursente rreth 1 në 12 pacientë.
“Për pacientët që nuk u trajtuan me këtë medikament, rreth 40% e tyre humbën jetën nga një formë e rëndë e COVID-19”, theksoi Anthony Gordon.
“Në grupin që përorëm këtë medikament vetëm 32% e tyre humbën jetën”, shtoi ai.
Sipas studiuesit, kjo diferencë prej tetë pikësh është e barabartë me një reduktim prej 20% të rrezikut të vdekshmërisë.